KEK
Fillimi / Botimet / Instituti i Historisë botoi librin, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1944-1948, Vëllimi I, përgatitur nga Sabit Syla dhe Qerim Lita
Instituti i Historisë botoi librin, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1944-1948, Vëllimi I, përgatitur nga Sabit Syla dhe Qerim Lita

Instituti i Historisë botoi librin, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1944-1948, Vëllimi I, përgatitur nga Sabit Syla dhe Qerim Lita

Instituti i Historisë botoi librin, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1944-1948, Vëllimi I, përgatitur nga Sabit Syla dhe Qerim Lita

 

Në këtë vëllim të kësaj përmbledhjeje janë përfshi dokumente me rëndësi të dorës së parë, që përfshijnë harkun kohor tetor 1944 – qershor 1948. Pjesa më e madhe e dokumenteve janë të fushës diplomatike e partiake, por nuk mungojnë as ato të fushës ushtarake, kulturore dhe ekonomike. Thuajse të gjitha dokumentet botohen për herë të parë të cilat janë përzgjedhur nga koleksioni i materialeve arkivore, kryesisht nga Arkivi i Jugosllavisë në Beograd, fondi Komiteti Qendror i Partisë (Lidhjes) Komuniste të Jugosllavisë, materiale këto të hulumtuara në kuadër të projektit “Historia e Kosovës”.

Në vitet 1944-1948, ndërmjet udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave u vendosen marrëdhënie të ngushta dhe miqësore bashkëpunimi. U nënshkruan Traktate e një sërë marrëveshjesh të karakterit ekonomik, politik e kulturor ndërmjet dy vendeve, si: “Traktati mbi Aleancën dhe Ndihmën Reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”, i nënshkruar më 20 shkurt 1945. Më 1 korrik 1946 “Traktati mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Më 9 korrik 1946, “Traktat Miqësie dhe Ndihmë Reciproke”. Më 26 nëntor 1946, “Traktati mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimit doganor e unifikimit valutor”. Edhe çështja e inkuadrimit (aneksimit) të Shqipërisë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave, mori përmasa të hapura.

Në Tiranë, “miqësia” midis udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave, përbënte “një rëndësi jetësore”. Kudo ndihej fushata e popullarizimit të Jugosllavisë dhe udhëheqjes së saj. U riaktivizua Shoqata për Bashkëpunim Kulturor “Shqipëri-Jugosllavi”. Në mbarë vendin  lartësohej politika “vëllazërore” e popujve jugosllavë, si dhe personaliteti i Titos. Kësaj fushate iu bashkëngjit edhe Sektori i Agjitacionit dhe Propagandës (Agjitpropit) pranë KQ PKSH-së, si dhe shtypi. Paralelisht me këtë fushatë, Shqipëria u vërshua nga të ashtuquajtur “specialistë” jugosllavë të fushave të ndryshëm, si ushtarake e të sigurisë, ndërtimtarisë, ekonomisë, agronomisë, kulturës, arsimit etj., numri i të cilëve shkonte mbi 600. Pjesa më e madhe e tyre mbanin poste të larta qeveritare, si ndihmësministra apo këshilltarë të lartë pranë ministrive përkatëse të Qeverisë së atëhershme shqiptare.

Në Shqipëri u vendosen edhe misionet aleate. Misioni i parë ushtarak i pasluftës që u vendos në Shqipëri, ishte ai anglez, më 21 mars 1945. Atë e udhëhiqte gjenerali i brigadës Hodgson, nën udhëheqjen e të cilit ishin gjithsej 38 oficerë e nënoficerë. Gjatë muajit maj u vendos edhe ekipi diplomatik i SHBA-së, në krye me G. Jakobs, ndërsa në korrik u vendos  Misioni Ushtarak Sovjetik në krye me kolonel Sokollov. Shqipëria përkeqësoi marrëdhëniet me aleatët perëndimorë anglo-amerikanë. Ata nuk e njohën Qeverinë Shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha. Qeveria amerikane e tërhoqi nga Shqipëria misionin e vet diplomatik. Ndërkohë, më datë 5 mars 1946 edhe Misioni Ushtarak Britanik e lëshoi Shqipërinë.

Në fillim të vitit 1948 përpjekjet e udhëheqjes jugosllave për të shpejtuar procesin e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë u bënë shumë intensive. Kjo shihet nga letrat, raportet, informatat, depeshat e shumta nga të deleguarit partiakë e shtetërorë jugosllavë në Tiranë, Savo Zllatiq dhe Josip Gjergja, por edhe nga korrespodenca e drejtpërdrejtë e Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes me Josip Broz Titon dhe me Aleksandër Rankoviqin. Jugosllavët amplifikuan rrezikun grek për Shqipërinë dhe për këtë ata kërkuan dhe morën miratimin e palës shqiptare për të futur në Shqipëri një divizion ushtarak jugosllav. Megjithatë, ky plan nuk u realizua dhe marrëdhëniet ndërshtetërore nga qershori i vitit 1948 u përkeqësuan dhe më vonë u ndërprenë edhe marrëdhëniet diplomatike.

 

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: ROMANI “DORA E PAJTIMIT” I AUTORIT SHEFKI PËRVETICA

Zymer Mehani: ROMANI “DORA E PAJTIMIT” I AUTORIT SHEFKI PËRVETICA

(Me rastin e 31-vjetorit të pajtimit të gjaqeve tek Verrat e Llukës, më 1 maj ...