Në institucionin me suvanë e përhitur dhe kujtime të shlyera, ku njerëzit flisnin me muret dhe mjekët me dosjet, filloi të ndodhte diçka që askush nuk mundi ta shpjegonte me logjikë.
Një mëngjes, infermierja që ndante pilulat e trishtimit, vuri re se pacientët po përshëndetnin njëri-tjetrin me fjalë të urta dhe vargje poetike. Gjithçka kishte nisur me një bllok shënimesh, ku dr. Dritani filloi të shkruante copëza mendimesh me një laps të thjeshtë. Nuk ishin diagnoza, as receta. Nuk ishin fjalë klinike, por fjalë që të ngjallnin kujtesë.
Në fund të korridorit, ku ajri mbante frymën pezull, një violinë imagjinare lëshonte një tingull të vetëm. Askush nuk e luante, asnjë dorë njerëzore nuk e prekte. Ishte muzika e padukshme që banon në vetë heshtjen e dhimbjes. Mjeku ecte ngadalë, me hapin e dikujt që ka dëgjuar shumë britma dhe hakërrime të pashpresa.
Ai nuk ishte më thjesht njeriu i përkushtuar që kishte punuar me mantel të bardhë, ai ishte një dëgjues i gjëmës që nuk bërtet. Në dorën e tij – asgjë. Në mendjen e tij – shpresa. Në shpirtin e tij – një melodi pa emër, që s’e mësoi në fakultet, por në netët pa gjumë, kur lutjet e të panjohurve binin si shi mbi dritare.
Mjekësia duhet të jetë shkenca e masave, e analizave, e diagnozave. Por ajo ka edhe një ritëm, mendonte ai. Ka puls, frymëmarrje, ndërprerje të papritura që ngjajnë me pauzat në një partiturë. “Mjekësia është arti i të imituarit të natyrës. Muzika është zëri i saj”, kishte shkruar dikur babai i mjekësisë, Hipokrati.
Mjeku jo gjithmonë e di pse dikush shpëton e dikush tjetër jo. Siç nuk e di as kompozitori pse një melodi prek zemrën, ndërsa një tjetër humbet pa jehonë. Në fund të fundit, muzika dhe mjekësia janë dy mënyra për të rezistuar përballë së panjohurës. E para flet me tinguj, e dyta me gjak. E para shëron plagë që nuk shihen, e dyta plagë që nuk duhen parë. Dhe ndoshta, kur gjithçka shuhet, ajo që mbetet është vetëm një tingull i lehtë, si fryma e fundit e dikujt që është shëruar … jo për të jetuar, por për të mos qenë i harruar.
“Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim”, ishte shprehur një herë e një kohë Niҫe-ja.
