Dr. Rexhep Qosja

Isuf Bytyçi: MENDIMI KRITIK I REXHEP QOSJES PËR POEZINË E SOTME SHQIPE I

         

  Më rastin e 85-vjetorit të lindjes

 

HYRJE                            

Në këtë punim, objekt shqyrtimi është mendimi kritik i Rexhep Qosjes për poezinë e sotme shqipe.

Akademik Rexhep Qosja, i lindur më 25 Qershor të vitit 1936. Historian i letërsisë, kritik letrar, prozator, dramaturg dhe ideolog i çështjes kombëtare, autor i shumë librave, për më tepër se 50 vjet është aktiv në letërsinë shqipe.

Vepra e tij, më tepër është e orientuar në aspektin historik, në historinë e letërsisë shqiptare, ai është marrë edhe me letërsinë bashkëkohore dhe, pasi që poezia e sotme shqipe është pjesë përbërëse e letërsisë së sotme shqipe, qysh në fillim do të ishte e domosdoshme të njihemi me mendimin e tij në raport me letërsinë e sotme shqipe.

Rexhep Qosja, mendimin për letërsinë e sotme shqipe e dha në kuadër të studimit të letërsisë shqiptare në përgjithësi, si historian i kësaj letërsie, por njëherit edhe si kritik dhe themelues i kritikës letrare në Kosovë. Në kohën kur e filloi veprimtarinë ky kritik e historian i letërsisë shqipe, historia e letërsisë shqipe, kritika letrare në letërsinë shqiptare, në përgjithësi, por edhe letërsia shqipe në Kosovë, të tria gjendeshin në nivel të ultë, fillestar, të tria këto po i bënin hapat e parë! Prandaj në këtë kohë do të duhej një personalitet si ai „i profesor Rexhep Qosjes, doajenit të studimeve historiko-letrare ndër ne …“ (1. Pr. Dr. Agim Vinca „Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945 – 1980)“, „Rilindja“ 1985, f. 15), që t’u përballonte problemeve të mëdha të vlerësimit të drejtë të traditës, por edhe në hapjen e horizonteve të reja të letërsisë shqipe në ato vite. Kur jemi këtu, duhet ta vemi në dukje edhe rolin negativ të ideologjizimit të kritikës nga kritika gjysmëzyrtare, e cila bënte përpjekje që letërsia e re „socialiste“ kosovare të shkëputej përfundimisht nga trungu kombëtar, nga letërsia e traditës, nga letërsia kombëtare.

Rexhep Qosja, letërsinë e sotme shqipe e shqyrtoi që nga fillimi, në kuadrin e letërsisë kombëtare, Si vazhdim të kësaj dhe si thellim, si letërsi që rrënjët i ka në letërsinë e Rilindjes dhe në letërsinë e Vjetër, ndërsa, kokën në letërsinë bashkëkohohe europiane. Duke e shfrytëzuar letërsinë e traditës, mitin dhe mitologjinë kombëtare e ballkanike, kjo letërsi arriti të japë struktura të dendura poetike, siç është poezia e sotme shqipe, struktura të papara deri atëherë në këtë letërsi.

Akademik Rexhep Qosja, nuk e shkroi ndonjë monografi të veçantë në lidhje me këtë letërsi, por pothuaj se në çdo vepër kritike të tij, pos vështrimeve, trajtesave dhe eseve për letërsinë e Rilindjes dhe atë të Pavarësisë e të viteve `30, ai trajtoi edhe autorë, vepra e probleme të  letërsisë së sotme shqipe me letërsinë e traditës. Rexhep Qosja, e përcolli letërsinë e sotme shqipe, e dha fjalën e tij, por edhe e orientoi, atë. Në kohën kur Rexhep Qosja doli në skenë, në gjysmën e dytë të viteve `60, letërsia shqipe po oscilonte në dy drejtime: i pari ishte drejtimi dogmatik-socialist, që synonte gjithë letërsinë ta fuste në kallëpet e një romantizmi të rremë dhe të një skematizmi vullgar dhe i dyti, rryma eksperimentale, të cilat e sulmonin letërsinë nga jashtë dhe për të cilat kjo letërsi ishte ende e re për t’i asimiluar, ato! Në këtë kohë paraqitja e profesor Qosjes, në skenën e kulturës kombëtare shqiptare – paraqitja e këtij intelektuali me horizont të gjerë vështrimi, ishte me rëndësi të madhe për zhvillimin e mendimit letrar, por edhe për praktikën krijuese në Kosovë. Rexhep Qosja, përherë, në shkrimet e tij i kritikonte dukuritë negative, ndikimet e paasimiluara, ideologjizimin e tjera dhe, vazhdimisht hapte horizonte t reja për një letërsi autentike, të lirë dhe të hapur ndaj letërsisë botërore.

Edhe pse nuk u mor sistematikisht Rexhep Qosja me letërsinë e sotme shqipe, ai i preku dhe i shtjelloi problemet esenciale të saj. Por, koha e rrethanat, në të cilat veproi, ndikuan që Rexhep Qosja, vëmendje më të madhe t’i kushtonte letërsisë së sotme shqipe, që është krijuar në Kosovë e, më pak asaj që u krjua në Shqipërinë shtetërore.

Në shkrimet e tij, ai u mor me problemet  e dramës shqipe. Shkroi për dramat „Shtatë shaljanët“ të Ndrekë Lucës (2. R.Q – Parathënia), për dramën „Cuca e maleve“ të Loni Papës (3. R.Q – Parathënia), „Toka e jonë“ të Kolë Jakovës (4. R. Q – Parathënia) etj. Në këto parathënie, mendimi i profesor Qosjes, anonte nga kritika sociologjike, ku konceptet dominuese ishin: lufta e së vjetrës me të renë, lufta klasore, shfrytëzimi e tj., por duhet ta theksojmë se edhe pse në këtë kohë nuk mundi të largohej nga kritika sociologjike, nga kjo, në as një rast nuk do të dalë një kritikë e angazhuar, apo një kritikë mohuese! Akademik Rexhep Qosja, ndoqi një rrugë të ndërmjetme, në këtë drejtim.

Në kritikën e tij letrare, Rexhep Qosja shqyrtoi edhe prozën e sotme shqipe. Ai trajtoi prozën e Hivzi Sulejmanit, të Shevqet Musarajt, të Jakov Xoxës, Ismail Kadaresë, Anton Pashkut, Razi Brahimit, Elena Kadaresë, Qamil Buxhelit etj. Në këto shkrime i preku ekstremet në letërsinë shqipe: nga skematizmi vulgar i Realizmit socialist e gjer te skematizmi eksperimental. Një kritikë i jep skematizmit vulgar në artikullin „Artisti i pushtuar prej edukatorit“ (5. Rexhep Qosja „Panteon i rralluar“, f. 201), në të cilin për objekt shqyrtimi e ka romanin e Razi Brahimit „Kthesa të forta“. Një kritikë të plotë i bën kritikës ideologjike e dogmatike në artikullin „Kritika pa estetikë“ për librin „Kritika“, që është botuar në Prishtinë si mbledhje nga disa libra kritikë të Razi Brahimit. Këtu i bën një kritikë terminologjisë politike si dhe asaj ideologjike, që zotëronte në shkrimet e Razi Brahimit, kritikon „analizën sociologjike dhe ideologjike“, që gjendej në të, ndarja e heronjve, në pozitivë e negativë, ndarjen e veprës  në përmbajtje dhe formë, reduktimin e vlerave letrare në vlera ideore etj. Ndërsa, në vështrimin për prozën e Anton Pashkut, profesor Rexhep Qosja, i shqyrton „mundësitë“, por edhe „kufizimet“, e prozës eksperimentale! Ai, me vetëdije i ikë pan-ideologjizimit, por edhe pan-eksperimetnalizimit, sepse të dya këto eksperimente, e dëmtonin letërsinë e re shqiptare.

                                                                                      

 

KRITIKA LETRARE E REXHEP QOSJES

Në opusin e tij krijues, Rexhep Qosja shkroi vështrime kritike, recensione e trajtesa, për Esad Mekulin, Enver Gjerqekun, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Abdylaziz Islamin, Muhamet Kërveshin, Beqir Musliun etj.

Në përgjithësi, Rexhep Qosja shkroi vështrime dhe kritika për krijuesit, që vepruan në Kosovë e, një numër më të vogël i shkroi edhe për ata që krijuan në Shqipëri. Kjo erdhi si rezultat i ndarjes regjionale të letërsisë shqiptare, si një komunikim i penguar në mes të këtyre regjioneve, por edhe si një përpjekje për ta ngritur letërsinë e kësaj ane, në nivel kombëtar.

Për poezinë e sotme shqipe, profesori, shkroi qysh në librin e parë „Episode letrare“, kur shkroi në lidhje me poezinë e Enver Gjerqekut, në shkrimin me titull „Poezia dhe përvoja“. Ndërsa, në librin me trajtesa „Dialogje me shkrimtarët“, të cilin e botoi në vitin 1968, krahas shkrimeve për Zef Seremben, Naim Frashërin, Migjenin e Lasgushin, i kemi edhe dy trajtesa për krijimtarinë e dy poetëve tanë bashkëkohorë; Esad Mekulit dhe të Enver Gjerqekut! Në këtë kohë në Kosovë, krijuesit më të dalluar ishin këta dy poetë, që u përmendën më lart. Poetët, si Din Mehmeti, rrahman Dedaj, Ali Podrimja e tj., ishin në hapat e parë të krijimtarisë artistike!

Në vështrimin për Esad Mekulin, kritiku thekson angazhimin e tij në letërsinë shqipe, angazhimin intelektual të tij, por edhe mungesat që hasen në krijimtarinë e Mekulit. Esad Mekuli, për Rexhep Qosjen „është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore“ (6. R. Q. „Dialogje me shkrimtarët“, f. 215). Ai pra, Esad Mekuli, „flet në vetën e parë, jo si individ i veçuar, por i mishëruar plotësisht me ndjenjat dhe vetëdijen e Shqiptarit, si një simbiozë ndjenjash dhe aspiratash të përbashkëta jetësore“ (7. Po aty, f. 217). Në poezinë e Mekulit, kritiku has edhe në „pasojat e zhdanovizmit dhe të kohës kur prej shkrimtarëve kërkohej ta glorifikonte atë, e cila kërkohej prej tij.„ (8. Po aty f 219). Mirëpo Esat Mekuli, ndoqi një rrugë të veçantë në krijimtarinë e tij, duke i ikur gjuhës bombastike, parullave të kohës së lartë e tj.

Në këtë punim, Profesor Rexhep Qosja, bën periodizimin e krijimtarisë së E. Mekulit dhe vjen në përfundim „se poezia e tij është fenomen specifik i letërsisë sonë“ (9. Po aty f. 299). Esad Mekuli, bindjet e tij krijuese i formoi në vitet tridhjetë. Si bir i një populli të vogël e të shtypur, ai u bë krijues i këtij populli, këngëtar i vuajtjeve dhe i shpresave të tij! Përhapja e ideve revolucionare lindëte shpresa te ky popull për çlirimin kombëtar. Mekuli u bë poet vizionar, për një ardhmëri më të lumtur të popullit të tij dhe të njerëzimit. Uni i tij krijues u shkri me unin e popullit dhe u bë një Unë i shtypur, i përdhunuar, i vrarë, i gjymtuar, por edhe në Unë ëndërrues dhe kryengritës, në të njëjtën kohë.

Ndërsa, një krijues tjetër i afirmuar në poezinë shqipe, ishte Enver Gjerqeku. Ky poet i ri, duke jetuar në një kohë dramatike për popullin tonë, në vitet `50 dhe `60, bën një ikje, një largim nga ky realitet dhe futet në qenien e vetë subjektive dhe i shpalos dhembjet shpirtërore e fizike të tij! Ai, shkrun një poezi intime, por edhe autobiografike – shkurt, një autobiografi intime!

Në librin „Panteon i rralluar“ kemi një varg recensionesh për poezinë e sotme shqipe. Në këtë libër trajtohet poezia e Musa Ramadanit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Hasan Hasanit, Milaim Berishës, Ibrahim Kadriut, Adem Zejnullahut dhe Rifat Kukajt.

Në ç’drejtim angazhohet profesor Qosja, në kritikën e tij letrare? Ai që në fillim, në recensionin „Sentimentalizëm anakronik“, që i bën përmbledhjes me poezi të Sinan Hasanit „Dallgët e Vërrinit“, kritikon ekzibicionet poetike, manierizmin dhe epigonizmin në poezinë e tij.“ ( 10. R. Q. „Panteon i rralluar, „Rilindja“, Prishtinë, v. 1973, f. 129), Në poezinë e këtij autori, R. Qosja kritikon tradicionalizmin, të cilin e quan anakronik për atë kohë! Pastaj kritikon sentimentalizmin dhe romantizmin. Figurat e lopëve, të qenve, pulave, zogjve, pastaj të korrat, kullosat, t’bamat etj., të cilat i hasim në poezinë e këtij vëllimi, janë shenja të primitivizmit në kulturën tonë, në atë kohë. Në poezinë e Hasan Hasanit, kritikon idealizimin e jetës patriarkale! Pastaj vazhdon t’i kritikojë edhe të metat formale, të cilat hasen në vargjet e këtij vëllimi me poezi. Në këto poezi kritikohet edhe anakronizmi i ndjeshmërisë së autorit! (11. Po aty, f. 101).

Të gjitha këtyre cilësive të një poezie të perënduar, ai ia vë shprehjen moderne, e cila edhe duhet ta cilësojë poezinë moderne. Në fund të recensionit, e përballë qëndrimin e tij me të këtij poeti: „Në vend të ndjenjës sentimentale, lexuesit të sotëm i duhet ndjenja e fuqishme, në vend të shprehjes së flashkët – shprehja asociative, metaforike dhe simbolike.“ (12. Po aty, f. 102).

  Në poezinë e Azem Shkrelit, Rexhep Qosja kritikon moralizimet që hasen në disa nga poezitë e këtij poeti: Toni didaktit, i cili e rëndon poezinë e tij, mund të vërehet edhe prej titujve të disa vjershave sikundër janë „Katër këshilla vetes“, „çka mësova unë“, „Porosia“, por moralizuese janë edhe vjershat „Kurtha“, „Kupa e Odinit“, „Njerëzit“  e të tjera“. (13. Po aty, f. 110). Në recesionin për Milaim Berishën, profesor Qosja, prapë i vë në thumb të kritikës moralizimet dhe udhëzimet, që hasim me shumicë në poezinë e asaj kohe: „Shkrimtarët, që në njërën dorë marrin skalperin për t`i zhdukur veset e në tjetrën dorë çantën me barna për t’i shëruar plagët e njeriut bashkëkohor, janë bërë monotonë me ato moralizimet e tyre patetike, po aq sa janë bërë të mërzitshëm edhe ata të tjerët që vetëm dënesin dhe, të tulitur, e shikojnë botën prej titanëve të tyre diogjenianë.“ (14. Po aty f. 115). Në poezinë e këtij poeti, Rexhep Qosja dallon oscilimet në mes të letërsisë realiste dhe asaj moderne, pastaj ndikimet e paasimiluara të literaturës së lexuar.

Jo vetëm një herë, profesor Qosja i ka kritikuar këto të meta, të cilat e përcillnin poezinë e sotme shqipe në ato kohëra. Poezia shqipe ishte ende e pastabilizuar dhe krijuesit e saj në të shumtën e herave, me gjithë përpjekjet e tyre, pësonin dështime! Kritiku, përkrahte vargun, artistikisht të përsosur dhe kritikonte „lojën e fjalëve“, (15. Po aty f. 119) me të cilat disa krijues bënin përpjekje që ta mbushnin zbrazëtinë e tyre krijuese! Në këto shkrime, profesor Qosja i kërkonte dhe i hapte rrugë „poezisë së ardhme“, (16. F. 86) e përkrahte ndjeshmërinë moderne në poezinë e Ali Podrimjes, në të cilën haste në një „refren modern poetik“ (127). Rexhep Qosja, duke i kritikuar të metat në krijimtarinë poetike, drejtonte rrugën e poezisë së sotme shqipe drejt një poezie me prirje moderne. Në recensionin „Valle simboleve“, që e shkruan për vëllimin poetik të Ali Podrimjes, kritiku posaçërisht ndalet te „simbolika e tërësisë“ (123), që e has në strukturën e këtij vëllimi. Për Rexhep Qosjen, simboli është vyrtyt i poezisë, ndërsa gjuha patetike, ves! E para shenjon prirjen moderne, ndërsa e dyta atë tradicionale. Poezitë e këtij poeti mund të kuptohen vetëm në tërësinë e tyre, vetëm në kontekstin nga i cili buron kuptimi.

Një sintezë të parë për poezinë e sotme shqipe, prej Rexhep Qosjes e hasim në parathënien e „Antologjisë së lirikës shqipe“. Këtu për herë të parë bëhet një lloj periodizimi i letërsisë së sotme shqipe në etapa. Estetika e këtyre viteve dallohej „për nga theksi dogmatik dhe karakteri zyrtar.“ (17. R. Qosja, „Antologjia e lirikës shqipe – botim i dytë, i plotësuar dhe i përmirësuar. „Rilindja“, Prishtinë 1979, f. XXXVI). Poezinë e viteve të para të pasluftës së Dytë botërore, profesori e përkufizon si „poezi revolucionare publicistike“ (18. Po aty, f. XXXVII). Poezia shqipe e kësaj kohe nuk mund të lirohej leht nga fryma retorike, sepse ishte niveli i ulët kulturor, që e kushtëzonte zgjatjen e kësaj prirjeje! Në rrafshin komunikativ edhe niveli i marrësit, i publikut, e kushtëzonte këtë prirje: „Duke pasur parasysh shëndetin mental të masave të gjera të lexuesve, por jo sa duhet edhe shëndetin artistik të poezisë, autorët e saj me të drejtë e shpallin traditë të vetën në radhë të parë poezinë e viteve tridhjetë, të cilën duke e vazhduar me synimet e saj progresive, e thjeshtësojnë gjithnjë e më tepër.“ (19. Po aty, f. XXXVII). Kjo poezi në këto vite iu afrua më tepër publicistikës poetike e dokumentacionit. Poezinë e viteve pesëdhjetë, me të drejtë e karakterizon si zhurnalistike e agjitative dhe si një poezi që është në nivel më të ultë se që ishte poezia e viteve tridhjetë. Pra, në këtë kohë, në vend që poezia të numëronte përpara, kishte ecur mbrapa.

Mirëpo, ndryshimet vijnë më pas! Në krijimtarinë që do të shkruhej në vitet gjashtëdhjetë, zë fill prirja moderne në poezinë e sotme shqipe. Lirimi prej didaktikës dhe agjitacionit, i liron rrugën shprehjes moderne në poezi! Kjo ndodhë ndër të tjera me pjekurinë e poezisë, me ndikimet e jashtme, me liberalizimin e marrëdhënieve në shoqëri. Poetët e parë, te të cilët dëgjohet zëri i ri në poezi; Enver Gjerqeku, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Vehbi Skënderi etj. Këtë poezi, pofesor Qosja e quan, poezi e brezit të dytë e pasluftës! Këtu fillon trajtimi i letërsisë shqipe si letërsi kombëtare, që nuk njeh kufinj! Në këtë etapë, poezinë shqipe e karakterizon degëzimi, pasuria, lloj-llojshmëria dhe guximi i trajtimit të temave të ndryshme. Poezia e Dritëro Agollit, definohet si lirikë e idesë kolektive, poezia e Azem Shkrelit meditative, e Ismail Kadaresë dhe Rr. Dedajt asociative, ndërsa e F. Gungës si lirikë e simboleve bashkëkohore etj. Dhe, përfundon me konstatimin se „poezia shqipe është sot më e pasur se kurrë mëparë; me përmbajtje, me shprehje e me gjeste.“ (20. Po aty, f. XXXIX).

Në këtë parathënie, Rexhep Qosja shprehet edhe për poezinë e brezit më të ri! Përveç poezisë së etapës së parë, të cilën e emëron si etapë e viteve pesëdhjetë, kur përmend brezin e dytë dhe brezin më të ri, ai nuk i përmend vitet, fare! Në poezinë e brezit më të ri, kritiku dallon dy prirje ose siç i quan ai, dy linja: „linja e racionalizmit të tepruar, ose linja e iracionalizmit të pakontrolluar, me ç‘rast linja e parë ruan një gjendje statike të vargut tradicional, kurse e dyta është akoma e rëndë që ta asimilojë, gjuha shqipe.“ (21. Po aty, f. XLI). Në këtë parathënie, kritiku flet edhe për fenomenin e hermetizmit, në poezinë shqipe.

 

 

                                  MBI HERMETIZMIN

Në poezinë shqipe, në vitet `70, u shfaq fenomeni i hermetizmit, i cili kishte dallim të madh me shfaqjen e këtij fenomeni në letërsinë e madhe të Europës! Këtë fenomen, që në fillim, profesor Qosja e trajtoi dhe me të drejtë e vlerësoi si diçka që në poezinë tonë ka hyrë nga jashtë dhe jo si inkuadrim të tij të natyrshëm në këtë poezi. Ndërsa, në poezinë europiane, hermetizmi shenjon një stad të kësaj poezie, në letërsinë shqipe më tepër shenjonte në këtë kohë ndikimet e jashtme të paasimiluara, se sa një vetëdije krijuese.

  Kur jemi te dukuria e hermetizmit, duhet përmendur se ky u dënua edhe nga kritika e Realizmit socialist, e cila synonte të shpjegonte anën sociologjike të fenomenit, ndërsa Rexhep Qosja hynte drejtpërdrejt në problemet letrare, në problemet e artit, si të tillë. Kështu, në artikullin, për vëllimin poetik të Musa Ramadanit „Mëkatet e Adamit“, me titull „Artikulim poetik“, vëren disporporcionin në mes të asaj çka synojnë poetët tanë në atë kohë dhe rezultateve, të cilat i arrijnë me këtë rast. Në poezinë e tij „…nuk mund të vërehen gjurmët e figuracionit të njohur alogjik të Surealizmit. Vargun e tij e bën hermetik jo figura, jo aq pesha meditative e tij, sa përpjekja e selitur që të jetë doemos hermetike me paradokse abstrakte filozofike, me çka në të vërtetë komprometohet kuptimisht poezia e përmbledhjes „Mëkatet e Adamit“ (22. R. Q. „Panteoni i rralluar“, f. 92 – 93). Për dukurinë e hermetizmit në poezinë e sotme shqipe, kritiku shfaq mendimin e tij edhe në „Antologji e lirikës shqipe“. Edhe këtu, ai shprehet se kjo dukuri në poezinë shqipe nuk është diç e natyrshme, por diç që hyn si ndikim i paasimiluar nga jashtë: „Prej kësaj poezie, e cila efektin e vetë më të madh e mbështet në organizimin guhësor të vargut, ata mbërrijnë të kapin, kryesisht, idetë, të cilat në rastet më të shpeshta s’i kanë mjaft të qarta për shkak të karakterit të tyre metafizik e, jo edhe mënyrën e organizimit gjuhësor dhe muzikor të vargjeve. Jo aq rrallë, ndikimet e tilla, të paasimiluara si duhet dhe sa duhet, sjellin atë hermetizmin e plotë të një pjese të lirikës sonë, që s’ka asgjë të përbashkët me hermetizmin e poetëve, prej të cilëve janë ndikuar, sidomos të atyre poetëve të mëdhenj europianë, që prej simbolizmit e këndej fshehin një nëntekst të pasur, brenda strukturës së ndërlikuar të vargut të tyre.“ (23. R. Q. „Antologjia e lirikës shqipe“, f. XL).

Hermetizmi, në ato vite ishte më tepër shenjë e papjekurisë poetike, sesa vlerë e poezisë! Kjo dukuri shfaqet në letërsitë e ngritura dhe është shprehje e lëvizjes së poezisë nga sferat e njohura në të panjohurat, si pakënaqësi ndaj stadit ekzistues të saj.

 

Më gjerësisht, kritiku u ndal, në vështrimet për poezinë e Enver Gjerqekut, (24. R. Q. „Dialogje me shkrimtarët“, ff. 251 – 287) pastaj në krijimtarinë e Din Mehmetit (25. R. Q. „Shkrimtarë dhe periudha“, ff. 343 – 369) dhe në krijimtarinë e Rrahman Dedajt (26. R. Q. „Nocione të reja albanologjike“, ff. 152 – 191).

Në vështrimin eseistik për E. Gjerqekun, „Enver Gjerqeku (1928)“, profesori, gjerësisht e shtjellon mendimin e tij për tri përmbledhjet e para poetike të tij. Në këtë shkrim ai përcjell hap pas hapi verbin poetik të Gjerqekut, ndalet në pikat qenësore të krijimtarisë së tij. Veçoritë e kësaj krijimtarie si melankolia, subjetivizimi i theksuar dhe notat e dhimbjes, me të cilat ngjyrosej verbi i këtij poeti në vëllimet e para, më vonë edhe se i ruan në masë më të vogël këto veçori, do të shkojë duke e stabilizuar shprehjen poetike me një ndjeshmëri, e cila i afrohet shprehjes moderne. Më tej, Rexhep Qosja do të kërkojë në këtë poezi veçori dhe prirje të reja siç është rruga ekzistenciale, të cilën e ndjekë subjekti lirik i i Gjerqekut, poezia reflektive dhe simboliste, domethënia metaforike – simbolike, metamorfozat poetike, relacionet simbolike, toni ironik etj., që e shenjojnë prirjen dhe ndjeshmërinë moderne në poezi. Edhe në përmbledhjen e fundit „Blerimi i vonuem“, në të cilën kritiku sheh një ngritje cilësore;  „poezia e Gjerqekut nuk është liruar ende nga elementet e retorikës dhe të romantizmit.“ (27. R. Qosja „Dialogje me shkrimtarët“, f. 284). Në këtë shkrim, ai flet edhe për formën e vargut, vargun e lirë dhe atë të lidhur, për keqpërdorimin e vargut të lirë dhe kthimin e interesimit të Gjerqekut për vargun e lidhur, konkretisht për sonetin.

Qysh në këtë shkrim, Rexhep Qosja flet për hermetizmin, që është shprehje, më tepër i ndikimit të jashtëm në letërsinë shqipe, sesa si një vlerë e saj! Në poezinë e Gjerqekut, ai heton një „hermetizëm të butë“, që shenjon një rrugë të mesme në këtë drejtim: as qartësi gjer në fund, as varg të mbyllur nga lexuesi.

Në fund, mund të themi lirisht se ky shkrim dhe shkrimet tjera që gjenden në këtë libër, me gjithë të metat që i ka, paralajmëron kritikun e ardhshëm, i cili me kompetencë do të shprehet për fenomenin e quajtur letërsi, si në planin historik, ashtu edhe në atë bashkëhohor.

Në vështrimin për poezinë e Din Mehmetit, në librin „Shkrimtarë dhe periudha“, shihet një ngritje cilësore në kritikën e Rexhep Qosjes, një stabilizim dhe një konçizitet të shprehjes! Në këtë vështrim ai shkruan për pesë vëllimet e Din Mehmetit, të shkruara gjer në atë kohë: për përmbledhjet: „Në krahët e shkrepave“, „Rini diellore“, „Dridhjet e dritës“, „Heshtja e kullës“ dhe „Ora“.

Sikurse në përmbledhjet e para të E. Gjerqekut, ashtu edhe në përmbledhet e para të Din Mehmetit, kritiku i has të metat foshnjore, që e përcollën këtë poezi në fillimet e saj! Një nga të metat e saj, në fillet e saj ishte entuziazmi që shoqëronte atë, pastaj temat sentimentale, si fati i dikurshëm i gruas dhe fati i vuajtur i malësorit, po në të kaluarën, sepse në prezentim shoqëria demagogjike socialiste e konsideronte se i ka zgjidhur problemet, si të gruas ashtu edhe të fshatarësisë së varfër! Në shprehje, këtë poezi e shoqëronte patetika emocionale dhe retorika e shprehjes! Pastaj, si e metë e kësaj poezie në fillimet e saj ishte edhe një lloj sentimentalizmi që depërtonte në poezinë e sotme nga një pjesë e poezisë tradicionale, që zinte vend, jo vetëm në poezinë e Din Mehmetit. Keqpërdorimi i vargut të lirë është një e metë tjetër e kësaj poezie, e cila këtu shenjohet si prozaizëm në poezi. (28. R. Q. „Skrimtarë dhe periudha“, f . 359). Këtë të metë, profesor Qosja e emërton edhe me nocionin „vjershë narrative“, në ndjeshmëri artificialiteti është ai që e dëmton këtë poezi! Nga kjo, si rrjedhojë, do të jetë shkrimi i vargjeve të rënda, të dhunuara dhe artificiale! Formulimi afristik paradoksal i mendimeve në vargje si dhe zhurnalizimi poetik e dëmtojnë këtë poezi.

Vlerat në poezinë e Din Mehmetit, janë ato që i ngadhnjejnë të metat. Ndër shenjat e para të këtij ngadhnjimi, sipas kritikut, është harmonia dhe balancimi në mes të imagjinatës poetike dhe ndjenjave të krijuesit (358), pastaj ndjenja brenda strukturës ritmike dhe figurative të vargut (360), në asociacionet që degëzohen brenda metaforave  (360). Në vazhdim, Rexhep Qosja shtjellon distinksionin në mes të poezisë tradicionale dhe asaj moderne. Pasi jep shenja e tradicionales, në poezinë e sotme shqipe, ai metaforën e shenjon si bazën e poezisë moderne. Sipas tij, poezia moderne është e bazuar në metaforat dhe asociacionet që rrjedhin prej tyre. (29. Po aty, f. 360). Metaforizmi i gjuhës poetike (363) shenjon ngritjen cilësore të poezisë së sotme shqipe, shenjon modernitetitn e tij. Si njëra nga vlerat e poezisë së sotme shqipe, po ashtu edhe të poezisë së Din Mehmetit, R. Qosja shenjon kontinuitetin e tyre me poezinë e traditës. Për të qenë me të vërtetë poezia, ajo duhet ta ruajë kontinuitetin me traditën, por edhe ta tejkalojë, atë.

Më poshtë, profesor Qosja shkruan për tragjikën ekzistenciale, që has në fatin e subjektit lirik, për unazat e metaforave (361), që e shoqërojnë shprehjen poetike të Din Mehmetit, për shprehjet e qëlluara simbolike, krijimin e simboleve nga përsëritja e metaforave dhe për simbolet e pavarura. Kthimi i poezisë në figurë, identifikimi i saj me metaforën, kjo është shkalla më e lartë e shprehjes figurative në poezinë e sotme shqipe. Si shenjë e modernes në këtë poezi është edhe dendësia metaforike dhe domethënia simbolike e vargut (345). Përveç shprehjes simbolike në poezinë e Din Mehmetit, hasim edhe në numrin simbolik, që e rivitalizon nga krijimtaria popullore. Në këtë poezi, ai përcjell shtegtimin e subjektit lirik midis vetëdijes mitologjike dhe shprehjes moderne poetike (359).

Ashtu siç bënte distinksionin në mes të tradicionales dhe të modernes, në vështrimin për E. Gjerqekun, kurse në vështrimin për D. Mehmetin, ai bën distinksionin në mes të lirikës subjektive dhe të lirikës objektive.

Angazhimi i D. Mehmetit emërtohet si angazhim universal, megjithëse, fakti që në atë kohë, në rend të ditës ishte angazhimi klasor.

Ndërsa, në lidhje me krijimtarinë e Rrahman Dedajt, profesor Qosja shkroi një vështrim të gjatë me titull „Poetika e risemantizimit“, (30. R. Qosja, Nocione të reja albanologjike, ff. 152 – 188) në të cilën gjerësisht ai i analizoi vëllimet e këtij krijuesi, prej të parit „Me sy kange“, të botuar në vitin 1962 e gjer tek i katërti „Etja“, të botuar në vitin 1973 dhe i pesti „Gjërat që s‘preken”, të botuar në vitin 1980.

Këtë vështrim e fillon me të arriturat e teorisë së receptimit, e cila si kriter të vlerësimit të veprës letrare ka lexuar, ose thënë më mirë pritjen  e veprës nga lexuesi. Nocionet e përdorura nga R. Qosja, si „intensiteti i receptimit“ ose „fati receptiv i veprave letrare“ ose „studimi historik i receptimit“, në tekstin e parë me titull mjaft domethënës „Horizontet e pritjes“, për krijimtarinë e Rr. Dedajt hapin një horizont të ri të vlerësimit të veprës letrare te ne. Më tutje, profesor Qosja hyn në analizën e tekstit letrar, nga vepra e parë gjer tek e katërta, duke i analizuar evoluimet e krijimtarisë poetike të Dedajt.

