valamobile
akp deri me 27 shkurt
mbpzhr 2018
Fillimi / Personalitete / Ismail Qemali 1844-1919

Ismail Qemali 1844-1919

  Ismail Qemali u lind në Vlorë në një familje të pasur dhe autoritative,  më 16 janar të vitit 1844. Ka vdekur  në Itali më 24 janar të vitit 1919.
 Ishte udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetar i parë i Shqipërisë së pavarur. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin “Zosimea” në Janinë, më 1859 u vendos me familjen e tij në Stamboll, ku u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Në Perandorinë Osmane pati funksione të rëndësishme administrative dhe u shqua shumë shpejt si personalitet me pikëpamje liberale.
       Postet e tij i përdori jo vetëm për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare të bashkatdhetarëve, par edhe për të lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë të popujve të shtypur të perandorisë duke luftuar kundër obskurantizmit e dallimit racor dhe duke përkrahur përhapjen e kulturës e të dijeve shkencore. Kërkesat e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave demokratike e çuan në konflikt me rrethet konservatore të Stambollit. U dënua nga Porta e Lartë me internim, të cilin e vuajti për 7 vjet. Në maj të 1900, për t’u shpëtuar ndjekjeve të Sulltanit, u arratis nga Stambolli dhe qëndroi në vise të ndryshme të Evropës, ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.   Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në përgjithësi përputhej me atë të ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin e autonomisë. Në këtë etapë të veprimtarisë së tij ai mendonte të vazhdohej rruga reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart, i shqetësuar se mos kryengritjet i jepnin shkas ndërhyrjes së huaj.   Mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj që ishte për njohjen e të drejtave të kombeve të Perandorisë dhe u hodh kundër xhonturqve kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Në dhjetor të 1908, me gjithë luftën që i bënë autoritetet xhonturke, u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman ku, së bashku me grupin e deputetëve patriotë, mbrojti interesat e kombit shqiptar. Në këtë kohë ai kaloi në pozitat më të përparuara duke e konsideruar kryengritjen e armatosur si mjet për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë.
U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912.   Së bashku nie L. Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë ku u takua me personalitete politike austro-hungareze dhe me përfaqësues diplomatikë të Fuqive për të shtruar e mbrojtur çështjen shqiptare duke pasur parasysh kontradiktat që ekzistonin midis fuqive. Ai për çlirimin e plotë të vendit. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar që do të mblidhej për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. U kthye me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë kombëtare u tregua i prirur për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit, i vëmendshëm kundrejt politikës së Fuqive për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej në dobi të atdheut, por i papajtueshëm me çdo cenim nga ana e tyre të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar, i lirë nga paragjykimet kundrejt fqinjëve me të cilët kërkonte të kishte marrëdhënie miqësore, por edhe kundërshtar i rreptë i synimit të tyre për të copëtuar Shqipërinë.   Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Në të gjitha këto veprime Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës. Me politikën e tij ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare çifligare si edhe të imperialistëve, të cilët e rrëzuan qeverinë kombëtare të kryesuar prej tij në janar 1914. Vitet e fundit të jetës së tij të kaluara në mërgim Ismail Qemali i përdori në dobi të çështjes shqiptare. (Albania)  
 Dr. Kaliopi Naska: Veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit pas dorëheqje së Qeverisë së tij, në vitet 1914-1919  
          Ismail Qemali është nga ato figura të shquara, që të nxisin për hulumtime e studime të reja të vazhdueshme jo vetëm në momentet më kulmore të veprimtarisë së tyre. Në këtë kontekst vlen të hedhim dritë edhe në veprimtarinë e këtij patrioti, diplomati e politikani të urtë të kombit shqiptar edhe në vitet e fundit të jetës së tij .Në ditët e fundit të qeverisjes së tij ai vendosi kontakte me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit dhe u prir nga parimi që Komisioni të mos lejohej të pengonte veprimtarinë e ligjshme të Qeverisë së Përkohshme duke i vënë vetes detyra të ndikonte pranë përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e drejtë  të çështjes shqiptare dhe të caktimit të delegatit shqiptar në KNK, administrimit të Shkodrës dhe marrëdhënieve të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës me Fuqitë e Mëdha. Ismail Qemali me gjithë rezistencën këmbëngulëse që zhvilloi për sigurimin e sovranitetit kombëtar shqiptar i ndodhur midis dy zjarreve nga njëra ana të Fuqive të Mëdha dhe nga ana tjetër të reaksionit të brendshëm dha dorëheqjen më 22 janar 1914 i detyruar jashtë vullnetit të popullit të tij. Ai u detyrua të largohej nga drejtimi i qeverisë shqiptare, në një kohë kur Shqipëria ndodhej në një situatë kritike dhe kishtë nevojë të madhe për një udhëheqie të aftë kombëtare, për të përballuar bllokun armiqësor të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive fqinje, me të cilat ishte bashkuar edhe reaksioni i brendshëm.Në këto rrethana Ismail Qemali e la Shqipërinë dhe më 24 janar u largua dhe u vendos  me familjen e tij në Nicë të Francës, nga ku vazhdoi veprimtarinë e tij politike dhe luftën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të vendit dhe të popullit të tij.
       Megjithëse plak dhe shumë i lodhur » siç iu shpreh ai mikut të tij  Obrej Herbertit, plaku 70 vjeçar nuk ndenji një vëzhgues  pasiv i fateve të vendit, por shumë shpejt  me mëndjen dhe zemrën tek Shqipëria, u kthye përsëri në Vlorë nga fundi i majit të vitit 1914, dhe u trondit mjaft kur morri vesh nëshkrimin e protokollit të Korfuzit, i cili cënonte në mënyrë të hapur sovranitetin e shtetit shqiptar dhe qe në kundërshtim me statusin organik të Shqipërisë të miratuar nga vetë Fuqitë e Mëdha.Për këtë problem ai u takua edhe me Princ Vidin por u zhgënjye nga paaftësia e tij. Mbretërimin e shkurtër të Vilhelm Vidit, Ismail Qemali do ta quante në kujtimet e tij, si një mbretërim që ishte më i pasur në episodet groteske sesa në përpjekje reale për t’ë riorganizuar një shtet në lindje e sipër, që nxorri në shesh kujdesin e pakët që treguan Fuqitë në çështjen e zgjidhjes së sovranitetit. Gjatë qëndrimit në Vlorë Ismail Qemali kundërshtoi me force faktin, që Greqia vazhdonte të mbante të pushtuara territoret shqiptare të Jugut. Për këtë qëllim ai mori pjesë edhe në  krijimin e Komitetit të Shpëtimit Publik që u krijua nga 32 delegatë, përfaqësues të 13 qyteteve të Shqipërisë së Jugut dhe kryetar zgjodhën Ismail Qemalin. Në emër të komisionit ai kërkoi nga Princi dhe KNK, që të ndimoheshin muhaxhirët fatkeq, fëmijët e të cilëve do vdisnin nga dita në ditë. Për këtë hartoi një thirrje dhe një telegram të cilat ia dërgoi shteteve të Europës.
I bindur se as KNK dhe as Princi nuk qenë të prirur të ndihmonin muhaxhirët që vuanin në ullishtet e Vlorës u largua nga Shqipëria për në Romë, me mendimin që të merrte kontakt direkt me përfaqësues të Fuqive të Mëdha. Ndërmarrja e këtyre veprimeve u nxitën akoma më shumë, sidomos nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, ku ushtritë e shteteve ndërluftuese dhe monarkive fqinje kishin pushtuar pjesë-pjesë territoret e shtetit shqiptar e po shndërronin vendin në shesh lufte duke synuar zhdukjen e Shqipërisë si shtet të pavarur. Në këto kushte ku lëvizja kombëtare synonte të mbronte pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Ismail Qemali u përpoq të zhvillonte një veprimtari politike dhe diplomatike në mbrojtje të të drejtave kombëtare të popullit shqiptar. Për njohjen e këtyre të drejtave në arenën ndërkombëtare, ai dha një sëre intervistash dhe deklaratash në shtypin e Europës Perëndimore sidomos në Itali, Francë, Austri dhe në gazetat e emigracionit shqiptar të Amerikës. Krahas tyre ai zhvilloi disa takime diplomatike me përfaqësues të Fuqive të Mëdha. Në kushtet e krijuara nga Lufta e Parë Botërore, për t’i bërë ballë copëtimit të huaj të Shqipërisë, ai e shikonte urgjente krijimin e një qeverie kombëtare, e cila bëhej më imperative kur e ashtuquajtura qeveri në mergrim e kryesuar nga Esat Pashë Toptani e quante veten qeveri e ligjshme dhe aleate të Fuqive të Antantës.
         Ai e kishte të qartë tashmë se lufta që zhvillonin fuqitë e të dy grupeve ndërluftuese në atdheun e tij ishte me pasoja të rënda, prandaj në nëntor të vitit 1915 ai e shprehu shqetësimin e tij në deklaratën që i dha gazetes franceze “Le Matin”. Në të, ai nënvizonte se në kushtet e vështira të luftës dhe të pushtimit të vendit, Shqipëria e njohur si shtet më vete më 1913 e kishte humbur pavarësinë e saj, sepse ishte shtrënguar nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve. Duke qëndruar në Francë ai shfrytëzoi rastin dhe u përpoq të ndikonte në qarqet diplomatike të saj, që të përkrahnin çështjen shqiptare. Për këtë i bënte thirrje Francës, se ajo me qëndrimin e saj në favor të Shqipërisë mund t’i bëjë miq të besës (shqiptarët) që të jenë gati ta ndihmojnë në çdo rast. Shqiptarët theksonte ai nuk do të dyshonin që t’i përgjigjeshin thirrjes së Francës në rast se ajo, do të merrte parasysh dëshirat e saj dhe të siguronte pavarësinë e Shqipërisë në Jug dhe në Veri. Ismail Qemali duke mos qenë në dijeni të përmbajtjes së Traktatit të Fshehtë të Londrës krijoi një besim tek aleatët e Antantës, fitoren e të cilëve e shikonte më të mundshme pasi ishte hera e pare qysh nga fillimi i luftës që ato u kujtuan të llogarisnin edhe forcën e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të mendonin se duhej dalë para kësaj me një deklaratë mbi të ardhmen e Shqipërisë. Por kjo deklaratë nuk u bë, sepse propozimi anglez ndeshi në kundërshtimin e Francës dhe të Rusisë, të cilat qenë të pakënaqura nga lëshimet e shumta që i bëheshin Italisë. Ndërkohë Ismail Qemali i ndodhur në emigracion u lidh me kolonit shqiptare të mërgimit si me ato në Rumani, roli i të cilave në lëvizjen kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore qe rritur mjaft. Në viset e huaja ku ato punonin, ato kishin mundësi më shumë të shprehnin kërkesat e lëvizjes pa u trembur se ndiqeshin nga pushtuesit e atdheut të tyre. Në fillim veprimtaria e Ismail Qemalit qe e veçuar nga kolonitë e mërgimit por shumë shpejt ajo u shkri në të. Ai si figurë e shquar që kishte dhënë një kontribut të madh në shpalljen e Pavarësisë, u nderua nga emigrantët shqiptarë sidomos nga ata të Amerikës, të cilët ishin grupuar në këtë kohë në dy shoqëri në organizatën Vatra më e madhja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe në organizatën tjetër Partia Kombëtare Politike, e cila u formua në gjysmën e dytë të vitit 1917.
         Kjo zgjodhi Ismail Qemalin dhe si delegat të saj në Evropë, për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes sepse siç theksohej në një artikull të Mihal Gramenos në gazetën Koha, “ai qe më i njohuri në qarqet diplomatike të Evropës, më i dëgjuari në Shqipëri dhe më i zoti i gjithë politikanëve shqiptarë”. Sapo mori njoftimin për zgjidhjen e tij si delegat i Partisë Kombëtare Politike, Ismail Qemali e siguroi organizatën e mërgimit se do të hynte në një luftë të re për të shpëtuar atdheun tone të dashur. Zgjedhja si delegat i Partisë Kombëtare i dha një shtytje veprimtarisë së këtij plaku të urtë, patriot e diplomat të shquar të lëvizjes kombëtare. Ai u drejtoi menjëherë bashkëatdhetarëve të vet një thirrje të zjarrtë, në të cilën theksin kryesor e vuri tek çështja e bashkimit të atdhetarëve. Ai i ftoi ata të linin mënjanë grindjet që ekzestinoin midis këtyre dy organizatave, sepse “vetëm kështu të bashkuar do të mund të ngrinin para Fuqive në mbarim të luftës argumentet tona të patundura për të drejtat tona”. Me këtë rast ai shprehte besimin se mund të ndreqeshin dhe padrejtësitë që ishin bërë duke krasitur Shqipërinë nga viset e saj pa të cilat ajo nuk mund të rrojë. Krahas thirjes Ismail Qemali hartoi edhe një program të gjerë për t’i bërë jehonë problemit kryesor që ai ngriti lidhur me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare të Shqipërisë. Në të ai parashikoi të botonte një buletin në gjuhët anglisht dhe frengjisht për t’i bërë jehonë çështjes shqiptare. Propozoi që të ngrihej një qendër në Europë ku do të bënin pjesë dy delegate të zgjedhur nga Partia Kombëtare dhe dy delegatë prej tij. Detyra e saj do të qe vendosja e lidhjeve për bashkëpunimin me qendrat e Amerikës dhe të Londrës.
            Qëllimi i tyre qe rritja e përpjekjeve për të ringjallur interesimin e agjencive dhe të shtypit europian,për çështjen shqiptare dhe botimin e një libri mbi historinë, etnografinë, gjeografinë, ekonominë e politikën e Shqipërisë. Librin mendonte ta shoqëronte me një përmbledhje me pjesë kushtuar Shqipërisë, të shkruar nga shqiptarë të dëgjuar të Europës dhe të Amerikës. Kujdes do t’i kushtonte dhe dy hartave të Shqipërisë njëra etnografike dhe tjetra politiko-fizike. “Këto dy harta do të jenë shumë të nevojshme për çështjen kombëtare -theksonte ai-, se do të dëftejnë gjithë ato vise që kanë qenë dhe do të jenë të Shqipërisë duke u mbrojtur me elementë historikë”. Në veprimtarinë e tij të këtyre viteve Ismail Qemali bëri thirrje për bashkëpunim midis dy partive të Vatrës dhe Partisë Politike. Ai ngulte këmbë për një mbrojtje të organizuar të çështjes kombëtare shqiptare në përfundim të luftës. Këtë mbrojtje ai e konsideronte të domosdoshme që të bëhej me argumente historikë, politikë e gjeografikë për t’i dëftyer botës se cili qe kombi shqiptar, se cilat qenë të drejtat dhe dëshirat e tij. Ismail Qemali nuk pushoi së theksuari që të hiqej  dorë nga grindjet, zemërimi, të cilat ishin të dëmshme në kohën kur Shqipëria ndodhej në atë më të madhin rrezik, sepse nënvizonte ai, “ky shtet megjithëse i gdhendur në të gjitha anët ashtu si u njoh nga Konferenca e Londrës më 1913, duke qenë shumë i copëtuar dhe në shumë duar të huaja, në ditën e paqes nuk dime cili do të na dale mbrojtës dhe cili do të jetë miku i vërtetë i Shqipërisë”. Shqetësimi i tij kryesor në këto vite të luftës qe mbrojtja e kufijve dhe kjo jo vetëm për ruajtjen e kufijve të 1913-ës por po të qe e mundur të bëhej dhe rishikimi i tyre në favor të të drejtave etnike të popullit shqiptar. “Paqja në Ballkan – theksonte ai – nuk mund të vendosej duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjerë në interest të synimeve ekspansioniste”. 
            Për të vazhduar veprimtarinë e tij për çështjen kombëtare Ismail Qemali me gjithë moshën e thyer, shkoi nga Italia në Paris e deri në Madrid e Barcelonë për të krijuar fushë të lire veprimi. Në qytetet e fundit, ai mori takime me përfaqësues të shtypit, si dhe me ambasadorin amerikan dhe atë të Italisë. Ndërkohë ai u njoh me klauzolat e Traktatit të Fshehtë të Londrës dhe kjo i hapi atij horizont për të kryer veprime diplomatike më të holla dhe në interes të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ismail Qemali duke parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk qenë nënshkruese të këtij traktati, atij i lindën shpresat se Shqipëria mund të mbështetej veçanërisht tek SHBA. Ai mendonte se Amerika duke mos pasur parasysh synime të drejtpërdrejta, si Italia ndaj Shqipërisë mund të përkrahte interesat e saj. Shpallja e programit të paqes nga Presidenti Vilson më 8 janar 1918 i dha shkas Ismail Qemalit të shprehej se “qeveria e SHBA do ti shihte me mirëdashje kërkimet tona, të cilat hynë në kufirin e programit për paqe të zotit Vilson”, nënvizonte ai në letrën dërguar Partis Politike më 1918. 
          Në të njëjtën kohë duke dashur të tërhiqte vëmendjen e qeverisë amerikane ndaj problemit shqiptar, ai shprehu dhe kundërshtimet e tij lidhur me pikën 11 të këtij programi, në të cilën vërtetë kërkohej vendosja e të drejtave të vendeve të Ballkanit, por lihej në harresë Shqipëria, të drejtat e të cilës qenë shkelur brutalisht nga Fuqitë e të dy blloqeve ndërluftuese. Si diplomat i hollë, ai i bëri apel dhe Italisë, që qe nënshkruese e Traktatit të Fshehtë të Londrës. Në mënyrë të tërthortë ai iu drejtua Romës duke i tërhequr vëmendjen që të përkrahte pavarësinë e Shqipërisë dhe të hiqte dorë nga traktati, sepse një Shqipëri e forte dhe e bashkuar do të qe për Italinë një siguri dhe ekuilibër në Ballkan dhe në Adriatik. Me mbarimin e Luftës Ismail Qemali nga Barcelona u kthye në Itali për të vënë në jetë atë çka ai kishte përgatitur të realizonte,mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes. Megjithëse në rrethana shumë të vështira ekonomike dhe poltike Ismail Qemali se ndërpreu asnjë cast punën në mbrojtje të çështjes shqiptare. Këtij qëllimi i shërbeu dhe memorandumi i tij i 15 janarit 1919, të cilin ia dërgoi kryeministrit të Italisë Orlandos dhe ministrit të jashtëm Sonino, që do të merrin pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Memorandumi është me ide të thella dhe shpalos aftësitë e tij diplomatike dhe në ditët e fundit të jetës, duke zbuluar një dashuri të madhe për Atdheun.Me të ai shpresonte të interesonte sa më tepër qeverinë italiane në mbrojtje të interesave shqiptare në Konferencën e Paqes.
       “Misioni im si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës dhe patriotizmi im i zjarrtë më imponoi dëshirën e ligjshme dhe detyrën e shenjtë që të ndodhem pranë jush për t’i ndjekur nga afër dispozitat për vendin tim”. Ndërkohë ai kishte përgatitur dhe materialet e përmendura më sipër, por ende dhe sot s‘na kanë rënë në dorë. Ismail Qemali s’mori asnjë përgjigje nga qeveritarët italianë. Ai shpreh në të dhe hidhërimin për pamundësinë për të folur me Orlandon dhe besimin që ai kishte në një mbështetje të vlefshme për Shqipërinë si dhe të pjesëmarrjes së saj në Konferencën e Paqes. Ai me të drejtë e quan vehten përfaqësues të ideve shqiptare, realizimit të të cilave “ia kam kushtuar tërë jetën time” dhe vazhdon “… ndjej për detyrë tia besoj shpresat e mia për lirinë e vendit tim mbështetjes dhe kujdesit të madh të Italisë në mbështetje të pretendimeve të ligjshme të popullit shqiptar”. Me këtë shpresë ndenji Ismail Qemali deri ditën kur mbylli sytë më 26 janar 1919 në qytetin e Peruxhias në Itali, me shpresën se do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes dhe se ajo do të merrte ndonjë vendim të drejtë lidhur me Shqipërinë. Me këtë rast me daljen e dokumentereve të reja rreth vdekjes së tij, bëjmë dhe një korregjim të datës së vdekjes së tij që në tekstet e historis përmendet  24 janar . Kështu me Shqipërinë në mendje dhe zemër, dhe me shqetësimin e madh që ai e pati tërë jetën, për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare dhe krijimit të shtetit shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet e tij, e mbylli jetën në mëgrim ky patriot i madh me mendje të kthjellët dhe vullnet të forte. Ky burrë i shquar ka meritën që të jetë jo vetëm pararendës por edhe kultivues i demokracisë oksidentale, e cila erdhi duke hedhur rrënjë  në token shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Mihal Grameno, (1871-1931) publicist, shkrimtar intelektual dhe luftëtar i lirisë

Mihal Grameno, (1871-1931) publicist, shkrimtar intelektual dhe luftëtar i lirisë

Mihal Grameno Lindi në Korçë, në vitin 1871, në një familje atdhetare nga shtresa zejtare ...