Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke folur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pak ditë më parë, e shpalli të jashtëligjshëm Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë, ka saktësuar se LDK-ja qysh në fillim kishte deklaruar se ky veprim shkel Kushtetutën e Kosovës. “Gjykata Kushtetuese foli. Shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun. Shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut. Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe Vetëvendosja, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun. Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD. Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria. Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN”, ka shkruar Mustafa.
