leoni

Ismet Hajrullahu: Për një arsim bashkëkohor

Ismet Hajrullahu: Domosdoshmëria për Reformë Kushtetuese

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka ndërtuar institucionet e saj mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe barazisë, duke garantuar të drejtat e komuniteteve pakicë përmes Kushtetutës.
Ky model ka pasur për qëllim sigurimin e stabilitetit dhe përfaqësimit demokratik, por sot, në dritën e zhvillimeve të fundit, ai po dëshmon dobësitë e veta.
Rrethanat e krijuara kanë treguar se ky sistem kushtetues, në vend që të shërbejë si bazë për funksionim institucional, po lejon precedentë të rrezikshëm dhe bllokime që pengojnë ecjen përpara të shtetit.
Mekanizmat që dikur garantonin përfshirje të gjerë po keqpërdoren në mënyrë të hapur për të sabotuar funksionimin e institucioneve. Kjo nuk është më një çështje teknike apo procedurale, por një krizë e thellë që kërkon reagim të menjëhershëm dhe reformë të guximshme. Lista Serbe, e cila gëzon ulëse të garantuara për komunitetin serb, ka braktisur institucionet dhe ka refuzuar të propozojë kandidatë të tjere, duke kontestuar çdo përpjekje për zhbllokim institucional. Në vend që të përfaqësojë interesat e qytetarëve serbë në Kosovë, ajo ka vepruar si instrument politik i Beogradit, duke e përdorur përfaqësimin kushtetues si mjet sabotimi.
Gjykata Kushtetuese, përmes mosveprimit, po kontribuon në zgjatjen e krizës, duke mos ofruar qartësi juridike për institucionet që kërkojnë zgjidhje. Ndërkohë, subjektet politike, të udhëhequra nga interesat e ngushta partiake, përmes mospjesëmarrjes në votime kyçe, po e thellojnë ngërçin institucional.
Përmes ulëseve të garantuara dhe mekanizmave të veçantë kushtetues, komuniteti serb ka pasur mundësi reale për të ndikuar pozitivisht në proceset demokratike, por kur këto privilegje përdoren për të refuzuar pjesëmarrjen dhe për të krijuar krizë pas krize, nuk kemi më përfaqësim demokratik, por pengmarrje institucionale.
Ngjarja e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit ishte një pikë kthese. Sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën zyrtarë të tjerë, tronditi themelet e demokracisë dhe sovranitetit të vendit. Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza ndaj dhjetëra personave për veprat penale që ndërlidhen me terrorizmin, shpëlarjen e parave dhe cenimin e rendit kushtetues. Sipas aktakuzës, grupi terrorist kishte për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë, me mbështetje të drejtpërdrejtë logjistike dhe financiare nga Beogradi. Ky akt nuk mund të shihet si një incident i izoluar, por si kulmi i një strategjie të gjatë destabilizuese, ku politika, krimi dhe strukturat paralele veprojnë në harmoni për të minuar shtetin.
Reagimi i vakët i Bashkimit Evropian ndaj këtij sulmi u kritikua publikisht nga liderë rajonalë, veçanërisht nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, i cili e cilësoi heshtjen e BE-së si të papranueshme dhe të rrezikshme për stabilitetin në Ballkan.
Kjo heshtje e bën edhe më urgjente domosdoshmërinë që Kosova të rishikojë themelet e saj kushtetuese dhe të sigurojë që institucionet të mos mbeten peng i sabotimit të brendshëm.
Që nga nëntori 2022, Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet lokale dhe parlamentare, ka refuzuar të marrë pjesë në votime kyçe dhe ka bllokuar procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të kuvendit nga komuniteti serb. Refuzimi për të propozuar një kandidat tjetër dhe mosvotimi i kandidatit alternativ, Nenad Rashiq, nga ana e opozitës, tregoi mungesën e konsensusit edhe brenda kuvendit. Kjo situatë e tensionuar nxjerr në pah dobësinë e sistemit aktual, ku përfaqësimi kthehet në mjet bllokimi dhe shteti mbetet jo funksional.
Kushtetuta e Kosovës, në formën e saj aktuale, nuk është më e mjaftueshme për të garantuar funksionalitetin e shtetit, dhe kjo po shihet qartazi.
Ajo duhet të rishikohet në mënyrë të thelluar dhe të guximshme, në bashkëpunim me partnerët strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Rishikimi kushtetues nuk nënkupton heqjen apo minimizimin e të drejtave të pakicave, por rivendosjen e ekuilibrit mes përfaqësimit dhe përgjegjësisë. Minoritetet duhet të jenë pjesë aktive e shtetit, jo instrumente për ta bllokuar atë,sepse në fund të fundit, kjo lojë e vjetër politike, e ndërtuar në emër të mbrojtjes së pakicave, po i kushton edhe vetë qytetarëve të komuniteteve pakicë, të cilët po mbesin pa përfaqësimin e duhur dhe pa mundësi reale për integrim.
Reforma kushtetuese është një domosdoshmëri urgjente që Kosova duhet ta ndërmarrë me kurajo dhe vendosmëri, në mënyrë që e ardhmja e vendit të mos mbetet peng i bllokimeve kushtetuese apo i grupeve politike që veprojnë me dirigjim nga jashtë.
Ky shtet është ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, dhe nuk duhet lejuar që përfaqësues të papërgjegjshëm ta zhbëjnë atë. Përkundrazi, është koha për te ndermarre reforma të thella, të cilat e bëjnë Kosovën një shtet funksional, të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari: SHKELJA E DINJITETIT DHE PËRBUZJA E MADHE E FLIJIMIT TË BREZAVE TË TËRË PËR LIRI E ÇLIRIM

Nuk e kam menduar kurrë se në Kosovën e lirë: ndershmëria dhe sakrifica do të …