Krijimtaria poetike e  .Dedajt, u ngrit së bashku me krijimtarinë e bashkëkohësve të tij dhe pak a shumë kaloi nëpër ato shkallë që kaluan edhe veprat e tyre, por në këtë drejtim vepra e tij i kishte specifikat e reja të vrojtimit të fakturës poetike, disponime të reja lirike, të bazuara në një simbolikë më të sistemuar poetike…,“ (31. Po aty, f. 154) si vlera të reja të kësaj poezie, do të përmenden simbolika dhe mitologjia, mbi të cilat do të krijohet poezia e Dedajt. Këto do të jenë shenja qenësore të strukturës së kësaj poezie. Kur jemi këtu, Rexhep Qosja shtjellon raportin e figuracionit në strukturën e veprës me hermetizmin, që kishte filluar të depërtonte në poezinë shqipe, pastaj drejtpeshimin në mes të traditës kombëtare dhe të sensibilitetit modern, në krijimtarinë e poetit. Duke e vështruar këtë poezi në kontinuitet, këtu, në tekstin „Prej poetikës së lirizmit deri te poetika e ironisë“, përcillen ndërrimet në strukturën poetike, të cilat e karakterizojnë poezinë e sotme shqipe, në kalimin nga vitet `60,  në vitet `70.

Në disa faqe në vazhdim, kritiku shqyrton qëndrimin e poetit ndaj krijimtarisë dhe ndaj vargut! Margjinalizimi i letërsisë dhe i artit në botën bashkëkohore është një problem më vete. Për poetin, vargu është trashëgimtar i gëzimeve dhe i dhembjeve, i dyshimeve dhe i shpresave të tij. „Vargu poetik, sipas pikëpamjeve të tij, mund të jetë dëshmi e dramës intime të krijuesit të tij, duke qenë njëkohësisht, dëshmi e së kaluarës, e trashëgimisë, e historisë.“ (32. Po aty, f. 159) Edhe qëndrimi ndaj krijimtarisë, ndryshon nga vëllimi i parë e i dytë në të tretin e, sidomos në të katërtin! Në vëllimin poetik „Etje“, vargu na del me sintagmë të re, „vargu kryeneç“! Në këtë kohë, vargu i tij më nuk është ai vargu transparent i përmbledhjeve të para, por është një varg më i rëndë, më kryeneç me formën, me figuracionin, më kryeneç me semantikën e tij. Kalimi i poetikës nga intimizimi në ironi shenjon kalimin në poetikën moderne, që e përjetoi poezia shqipe, në vitet `70, pjesë e së cilës është edhe poezia e Dedajt.

Një pjesë në vazhdim, „Semantika e hapësirës“, kritiku shtjellon nocionin ,kohë` në poezinë e Rr. Dedajt. Gjeografia e poezisë së këtij poeti, plotësohet me lëvizjen imagjinative të subjektit lirik nëpër të! Hapësira, këtu merr kuptim figurativ duke marrë konturat konkrete të vendlindjes, por që rrezaton një kuptim më të gjerë, një kuptim më universal. Edhe këtu jep shenjat dalluese të poezisë së Dedajt! Këtu vendlindja, poezisë, nuk i jep ngjyra sentimentalizmi apo të një ndjeshmërie folklorike, por përkundrazi „poezia e Rr. Dedajt, kur e kur ngritet në nivelin e mendimit modern poetik, mbi fatin e njeriut të asaj hapësire. (33. Po aty, f. 165). Nuk është vështirë që të „zbulohet“ pas fatit të subjektit lirik fshihet fati i shqiptarit, të cilit ia caktojnë hapësirën të tjerët, në të kaluarën dhe në të sotmën e tij.

Hapësirën e subjektit lirik e mbështjell koha, e cila është më e gjerë, sepse përfshin të kaluarën dhe të sotmën, kohën subjektive, pra atë të përjetuar subjektivisht nga ai: „Hapësira dhe koha janë dimensione objektive që konkretisht e ndriçojnë qenien e tij.“ (34. Po aty, f. 65) Rrezatimet semantike të hapësirës dhe të kohës janë të kushtëzuara ndërmjet vete. Edhe këtu, Rexhep Qosja bën dallim në mes të nocionit të kohës, në poezinë e vëllimeve të para poetike të Dedajt dhe të atyre të mëvonëshme. Në fillet e kësaj krijimtarie shquhej koha subjektivisht e përjetuar, ndërsa më vonë subjekti lirik e përsiat kohën përmes monumenteve të saj autentike e, jo përmes kohës subjektive. Tani subjekti lirik i kësaj poezie „është një memorie e vërtetë mitologjike dhe historike.“ (35. Po aty, f. 166) Koha objektivizohet përmes monumenteve të saj, sikundër janë! Guri i lashtësisë, Koka e Apollonit, Butrinti, fyelli, duvaku i nuses etj., por edhe përmes baladave, legjendave, përrallave etj.

