Biondinë Fazliu: “Babi im, Komandant Luani, jeton në kujtesën dhe krenarinë tonë”
Radio Kosova e Lirë: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuara Biondinë Fazliu, bijë krenare e Dëshmorit të Kombit, Asllan Fazliu. Është nder dhe kënaqësi që sot ju kemi në këtë bisedë përkujtimore ndaj veprës së babait tuaj.
Biondinë Asllan Fazliu: Faleminderit shumë për ftesën. Është nder dhe privilegj për mua të jem në këtë radio që bëri jehonë në kohët më të vështira, duke qenë zëri i lirisë dhe i të vërtetës.
Babi, qysh si i ri, ishte në ballë të demonstratave kundër cenimit të lirisë e të drejtave tona si popull. Ai që atëherë ia kishte kushtuar jetën idealit të lirisë. Ka qenë i burgosur bashkë me xhaxhain, Milazimin, nën pretekstin që t’i dorëzonin armët. Pas torturave të shumta nga policia serbe, ata nuk u dorëzuan kurrë.
Kur babait i humbi durimi, ai u përball me policët, i rrahu dhe u largua nga stacioni, duke mos iu përgjigjur më urdhrave të tyre.
Kur nisi lufta, babi dhe xhaxhallarët tanë, por edhe e gjithë familja, ishin të përgatitur: e dinin se liria kërkon gjak. Babi ishte komandant; nofkën “Luan” ia kishte dhënë komandanti Ilaz Kodra.
Mori pjesë në aksione të mëdha, si ajo e Gradinës, ku ranë dëshmorët Fehmi e Xhevë Lladrovci me bashkëluftëtarë të tjerë. Babi ishte mes tyre, e më pas vazhdoi rrugën e tyre për liri.
Shtëpia jonë ishte shndërruar në bazë të UÇK-së, ku merren vendime të rëndësishme, ku ushtarët gjenin strehë dhe ku festoheshin fitoret e betejave.
Ai qëndroi në vijën e parë të frontit deri më 23 mars 1999, ditën kur ra heroikisht në altarin e lirisë.
Babi ishte i vendosur: citoj fjalët e tij: “As nuk kam babë, as nanë, as grua e as fëmijë, pos Zotit dhe kësaj pushke.” Që nga ai moment, ai e kishte flijuar çdo gjë për lirinë e Kosovës, për t’i dhënë fund gjenocidit dhe robërisë.
Radio Kosova e Lirë: Për dëgjuesit tanë, cilat janë disa nga virtytet, kujtimet apo veprimtaritë që më së shumti e përfaqësojnë figurën e babait tuaj, Dëshmorit Asllan Fazliu?
Biondinë Asllan Fazliu: Babi kujtohet si një njeri me zemër të madhe, i drejtë, i fjalës dhe i besës. Ishte shok i mirë, i guximshëm dhe i vendosur në çdo hap.
Shpesh bashkëluftëtarët më thonë: “E din çfarë babi të mirë ke pasur?” dhe për mua nuk ka ndjenjë më të bukur se kjo. Imazhin e tij e kam ndërtuar edhe nga rrëfimet e shokëve që tregojnë momente e virtyte të tij.
Pas kaq vitesh, më duket sikur ai është më i gjallë se ne, sepse kujtimi i tij rron në çdo zemër që e njeh historinë e vërtetë të lirisë.
Radio Kosova e Lirë: Ku ndodheni sot ju, fëmijët e Dëshmorit Asllan Fazliu? Si po ecni në jetë dhe si ju ka frymëzuar figura e babait?
Biondinë Asllan Fazliu: Jemi katër fëmijë: Liria, Qëndresa, Liridoni dhe unë, Biondina, më e vogla. Secili prej nesh është i angazhuar në fusha të ndryshme. Figura e babit është frymëzimi ynë më i madh.
Historia e tij është shembull se si duhet ta duam atdheun dhe të punojmë për të mirën e tij çdo ditë.
Emri i babit është nder, por edhe përgjegjësi. Të jesh fëmijë i Komandant Luanit do të thotë të përfaqësosh vlerat për të cilat ai ra.
Radio Kosova e Lirë: Si e vlerësoni trajtimin që kanë marrë familjet e dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?
