Imer Xhemail Lladrovci: Ekspozita e ndaluar e Shkëlzen Gashit në Prishtinë

Këto ditë shpërtheu një diskutim i gjerë publik me mllef për një ekspozitë të Shkëlzen Gashit që ishte  hapur me mbështetjen financiare të Kuvendit të Kosovës, partive parlamentare dhe kryetares Haxhiu  në qendër të qytetit të Prishtinës. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani, jo vetëm  që s’mori pjesë në hapjen e ekspozitës, por edhe e kishte refuzuar më parë financimin e saj. Me gjasë, krye parlamentarja ishte zgjedhja e dytë e organizatorëve, shoqatave që kërkuan financimin e aktivitetit të turpshëm. Albulena Haxhiu thotë se të gjitha partitë parlamentare e përkrahen hapjen e ekspozitës, por si duket asnjëra prej tyre s’e mori mundimin për njohjen e fakteve themelore që sillte ajo në publik, sepse gjithë orteku filloi me një rrenë të madhe që kishte të bënte me civilët e armatosur në burg, pra me narrativin dhe me statistikat që e ulën numrin e të vrarëve për disa mijëra. Gabimet në kohë të shkurtër janë të vetëkuptueshme, por këtë herë po shënohet 27 vjetori i bombardimeve te NATO-së mbi Jugosllavinë/ Serbinë dhe Malin e Zi. Nëse Albulena Haxhiu  nuk fshehë këtu ndonjë intrigë a dredhi të vogël partiake, pajtimi mbipartiak nuk do të thotë asgjë, sepse janë po këto parti parlamentare që po e çojnë  vendin në zgjedhje të reja, të tretat brenda pothuajse një viti. Parti të tilla që luajnë me disponimin e publikut s‘e kanë për gjë ta përçmojnë zgjedhësin e tyre në këtë  farë feje.  Duhet të theksojmë këtu  faktin se ekspozita u hap pas botimit të librit të Shkëlzen Gashit me të njëjtin titull: „Masakrat në  Kosovë 1998-1999“.  Pak a shumë njëjtat gjëra i gjen edhe në libër. Arkitektura e argumenteve duhet të jetë e njëjta.,

Ekspozita tanimë me një vendim administrativ të krye bashkiakut Përparim Rama u ndalua, u mbyll, por jo dhe faqet e librit në disa gjuhë, sepse në ekspozitë nuk thuhet pothuajse asgjë  që s’është thënë edhe në libër, natyrisht këtu në ekspozitë përdoret  një stil tjetër. Është konstatuar publikisht   se kjo ekspozitë kishte mangësi të mëdha faktike dhe etike. Këto të fundit i dhanë ngjarjes një dimension skandali. Shkëlzen Gashi arsyetohet se ai  i referohet studimeve   të Natasha Kandiqit (Natasha Kandiç) për krimet në Kosovë, ndonëse ai e dinte që në studimet e saj  nuk pasqyrohej krejt e vërteta e këtyre vrasjeve të shumta.  Djallëzia e tij është  e qartë. Me sa duket, ai ka gjykuar që kështu të  shkundë, para të gjithëve  shqiptarët dhe serbët, duke u pëshpëritur atyre në vesh se e vërteta nuk është vetëm kjo që thuhet.

Shkëlzen Gashi e përdhos kujtimin e të vrarëve me vetëdije të plotë. Ai e provoi kryengritjen dhe dështoi, por asgjë nuk bëri rastësisht. Nuk e di a ka shpifur vetë apo i ka përsëritur shpifjet e të tjerëve, por si studiues është dashur ta nuhas këtë rrezik moral.

Natasha Kandiqi përmes intervistash  menjëherë është distancuar nga pohimet e autorit të ekspozitës, por ende jo nga libri i tij, i cili i transporton në publik këto fakte në tri gjuhë: në shqip për shqiptarët, në serbisht për serbët dhe në anglisht për botën. Megjithatë, edhe këtë duhet  thënë:  studiuesi Shkëlzen Gashi nuk ka qenë i shtrënguar nga asnjë instancë shtetërore t‘i referohet të tjerëve që nuk kanë njohje të drejtpërdrejtë të fakteve si vendësit.  Si studiues, ai vetë duhej ta hulumtonte të vërtetën.

Ekspozita ka shkaktuar  një reagim publik të fuqishëm mes shqiptarëve. Njëri e quante autorin „qen i keq që ta sjellë ujkun në torishtë“. Është fakt se me këtë ekspozitë të financuar nga shteti i Kosovës, është kryer një sakrilegj i madh, por është gjithashtu fakt se institucionet që e kanë „dëshmuar“ krimin e luftës në Kosovë nuk ndodhet brenda saj. Shteti i Kosovës është sjellë ndaj krimit dhe luftës sikur ajo të kishte ngjarë diku tjetër, larg dhe jo këtu. Edhe kjo s’ka ngjarë rastësisht, sepse në politikë  siç ka thënë me një rast presidenti amerikan Franklin D. Ruzvelt ( Roosevelt) nuk ndodhë kurrë asgjë rastësisht. Me sa duket, dikush ka qenë i interesuar të jetë kështu.

  Unë s‘jam aspak përkrahës i Shkëlzen Gashit për arsyet që shpërfaqen në këtë tekst, por ai solli në hapësirën publike diçka që na ka munguar ose që ka qenë publike gjatë në një trajtë të deformuar. Në këtë vend për luftëtarët  e lirisë dhe viktimat mund të flitet, por kryesisht vetëm keq. Në këtë situatë, them është  më mirë  që ke një qenë të keq se të mos pasurit kurrfarë lloji të qenit kur ujku i uritur sillet rrotull në kërkim të gjësë së gjallë.

Shkëlzen Gashi ka shkruar për librin e filozofit amerikan Noam Çomski ( Noam Chomsky) „Humazmii i ri ushtarak: mësimet nga Kosova“ ( The New Military Humanism: Lessons from Kosovo) para më tepër se 20 vjetësh në gazetën „Koha Ditore“.  Them ka shkruar se në të vërtetë ka dezinformuar publikun lexues për një vepër dhe autor që edhe  ai s‘e njihte. Çomski mbante  anën serbe. Qëndrimi i tij etik është skandaloz. Në këtë libër Çomski paraqitet në dukje si kritik, por në fakt tërthorazi përkrah Millosheviqit. Shkëlzen Gashi edhe atëherë na e paraqiste  këtë përbindësh si një model të filozofit që reflektonte për të gjitha dhe vinte në përfundim se Millosheviqi ishte  ndëshkuar  padrejtësisht, kurse një filozof tjetër, Jürgen Habermasi (Habermas) , intervenimin e kritikon për disa gjëra, por në fund e sheh si një reagim të përgjegjshëm etik.

 2 .

Po i marrë në shqyrtim për ilustrim vetëm disa masakra që janë më tipike dhe  që kanë ngjarë në të dy vitet e luftës, në vitin 1998 dhe në vitin 1999. Këtë gjë e bëjmë për të vëne në pah disa mungesa, shqyrtimin e të cilave ka mundur ta bëjë Shkëlzen Gashi  dhe t’i sigurojë vetes një qasje origjinale ndaj krimit dhe bashkë me të edhe një njohje të përgjithshme për kontribut pozitiv  në hulumtimin e rrugëve të pajtimit mes serbeve dhe shqiptarëve. Gjërat e pakëndshme që kanë  ndodhur nuk mund t‘i zhbëjmë, por ajo që mund të bëjmë është trajtimi i tyre me korrektësi  dhe sinqeritet.

Lufta e Jasharëve s’ka qenë shumë e vështirë për hetim si masakrat e tjera të mëvonshme? Fisi Jashari tashmë ka anëtarë të rinj të tij që kanë moshë gati 30 vjeçare. Ata, në ndërkohë, kanë mësuar nga pjesëtarët e familjeve të tyre që kanë mbetur gjallë shumë gjëra që s‘i di publiku i gjerë. Ka edhe të tjerë që ishin ende foshnja apo fëmijë, edhe pse jo shumë se një pjesë u vra gjatë qëndresës. Jasharët e tjerë, jashtë familjes së Shaban Jasharit, në momentin që u sulmuan u mbrojtën si mundën dhe ditën, luftuan si shqiptar se formë tjetër ekzistence s‘u la armiku i tyre serb. Ende për këtë masakër nuk ekziston një hulumtim i mirëfilltë.

Një masakër tjetër e madhe është Masakra e Mejës. Askund tjetër në Kosovë s‘u vranë kaq shumë shqiptarë në të njëjtin vend. Në ekspozitë thuhet se mes civilëve pati edhe njerëz qe dikur i kishin takuar UÇK-së. Njohësit e rrethanave s‘e mohojnë këtë fakt, por ata thonë se ata ishin civilë të paarmatosur si të tjerët. Masakrimi i shqiptarëve ne Mejë s‘kishte arsye të  tjera veç faktit se ata njerëz ishin shqiptarë.

Me bombardimin e Burgut të Dubravës ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte as ne luftë, sepse ekzistojnë konventa ndërkombëtare që i mbrojnë civilët, aq më tepër kur ata janë dhe të burgosur. Autorët e ekspozitës përveç statistikës së gabuar farkuan edhe  një term kontrovers: civilët e armatosur. Kjo ngjarje s‘është ndriçuar fare, saqë ndonjëherë të shkon mendja se vrasja në këtë mjedis ishte si një  ndëshkim i dëshiruar.

3

Nga një ekspozitë për luftën, njerëzit presin qartësinë që u mungonte dikur. Por, edhe pas 27 vjetësh nga intervenimi i NATO-së, shumë gjëra kane mbetur të mjegulluara si edhe më parë. Që e keqja  të jetë më e madhe, ata që duhet të sjellin qartësi, shkaktojnë rrëmujë me dezinformimin e tyre. Nuk është prekur vetëm narrativë, por edhe statistika e luftës, ndaj dhe mllefi është jashtëzakonisht i madh.

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani

Milaim Sylejmani: LUFTA PAS LUFTËS

Kur historia e Kosovës rishkruhet me “bojën” e propagandës serbe Në historinë e popujve që …