leoni

Iliriana Koleka: Thelbi i shoqërisë kapitaliste është pikërisht mbivlera e Marksit, ose kusaria

(Dy fjalë për shkrimin e Jorgo Mandilit në gazetën “Dita”: “Kusarokracia” të 30 shtatorit 2019.)

Kush ju lë në kapitalizëm

Të shkulni me rrënjë mafiet vrastare

T’i grini me mish edhe me thonj

Në mes të ditës, pa u skuqur fare !

 

Doni pastrim?

Hë pra hidhuni, se qielli në tokë s’bie

Po s’i luajtët duart ju

Askush nga politikanët s’ju jep zgjidhje!

Për të nxjerrë në pah vetinë dalluese të shoqërisë shqiptare, kusarinë, autori, Jorgo Mandili, thërret në shesh nga lashtësia urtësinë e Sokratit dhe s’përmend asnjë herë Enver Hoxhën e socializmin shqiptar, apo Marksin e teorinë e tij të mbivlerës!

Nuk shqiptohet asnjë herë fjala “kapitalizëm” (si djalli nga temjani larg këtyre terminologjive të rrezikshme), po flitet për skllavopronarinë e lirinë demokratike të Greqisë së vjetër.

Po pse o Jorgo ke frikë të përmendësh kapitalin ti?

Kur thelbi i shoqërisë kapitaliste është pikërisht mbivlera e Marksit, ose kusaria.

Kusarokraci apo kapitalizëm është e njëjta gjë.

Ti do mrekullira në kapitalizëm?

Jo, mor mik, s’ka mrekullira në kapitalizëm.

Ti do që të kenë pensionistët para në xhep, rinia punë etj., etj.?

Ti do që shqiptarët mos ikin nga atdheu?

Ne ikim (unë jam një nga të ikurit) se kusarokracia këtu në perëndim (që është e llahtarshme gjithashtu) të lë megjithatë të jetosh dhe pse me kuletën bosh, po jo aq bosh sa në Shqipëri. Po dhe këtu s’ka punë. Ti qahesh se pensionistët s’kanë para. Po, mirë e ke! Po pse këtu, pensionistët kanë para?

Këtu bankat ta marrin shpirtin në mënyrë të legalizuar, shteti s’të lë të bësh gëk, të mbyt me taksa, gjoba etj., etj.

Vetëm se çdo gjë është relative. Problemi është nga nisesh dhe sa mund të bësh si qeveri e majtë në kapitalizëm, kur kusaria ulëret.

Besoj se biem dakord që zanafilla jonë me atë të perëndimit s’është e njëjtë.

Gjithashtu besoj se biem dakord që evropianët në 2013 s’kishim nivelin e jetesës që kishte Shqipëria në 2013, kur Sala u qërua nga qeveria e Shqipërisë.

Pagat, pensionet, ujësjellësit, fuqia elektrike, shkollat, rrugët, konviktet e studentëve, fabrikat etj., etj. nuk dyfishohen dot brenda gjashtë vjetëve qeverisje të së majtës, se thelbi i sistemit kapitalist, mbivlera, ose kusaria e legalizuar, nuk e lejon. Ose duhet të kemi një inxheksion likuiditeti (siç thuhet këtu) pra banka e Shqipërisë të fillojë të shtypë kot më kot kartëmonedha me vlerë, që nuk përkojnë me rezervat tona të arit (të vjedhura nga likja, Sala, Fullani e të tjerë kusarë si këta), ose do të nderim dorën e do të kërkojmë para borxh me PPP-të, siç bëri dikur Greqia, Italia, Jugosllavia e që sot dhe këtë s’të lë kapitali ta bësh kaq lehtshëm (duhet të paguash përqindje të lartë interesi e të lësh sovranitetin në dorë të bankave).

Të futësh tërë politikanët në një thes si kusarë, është avaz i dëgjuar shpesh dhe shumë në modë, ndaj quhet avaz populist, se njerëzit e mërzitur nga mungesa e të ardhmes së fëmijëve të tyre, të duartrokasin me vrull.

Po, siç thashë, ky është avaz i vjetër, o Jorgo.

Të thuash që duhet të përmbysim këtë sistem e të kthehemi në socializmin e Enver Hoxhës, kjo po, që është diçka e re.

Ti flet për kusarokraci e kërkon ta çrrënjosësh kapitalizmin vetem me hedhjen në kosh të politikanëve, pra duke qëndruar këmbëkryq, po në këtë sistem të hurit e të litarit, që quhet kapitalizëm?

Jo, kështu i vijmë vërdallë problemit dhe nuk zgjidhim asgjë, or mik. Një fjalë e urtë korçare thotë: “Të bënin mizat mjaltë, do t’i kishim qypat plot”. Italianët thonë që është e pamundur të kesh njëkohësisht fuçinë (me verë) plot dhe gruan e dehur (la botte piena e la moglie ubriaca). O njëra, o tjetra, o kapitalizëm me kusarë të lirë, o socializëm me kusarët nëpër burgje!

