Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, një vatër e ngrohtë për të gjithë shqiptarët

Në Ambasadën Shqiptare në Bernë, na priti dhe na uroi mirëseardhje ambasadori z. Ilir Gjoni, i cili i kishte ftuar mësuesit e shkollës shqipe në Zvicër për dy arsye, një takim pune me mësuesit me rastin e fillimit të Vitit të Ri shkollor si dhe për marrjen e teksteve shkollore, të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën në Tiranë (QBD-ë)

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës është një vatër e ngrohtë për të gjithë shqiptarët. Ajo ka bërë e po bën shumë për të gjithë ne, duke na mbështetur e duke na nxitur të jemi sa më pranë Shqipërisë me mendje e me zemër. Kështu, ajo ka zhvilluar e po zhvillon veprimtari të shumta të cilat e ngrenë sa më lart emrin e Shqipërisë dhe dinjitetin e saj dhe të të gjithë shqiptarëve pa dallim. Një angazhim i përkushtuar është parë gjatë vitit të kaluar dhe sivjet veçanërisht me hapjen e pikave shkollore në disa kantone të Zvicrës.

Disa mësimdhënës shqiptarë të udhëhequr nga koordinatori dhe organizatori i nderuar profesor dr. Vaxhid Sejdiu, të shtunën që shkoi, në atë ditë shumë të bukur e me rreze të ngrohta dielli, u nisën për të shkuar në Bernë në Ambasadën Shqiptare, me ftesë të Ambasadës për dy arsye; takim pune me rastin e fillimit të Vitit të Ri shkollor dhe për marrjen e teksteve shkollore, të cilat i kishte dërguar për shkollat shqipe në Zvicër Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD-ë).

Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet janë hapur dhjetëra shkolla shqipe, të cilat kanë një mbështetje të fortë nga Ambasada Shqiptare dhe natyrisht kanë nevojë të madhe për tekste shkollore. Nga një bashkëpunim kaq i mirë dolën edhe rezultate të mira. Kështu nga Tirana (QBD-ja) në Bernë të Zvicrës na erdhën edhe shumë libra shkollore.

Me këtë rast dua ta theksoj se puna dhe veprimtaria e profesor dr. Vaxhid Sejdiut është jo vetëm një veprimtari e arsimore e kulturore, por ajo është edhe një nga veprimtaritë e shquara atdhetare në mesin e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Ai me një dashuri e me një kulturë të lartë kombëtare e shoqërore përgjithësisht ka vepruar me gjithë përkushtimin më të përkryer, duke hapur shkolla shqipe në kantone të ndryshme të Zvicrës, sa që sot (brenda një viti) jemi bërë 20 mësues të shkollave shqipe, që punojmë në rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër.

Ambasadori z. Ilir Gjoni na priti, i buzëqeshur, me një dashuri vëllazërore së bashku me punonjësit e tij. Ky angazhim i tij ka qenë është i vazhdueshëm, pothuajse në të gjitha takimet dhe manifestimet e shumta shqiptare në Zvicër ka qenë i ftuar dhe e ka marrë fjalën, duke u shprehur me pak fjalë, por të përmbledhura mirë, duke e dhënë kuptimin e mirëfilltë të përmbajtjes së shëndetshme kombëtare e shoqërore, e duke  theksuar lidhjet me atdheun, me gjuhën, kulturën e qenësinë shqiptare. Po kështu me dashuri vëllazërore e nderime të veçanta na ka pritur edhe në shkurtin e vitit të kaluar, kur një grup i vëllezërve dhe motrave arbëreshe të udhëhequr nga mësimdhënësi e veprimtari i mirënjohur arbëresh Michele Greco erdhën në Zvicër dhe  së bashku me veprimtarë shqiptarë në Friburg dhe Gjenevë e në mesin e tyre edhe   këngëtarja e shquar Mimoza Nazarko organizuan koncerte në Friburg dhe Gjenevë për nder të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Të gjithëve na bëri përshtypje na gëzoi pamasë  një pritje aq e ngrohtë e vëllazërore.

Ai dje na tha se institucionet shqiptare, Ambasada, të cilën ai e drejton, janë të interesuara dhe kanë shprehur gatishmërinë për të na përkrahur e ndihmuar, që shkollat shqipe të përhapen sa më shumë, në kantone të ndryshme të Zvicrës. Ndër të tjera ai tha:

̶   Unë jam i interesuar personalisht që kultura shqiptare dhe arsimi e dituria të jenë pjesë e pandarë e jetës dhe e veprimtarisë  e të gjithë shqiptarëve në Zvicër dhe shprehi të gjithë gatishmërinë time, të jap ndihmesën time kudo që kërkohet e sa të mundem.

Ai shprehi gatishmërinë  e tij, po ashtu, për të ardhur në tubimet e manifestimet shqiptare, që të flasë edhe ai vetë për rëndësinë e shkollës shqipe e për mbështetjen që institucionet shqiptare, ambasada e ai vetë i japin shkollës shqipe në Zvicër etj.

Në një atmosferë të tillë, ai na dha librat dhe materiale shkollore të reja për punën e zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe. Na tha se kanë ardhur nga Shqipëria (nga Qendra e Botimeve për Diasporën) dhe nëse ka nevojë do të vijnë edhe libra tjera për t`iu shërbyer shkollave shqipe dhe fëmijëve shqiptarë.

U ndamë duke uruar të takohemi e të kuvendojmë sa më shumë për përhapjen e kulturës e diturisë të gjuhës shqipe. Në fund na vijnë në mendje vargjet e bilbilit të gjuhës shqipe, shkrimtarit e atdhedashësit të madh shqiptar Naim Frashërit, që u shkri për Shqipërinë: “Dhe dritë e diturisë, përpara do të na shpjerë.”

Isuf Ismaili, është mësues i shkollës shqipe në Zvicër

6 shtator 2020

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …