Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të presidentes Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar nga ajo një sqarim publik rreth pretendimeve për një agresion të mundshëm serb, që sipas saj ishte parandaluar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Mustafa ka thënë se nëse Osmani vërtet ka qenë e informuar për një rrezik të tillë, ajo është dashur të qëndronte në Kosovë dhe të thërriste Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e jo të udhëtonte jashtë vendit. “Presidentja, si komandante supreme, kur ka informacione për rreziqe ndaj sigurisë së vendit, duhet të qëndrojë në shtetin e saj, jo të jetë jashtë vendit. Në këtë rast, ose nuk ka pasur informacion të tillë, ose nuk e ka marrë seriozisht detyrën,” tha Mustafa. Ai shtoi se Osmani ka qëndruar më shumë në udhëtime zyrtare jashtë vendit sesa në Kosovë në kohët e fundit, duke ngritur dyshime mbi koherencën dhe seriozitetin e saj institucional.