Dhe në Itali 5 yjet shanin të majtët e të djathtët siç po bën ti sot.

Një lumë me të shara e një lumë me premtime, që nuk solli asgjë, se u bars mali e polli një mi.

Duke hedhur në koshin e plehrave djathtas kriminelët Berisha, Meta, Basha, Kryemadhi e & dhe majtas socialistët Edi, Tahiri, Spiropali, Balluku e &, duartrokitesh nga populli, po nuk sjell asgjë të re, se kapitali të fut në grackë duke ta bërë gropën para syve. E di atë fjalën “ndal beg se ka hendek”?

Të kthehemi tek shëmbëlli italian. Si përfundoi sharja 360 gradë, ose majtas – djathtas e Grillos?

Ç’bënë këta të kulluarit e 5 yjeve në pushtet ?

Asgjë, ose më mirë të themi, prishën punë!

Ekonomia bëri prapa kthehu dhe Italia u fut në ngërç, d.mth. rritja e pasurisë kombëtare ngeci në vend, ose vajti në negativitet, populli u fut sërish në borxhe të mëdha.

Si u zgjidh ky ngërç?

Akoma s’është zgjidhur, por ama ra qeveria dhe u bë një qeveri e re, në të cilën të panjollosurit e 5 yjeve u detyruan të bashkëpunonin me socialistët, që deri dje i kishin sharë e i kishin telendisur, sepse zbuluan që bashkëpunimi me të djathtën fashiste të Salvinit qenkësh akoma më i pafrytshëm për varfanjakët italianë (85% e popullsisë).

Pas tërë kësaj eksperience italiane sharjesh në të dy krahët, që e çoi Italinë në qorrsokak, unë mendoj se ne si shqiptarë duhet të nxjerrim një përfundim, ose duhet t’i vënë pikat mbi “i”.

Nuk zgjidhen problemet duke i futur tërë politikanët në një thes, kur ky rend me emrin “Kapitalizëm” është sistemi, që pjell kusarët dhe lë vegjëlinë (në Shqipërinë e varfër mbase përbën 99% të popullsisë) me gisht në gojë. Kot të shkojmë tek Sokrati, kur të tërë ne kemi para syve ujkun! Ujku ulëret e hap nofullat të na përpijë e ju thoni: “prit, të kërkojmë gjurmët, që ka lënë dymijë vjet përpara tek Sokrati”. Është po ai ujk o njerëz, vetëm se sot shtetet e zhvilluar me pasuri të jashtëzakonshme u hedhin ndonjë thërrime të varfërve të tyre, sa për t’u mbyllur gojën, kurse shtete të reja si Shqipëria, pa pasuri tjetër përveç asaj të vënë nga xhaxhi në 40 vjet, s’u hedhin dot thërrime të varfërve të tyre, se kokoshi katandiset pastaj në një thelë, por u lënë dorë të lirë të vjedhin politikanëve të tyre dhe këta u hedhin hi syve popullit më me zell. Përfundimi është po ai, të varfrit mbyllin gojën e u nënshtrohen të pasurve, se s’del asnjë Jorgo t’u bëjë thirrje për kryengritje e për përmbysje sistemi.

Për sa i përket premtimeve, që bënë socialistët për ndryshimin e gjërave, hallet mbesin në pjatë që nga 2013, jo se ata s’duan t’i ndryshojnë, po se gjendja ishte katastrofike në 2013, d.m.th. kishte kaq shumë pisllëqe, sa që koshat e plehrave u mbushën dhe u derdhën duke qelbur tërë shoqërinë tonë kapitaliste shqiptare. Po t’i shtosh kësaj dhe një administratë të korruptuar, të zgjedhur në mënyre partiake e pa meritokraci, kuptohet që kushdo që të vijë në krye, pengohet nga poshtë, ndaj s’mund të bëjë çudira. Mbase në bashkitë e Kamzës, Shkodrës, Lezhës, s’do të vidhet më me të dy duart si më parë, se hajnia e Salës ka thyer qafën, po kjo s’do të thotë se do të ndryshojnë drejtpeshimet klanore brenda vitit, apo dhjetëvjeçarit.

Zgjidhja mor mik është rikapja e pushtetit nga vegjëlia, ose komunistët e rivendosja e socializmit, me tërë të metat e tij, se sado të meta të ketë një shtet social, ai prapë se prapë në thelbin e tij është ndërtuar për të funksionuar në përfitim të atyre që s’kanë asnjë pasuri, përveç duarve e trurit të tyre, d.m.th. shumicës së popullsisë shqiptare dhe jo për t’i shtuar pasuritë kapitalistëve.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: VMRO-DPMNE përpiqet të shfrytëzojë qëndrimin anti-BDI për të mbuluar dështimet e veta

Deklaratat e fundit të Venko Filipçes, ku ai përpiqet të shfrytëzojë narrativën anti-BDI për të …