Ndër simbolet, të cilat R. Qosja i analizon në krijimtarinë e Dedajt, janë simboli i gurit, i shiut, i erës dhe ai i urës. Përmes simbolit të gurit „koha merr trajtën e objektit material, kurse objekti material ruan trajtën e kohës….“ (36. Po aty, f. 168) R. Qosja, këtu bën distinksionin në mes të kohës së subjektivizuar dhe të kohës së objektivizuar në poezinë e Rr. Dedajt, duke i dhënë përparësi kësaj të fundit: „koha e objektivizuar është koha që flet më së miri, me fjalë të tjera koha e objektivizuar është koha më autentike që objektivisht e mbulon hapësirën e subjektit lirik …“ (37. Po aty, f. 168), Koha në poezinë e Dedajt bëhet një dimension i manifetimit meditativ të subjektit lirik, por ky dimension dallon mjaft nga dimensioni i poezisë, e cila përherë ngelet në figurimin subjektiv të saj. Figura tjetër qëndrore e Dedajt, ura, e cila inkuadrohet lirshëm në mitologjinë poetike të tij: „Ura, që simbolizon idenë e kontinuitetit, bëhet ide kryesore, që inkuadrohet në mitologjinë poetike, duke u bërë një prej dimensioneve më të rëndësishme semantike të fakturës së poezisë së tij.“ (38. Po aty, f. 169) Në këto monumente, të kulturës shpirtërore, siç janë ura dhe guri, R. Qosja e sheh dimensionin metafizik të poezisë së tij.

Në pjesën „Struktura e mitologjisë poetike“ shenjohet struktura e poezisë së Rr. Dedajt, me mitologjinë, e cila në të njëjtën kohë është e lashtë dhe moderne. Miti dhe simboli, sikur në poezinë  më të re të këtij poeti shquhen, dalin në radhë të parë dhe kështu bëhen shenjues të poetikës së tij. Këto dy figura, mitike dhe simbolike, tani qëndrore në krijimtarinë e tij, lidhen me hapësirën dhe kohën, kështu „krijojnë një varësi të kuptimit poetik …“ , (39. Po aty, f. 171) depërtimi në poetikën mitike bëhet jo vetëm përmes figurave, por edhe përmes numrave. Në vëllimin „Gjërat që s’preken“, poezitë e të cilit kanë numrin fiks të vargjeve 13, ky numër: „bëhet, kështu, indikator, çelës deshifrues i lindjes, respektivisht i botëkuptimit të tij.“ (40. Po aty, f. 172). Numrat, legjendat, baladat, mitet dhe simbolet sikundër janë; Fjala, Etja, Lulja, Emri, Guri, Balada, Legjenda, Përralla, Ura, Zjarri, Uji, Hëna, Toka etj., krijojnë sistemin e simboleve, respektivisht, mitologjinë poetike.

Simbolet në këtë poezi ndahen në simbole konstante dhe jokonstante, ndërsa struktura simbolike e tij është dinamika dhe, për këtë shkak numri i simboleve jokonstante është më i madh se ai i simboleve konstante. Më tej, poetika e Rr. Dedajt përkufizohet si poetikë e risemantizmit në pjesën në vazhdim të këtij vështrimi. Shtimi i simboleve individuale, kontekstuale, por edhe shtresimi i ri semantik i simboleve konstante, tregon dinamikën strukturore të kësaj poezie, në sistemin simbolik të së cilës „simboli konstant dhe simboli kontekstual, ndikojnë në njëri-tjetrin në drejtime të kundërta: në drejtim të universalizmit, respektivisht në drejtim të kontekstualizmit semantik dhe, rrjedhimisht, artistik.“ (41. Po aty, f. 175) Këtu analizohet simbolika e kullës, e cila në kontekste të ndryshme rrezaton kuptime të reja, si psh.: Në poezinë „Fëmija“, kulla simbolizon vetminë, izolimin, heshtjen e simbolit lirik, në poezinë tjetër „Ai i lagjes së fundit“, ajo bëhet simbol i objektit të kërcënuar prej izolimit të vet, ndërsa në poezinë „Letra e pestë“ kulla „përplotëson lektisjen e subjektit lirik për vendlindjen.“ (42. Po aty, f. 175-6) Në vazhdim, kritiku analizon simbolin e rrashtës, të unazës, simbolin e zogut, pastaj analizon poezitë, të cilat i quan antologjike, „Përralla për vashën“, Përralla për nusen“ dhe përralla për gruan“, të përmbledhjes „Etje“. Në këto poezi shprehet më së miri poetika e risimantizimit, kur simbolet tradicionale, konstante, siç janë; Vasha, Nusja dhe Gruaja, kthehen në simbole kontekstuale: „Kështu, poezia e tij semantikisht intensifikohet deri në maksimum. Dhe, kështu, një poezi e strukturës dinamike figurative, bëhet poezi e strukturës polisemike.“ (43. Po aty, f. 182). Kuptimi i poezisë së Dedajt, do të mbetet i pazbërthyer, nëse nuk hetohen elementet themelore të sistemit të tij simbolik, nëse nuk do të zbërthehet mitologjia e saj poetike. Çdo simbol, çdo mit mund të ketë kuptim, vetëm në kontekstin e caktuar të sistemit. Por, figura është përcaktuesja e karakterit të strukturës së poezisë së tij. Poezia e Dedajt është poezi e hapur: „Duke e bazuar, kështu, thënien e vetë në figurën, në të vërtetë duke i dhënë mundësi realizimi poetik botës materiale, në njërën anë, kurse mitit dhe simbolit, që s’janë tjetër përpos përfytyrim i konkretizuar  i asaj bote materiale, në anën tjetër, Rr. Dedaj, në poezinë e tij, praktikisht, i jep mundësi botës të flasë vetë.“ (44. Po aty, f. 185).

Një tjetër problem që shtrohet në këtë vështrim është problemi i kontinuitetit, që e karakterizon krijimtarinë e Dedajt. Ky poet, me vetëdije, në poezinë e tij i inkuadroi figurat materiale dhe shpirtërore kombëtare, por mënyra se si u inkuadruan ato në strukturën e tekstit të tij është moderne!

Ky vështrim për poezinë e Rr. Dedajt është kulmi i kritikës, është vështrim antologjik në kritikën shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …