Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, ka konfirmuar se do të paraqitet në një seancë dëgjimore pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit për shkelje të rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale. Hetimet ndaj Simiqit lidhen me protestat dhe vendosjen e barrikadave në dhjetor të vitit 2022 në Zveçan dhe në zona të tjera të veriut të vendit. Në një prononcim për media, Simiq ka mohuar përfshirjen në ndonjë aktivitet të kundërligjshëm, duke thënë se mbështetja e protestave ka qenë politike dhe jo penale. Përveç Simiqit, Prokuroria Speciale është duke hetuar edhe figura të tjera kyçe të Listës Serbe, përfshirë kryetarin aktual Zllatan Ellek, ish-kryetarin Goran Rakiq, si dhe më shumë se 45 persona të tjerë. Ata dyshohen për veprat penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese. Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për lëshimin e urdhërarrestit vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiqit, figurë kyçe në strukturat ilegale në veri dhe i dyshuar për një sërë veprash penale.