Biondinë Asllan Fazliu: Fatkeqësisht, ende ka shumë për t’u bërë për kategoritë që dolën nga lufta. Ndihma më e madhe për ne do të ishte që shteti të ecë përpara, që sakrifica e dëshmorëve të mos harrohet dhe të mos lejohet kurrë të shkelet mbi gjakun e tyre.
Radio Kosova e Lirë: Cila ka qenë përkrahja që keni marrë nga shoqëria dhe institucionet? A ndieni se kujtimi ndaj dëshmorëve po jeton në çdo brez?
Biondinë Asllan Fazliu: Përveç statusit si familje dëshmori, nuk kemi pasur ndihma të tjera të veçanta. Për ne, më e rëndësishme se çdo gjë është që veprimtaria e babit të jetojë në kujtesën e popullit.
Në nder të tij dhe të xhaxhallarëve Milazim e Mehdi Fazliu janë bërë këngë, dokumentarë dhe lapidari ku janë të skalitur portretet e tyre.
Shtëpia jonë, që dikur ishte bazë e UÇK-së, sot është pjesë e historisë sonë.
Tashmë në qytetin tonë është ngritur edhe shtatorja e babit. Sa herë kalojmë aty, ndjejmë sikur ai na ruan ende. Është një kujtesë e përhershme se liria është e shenjtë dhe gjaku i dëshmorëve nuk falet.
Radio Kosova e Lirë: Dëshmorët ranë bashkë për një qëllim të shenjtë, lirinë. Por sot, shpesh, për interesa personale, shohim përpjekje për t’i politizuar figurat e tyre. Si e ndjeni këtë si familje dëshmori?
Biondinë Asllan Fazliu: Mendoj se kjo është shumë e padrejtë. Të gjithë ata që kanë qenë në front e kanë ditur se gjasat për t’u kthyer në shtëpi janë të vogla.
Prandaj, kushdo që ka kontribuar në çfarëdo forme duhet të vlerësohet.
Kurrsesi nuk duhet t’i fusim në përçarje apo përfitime politike figurat që janë shenjta për kombin tonë. Sepse ajo do të ishte plagë e re mbi plagën e vjetër të popullit.
Radio Kosova e Lirë: A ruani ndonjë relikte apo kujtim personal nga babai juaj? Si ruhen ato sot?
Biondinë Asllan Fazliu: Po, kemi disa kujtime shumë të shtrenjta. Një ndër to është ditari i babit, ku ai ka shënuar ngjarje të luftës dhe aksioneve që zhvillonte.
Kemi dylbitë që dikur i kishte Komandanti Fehmi Lladrovci, pastaj babi, e tani ruhen si dëshmi e gjallë e luftës.
Një detaj shumë prekës, që e ndaj për herë të parë, është një letër që babi e kishte shkruar gjatë luftimeve, mes plumbave, ku kishte shënuar emrat tanë, fëmijëve, dhe ditëlindjet tona.
Ajo letër u lexua pas luftës, në liri. Aty kuptuam se ai, edhe mes luftës, nuk na kishte harruar kurrë. Ai e dinte që ne do të rriteshim të lirë, sepse ai dhe shokët e tij po e bënin të mundur këtë.
Radio Kosova e Lirë: A mendoni se si shoqëri po bëjmë mjaft për të çuar në vend amanetin e dëshmorëve?
Biondinë Asllan Fazliu: Gjithmonë ka vend për më mirë. Duhet të ketë më shumë respekt, kujdes dhe përkushtim ndaj familjeve të dëshmorëve.
Vetëm me vepra të mira dhe me vlerësim të sinqertë mund ta kthejmë dhimbjen në krenari, ashtu siç e meritojnë ata që dhanë gjithçka për ne.
Radio Kosova e Lirë: E nderuar Biondinë Fazliu, ju falënderojmë përzemërsisht për këtë bisedë plot emocione dhe përkushtim.
Ju urojmë shëndet, forcë dhe suksese në çdo hap, në nderim të babait tuaj dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Biondinë Asllan Fazliu: Faleminderit shumë për ftesën. Ishte kënaqësi për mua.
Ju uroj suksese dhe punë të mbarë, e vazhdoni të jeni zëri i lirisë, duke mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka që ne sot të flasim shqip e të ecim të lirë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
