KEK
Fillimi / Opinione / Isa Xhemajlaj: Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit do të ndikojë negativisht në Raportin e Progresit dhe liberalizimin e vizave
Isa Xhemajlaj: Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit do të ndikojë negativisht në Raportin e Progresit dhe liberalizimin e vizave

Isa Xhemajlaj: Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit do të ndikojë negativisht në Raportin e Progresit dhe liberalizimin e vizave

Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit, vendim i pa matur i Qeverisë që do të ndikojë negativisht në Raportin e Progresit dhe liberalizimin e Vizave. Më 26 shkurt të vitit 2010, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj, ta themelojë këtë Departament Special Antikorrupsion, me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptive.
Qeveria e Kosovës në agjendën e takimit të radhës së Qeverisë të datës 19 tetor 2020, në pikën gjashtë (6) të rendit të ditës ka përcaktuar “Shqyrtimin e propozim vendimit për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/110 të datës 26 shkurt 2010”, i cili vendim kishte themeluar task forcën anti-korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës për këtë qëllim kishte marr përsipër përzgjedhjen dhe rekrutimin e 30 oficerëve hetues të Policisë së Kosovës, të cilët do të angazhohen drejtpërdrejtë në hetimin e rasteve, të cilat do të hetoheshin nga Departamenti Special Anti Korrupsion i PSRK-së.
Funksionalizimi i Departamentit Special Anti-Korrupsion, që në publik njihet si Task Forca Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, vepron si njësi e specializuar në kuadër të Departamentit të Hetimeve dhe mbikëqyret nga PSRK.
Me qëllim të funksionalizimit të kësaj Task Force, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të tyre, kanë trajnuar dhe specializuar pothuajse të 30 zyrtarë policorë që shërbejnë në këtë mekanizëm, me qëllim që ata të jenë në gjendje të hetojnë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimeve financiare si dhe të shërbejnë si mjet efikas i PSRK-së në hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë.
Për më tepër lidhur me punën e kësaj Task Force për çdo vit, Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian, ka kërkuar që të promovohet puna e kësaj Task Force, duke përfshirë kërkesën që kjo Task Forcë të specializohet edhe më tutje për të ushtruar mandatin e saj në shërbim të PSRK-së. Vendimi i Qeverisë së Kosovës po ashtu bie në kundërshtim edhe me vet procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, i cili proces ka bërë vlerësimin e detajuar të punës së kësaj Task Force, duke ofruar edhe rekomandime konkrete për të përmirësuar integritetin dhe performancën e kësaj task Force, por në asnjë rrethanë shuarjen dhe shpërbërjen e saj.
Në kuadër të dokumenteve të politikave, të nxjerra gjatë procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, dokumenti që trajton këtë task-forcë është dokumenti “Përmirësimi i Kornizës Institucionale për Luftimin e Korrupsionit”. Për këtë task forcë, kalimthi flitet edhe në dokumentin “Integriteti i Policisë së Kosovës”.
Nevojën e kësaj task force në asnjë rast nuk e konteston asnjëri prej dokumenteve të Rishikimit Funksional, por se në raport me këtë task-forcë, si probleme specifike dokumenti i politikave i nxjerrë në kuadër të Rishikimit Funksional identifikon mungesën e dispozitave procedurale për kryerjen e hetimeve të përbashkëta nga PSRK dhe DSAK apo task-forca. Po ashtu, sipas dokumentit të Rishikimit Funksional, problem specifik identifikohet edhe paqartësia nëse ekziston ndonjë mekanizëm koordinues dhe bashkëpunues në mes të DSAK dhe Zyrave të Prokurorive Themelore. Përballë këtyre dy (2) problemeve specifike, dokumenti i Rishikimit Funksional rekomandon përmirësimin e punës së DSAK apo task-forcës në fjalë.
Në këtë drejtim, tendenca e Qeverisë së Kosovës për të shuar institucione që veprojnë për më shumë se 10 vite në luftën kundër korrupsionit, pa analizë dhe konsultim pubik më akterët kompetent në Kosovë, shihet si hakmarrje e Qeverisë për hetimet e kryera nga kjo Task Forcë ndaj një numri të madh të anëtarëve të partive politike që kanë pozita udhëheqëse, raste të cilat kryesisht kanë dështuar në organet e ndjekjes.
Ky propozim vendim për shuarjen e Task Forcës, bie në kundërshtim me procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, hedhë poshtë të gjitha investimet e bëra nga partnerët ndërkombëtarë në profilizimin e hetuesve në luftën kundër korrrupsionit. Në të gjitha Raportet e Progresit për Kosovën pikë e dobët përmendet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të shuhet pikërisht ky Departament Kundër Korrupsionit dhe në të njëjtën kohë të pritet liberalizimi i vizave për Kosovën është më shumë se naive.

Kontrolloni gjithashtu

Rrjeti i Grave të Kosovës

RrGK kërkon përgjegjësi institucionale për rastin e incestit në Mitrovicë

Të premten që lamë pas, në emisionin “Udhëve” të RTK-së, u bë publik rasti i së miturës ...