Ismet Azizi

Ismet Azizi: Sanxhaku duhet ta gëzojë një autonomi speciale, substanciale, mbështetur mbi të drejtën e Vetëvendosjes

Në emisionin “Bisedë në Studio” të TV-Diellit, studiuesi, veprimtari dhe profesori,  Ismet Azizi ka folur për krahinën e Sanxhakut, ( të Pazarit të Ri, apo Jeni Pazarit) historinë e kësaj treve dikur të banuar me shumicë shqiptare, rezistencën gjatë shekujve kundër robërisë turke, austro-hungareze dhe sllave, për masakrat që kanë kryer veçmas serbët prej vitit 1912 e deri në vitin 1945, dëbimet masive të popullatës shqiptare dhe boshnjake për në Turqi, shpërnguljet e kësaj popullate në Kosovë, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë dhe tërë një  kalvar historik që kanë përjetuar mbi kurriz sanxhakasit, dhe që ka lënë  pasoja të rënda për banorët e kësaj krahine, e cila ende është e ndarë në mes të Malit të Zi e Serbisë dhe nuk gëzon një status special.

Veprimtaria idealiste  e studiuesit, Ismet Azizi, në zbardhjen e historisë së Sanxhakut, në ndriçimin e së kaluarës së kësaj treve autoktone, publikimi i shumë shkrimeve e monografive shkencore, të dëshmuara e të argumentuara në fakte dhe  burimet historiografike, kanë ndikuar edhe në sensibilizimin në rritje të Çështjes ende  të pazgjidhur të Sanxhakut.

“Sanxhaku, është një krahinë që ndër shekuj ka krijuar dhe ka ruajtur një identitet autentik dhe multietnik, me banorë të përkatësive të ndryshme etnike, gjuhësore dhe fetare. Një Entitet që ka dhënë edhe emra të rëndësisë së veçantë jo vetëm për rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë.

Studiuesi i zellshëm dhe mjaft i frytshëm, Ismet Azizi, qysh në kohën  e studimeve në mesin e studentëve të krahinës së Sanxhakut kishte filluar interesimin e tij për këtë trevë, e cila gjeografikisht në të kaluarën kishte ndarë Serbinë okupatore, me korridorin e saj, që e lidhte Vilajetin e Kosovës me Bosnjën e Hercegovinën.

Përveç angazhimit të tij publicistik, publikimeve të shumta me referenca të pasura  shkencore, komunikimin intensiv me intelektualët e politikanët e Sanxhakut si dhe me pjesëtarët të popullatës së asaj krahine, pavarësisht origjinës së tyre, ai me disa bashkëveprimtarë në vitin 2016 ka themeluar edhe Shoqatën, “Kosova për Sanxhakun”, e cila gjatë këtyre viteve, edhe pse pa ndonjë përkrahje të duhur institucionale ka zhvilluar një aktivitet intensiv në sensibilizimin e Çështjes së Sanxhakut, duke marrë një përkrahje të jashtëzakonshme edhe nga veprimtarët dhe personalitetet e njohura të Sanxhakut por edhe të Kosovës, Shqipërisë e më gjerë.

Në gjurmimet dhe studimet e tij për Sanxhakun, Ismet Azizi ka ndriçuar veçmas njërin ndër personalitetet më të njohura të kësaj treve, sikur ishte Aqif Blyta, për të cilin ka shkruar dhe ka botuar një monografi dokumentare, historike, të materializuar me burime të shumta shkencore, që hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e Aqif Blytës, familjes së tij, rrethit të tij shoqëror, politik e diplomatik  dhe angazhimit idealist e përparimtar për ruajtjen e kompaktësisë territoriale të Sanxhakut, sidomos  gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta pa dyshim se radhitet në mesin e personaliteteve të rëndësishme shqiptare në përgjithësi e në veçanti të Sanxhakut, të cilit ia kishte kushtuar edhe jetën. Për shkak të veprimtarisë të tij në ruajtjen e Sanxhakut gjatë viteve 1941-1945, ai ishte akuzuar nga partizanët e Titos se kishte bashkëpunuar me forcat italo-shqiptare e gjermane dhe ishte pushkatuar.

Studiuesi i zellshëm dhe veprimtari idealist, Ismet Azizi, mbështet një autonomi speciale për Sanxhakun, ashtu sikur edhe shumica e sanxhaklijve, në krye me Sulejman Ugljaninin dhe forcat e tjera përparimtare e atdhetare, të cilët besojnë se çështja e Sanxhakut duhet të merret në trajtim ndërkombëtar për shkak të faktorëve të shumtë dhe gjendjes që mbretëron në këtë rajon, por në radhë të parë për shkak të  problemit të pazgjidhur politik të këtij rajoni multietnik, por me shumicë fetare islame dhe me prirje të natyrshme për afrim me Bosnjën e Kosovën, më shumë se me Serbinë e Malin e Zi ortodoks.

Ismet Azizi ka folur edhe për kontributin që kanë dhënë sanxhaklinjtë në luftën e Bosnjës  dhe të Kosovës, gjatë viteve 90-të, për lidhjet që inteligjencia e këtij rajoni ka mbajtur dhe mbanë me këto dy shtete, për raporte të mira me popullatën serbe e malazeze, që jeton në Sanxhak, por jo edhe raporte në nivelin e duhur të mirëkuptimit, drejtësisë e barazisë me Serbinë e Malin e Zi të cilat pretendojnë se Sanxhaku është pjesë e këtyre dy shteteve dhe kundërshtojnë çfarëdo statusi të mëvetësisë së Sanxhakut, rajon i cili ka një histori autentike, ka pasur mëvetësi vetëqeverisëse vendore, rajonale gjatë kohës së Perandorisë Osmane, madje   edhe në Vilajetin e Kosovës, deri në vitin 1912, ka pasur autonomi nën regjimin italo shqiptar, në vitet 1941-1945, ka qenë i përfshirë si njësi e veçantë specifike territoriale, në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it, por më pas politika hegjemoniste serbe e Beogradit me Aleksander Rankoviqin, Milovan Gjillasin, Peko Dapçeviqin e të tjerë, Sanxhakun jo vetë që e zhveshi nga çdo mundësi për autonomi, por ushtroi një politikë të ndjekjes, izolimit, dëbimit të popullatës  së Sanxhakut për në Bosnje, Kosovë e Turqi, duke mos lejuar  perspektivë zhvillimi, as arsimimi, me qëllim për pastrim të qetë etnik të popullatës myslimane të këtij rajoni.

Me shkatërrimin përfundimtar të Jugosllavisë deri në qershor të vitit 1999  u zgjidhen shumë çështje, ish republikat e RSFJ-së u bënë shtete, Kosova fitoi pavarësinë, ndërsa çështje e sanxhakut mbeti e pazgjidhur. Po jo vetëm kjo, nuk është zgjidhur as çështja e tri komunave të Kosovës Lindore,  e Vojvodinës, e krahinës së Timokut e banuar kryesisht me vllehë e të tjera.

Ismet Azizi ka deklaruar në TV-Dielli se Shoqata, “Kosova për Sanxhakun”, kërkon zgjidhje paqësore, politike,  të problemit të kësaj krahine. Nëse në bisedimet Kosovë Serbi hapet edhe çështje e kufijve apo e shkëmbimit të territoreve, doemos se kjo do të shprehej edhe te popullata e Sanxhakut, e cila pavarësisht së kaluarës historike dhe krejt të afërt me shqiptarët, është lidhur me shumë me Bosnjën edhe për faktin  se popullata është më e lidhur me boshnjakët si për nga gjuha, kultura, feja tradita, por po kështu Sanxhaku ka lidhje jo vetëm nostalgjike me Kosovën dhe me  Vilajetin  të cilit dikur i takonte.

Ekziston një lidhje, veç tjerash edhe në pikëpamje fetare e kulturore Bosnje, Sanxhak, Kosovë, Maqedoni. Pavarësisht paragjykimeve  të paqëndrueshme fetare, të cilat madje cilësohen edhe si ekstremiste fetare, dihet se shqiptarët përgjithësisht e veçmas ata të Vilajetit të Kosovës, kanë ruajtur dhe kanë restauruar lidhjet e moçme të shqiptarëve me sanxhaklinjtë por edhe boshnjakët, madje edhe me popujt sllavë, derisa nuk ishin instrumentalizuar e manipuluar nga politika antishqiptare e nacional shovinizmit serb.

Gjatë tërë kohës së sundimit të Jugosllavisë, qoftë ajo monarkike, më vonë socialiste e komuniste, fati i shqiptarëve të Kosovës dhe i sanxhaklinjëve ka qenë i njëjtë në shkallën e diskriminimit, dhunës, asimilimit, dëbimit apo edhe shpërnguljes  për në Turqi dhe të gjitha aksioneve, që kishte ndërmarrë ish RSFJ, apo Serbia e Milosheviqit dhe  që kishin për qëllim dëbimin e asimilimin  jo vetëm të qetë e gradual të këtyre popullatave, por edhe të dhunshëm e virulent.

Studiuesi dhe njohësi i jashtëzakonshëm i Sanxhakut, Ismet Azizi deklaron se puna e shoqatës, “Kosova për Sanxhakun” duhet ta zgjerojë fushë veprimtarinë në drejtim të sensibilizimit të kësaj çështjeje edhe në Shqipëri, pasi  si vend mëmë i shqiptarëve në kushtetutën e vet obligohet të kujdeset për shqiptarët kudo ku janë, pavarësisht numrit të tyre, edhe pse popullata shqiptare në Sanxhak tani është e katërta me radhë, e cila  krahasuar  në numrin  nga vitet 1941 1945, ka rënë në mënyrë rapide edhe për faktin se sanxhakasit sllavë-folës nuk kanë pasur të drejtë të regjistrohen,  si shqiptarë.

Sanxhaku kërkon atë që i takon, autonominë speciale, pse jo edhe substanciale, sepse nuk është tokë serbe as malazeze, por tokë e vetë sanxhaklinjve shumicë, të cilët nuk janë serbë as malazezë, (edhe pse nuk kanë asgjë kundër tyre), as kundër pranisë së tyre në rajonin e Sanxhakut, pavarësisht se  shumica janë kolonë. Por duke qenë me shumicë popullatë e besimit islam, si identitet fetar e kulturor,  popullata duhet të vetë përcaktohet, sidomos nëse vjen deri te ndërrimi i territoreve mbi baza etnike.

( Bisedën në studion e TV-Diellit me veprimtarin e studiuesin, Ismet Azizi e zhvilloi, profesor, Ahmet Qeriqi)

Prishtinë

  1. 6. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore …