Ish-këshilltari i Wesley Clark, John Duncan dëshmon në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit

Në Gjykatën speciale në Hagë ka nisur dëshminë e tij John Duncan, diplomati britanik dhe ish-këshilltar i ngushtë i Komandantit të Forcave të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, gjatë viteve vendimtare 1998–2001. Duncan, i cili për tri vite ka qenë pjesë e strukturave më të larta të vendimmarrjes ndërkombëtare mbi Kosovën, u paraqit sot si dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi. Përveç angazhimit të tij në NATO, Duncan ka një karrierë të gjerë diplomatike, duke shërbyer në misione të rëndësishme në Sudan dhe Francë. Autoriteti dhe përvoja e tij në fushën e sigurisë dhe diplomacisë i japin një peshë të veçantë dëshmisë së tij, në vijim të dëshmive të personaliteteve të tjera ndërkombëtare si James Rubin, ish-zëdhënës i Madeleine Albright, dhe Paul Williams, ish-këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Seancat e kësaj jave do të vazhdojnë deri të mërkurën, për t’u rifilluar të hënën e ardhshme me dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes. Procesi po vlerësohet si një moment kyç në ndriçimin e së vërtetës historike rreth luftës çlirimtare të UÇK-së dhe rolit të saj vendimtar në lirinë e Kosovës. Dëshmia e Duncan pritet të forcojë më tej argumentet e mbrojtjes, duke theksuar legjitimitetin dhe karakterin çlirimtar të veprimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës po paralajmërojnë grevë

Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar grevë nëse deri në fund të shkurtit …