Isuf Ismaili: Romani:”Qëndresa” i Vito Koçit, shkëlqim atdhetarizmi në letërsinë shqiptare

Tridhjetë vite më parë në Tiranë u botua romani “Qëndresa” i shkrimtarit Vito Koçi.


Ky roman ka rëndësi shumë të madhe në kuptimin ideor e tematik, thellësisht kombëtar e njerëzor dhe natyrisht i rëndësishëm në kuptimin gjuhësor e stilistik, metaforik, i pasur me shprehjet dhe mençuritë popullore shqiptare, i këndshëm në rrjedhshmërinë e rrëfimit dhe përshkrimit, me një logjikë të qartë, të kthjelltë,  i pranueshëm si vetë kthjelltësia dhe bukuria natyrore e maleve e gjelbërimit dhe rrëkeve e ujëvarave dhe pasurive të tjera të Atdheut tonë.


Kjo vepër letrare që në faqet e para paraqet një harmoni vlerash dhe na nxit, na rrëmben për ta lexuar librin sa më parë.


Ngjarjet janë aq interesante, janë të përshkruara me një ndjeshmëri të madhe nga edhe na del tematika e pasur dhe e pastër atdhetare e cila rrezaton kudo në këtë vepër. Veç kësaj ane emocionale  si një dukuri e theksuar, e cila si në planin psikologjik, ashtu edhe në planin letrar harmonizohet plotësisht.


Më 1982, pra u botua ky roman, një vit pas ngjarjeve heroike e madhështore që nisën si demonstrata dhe që morën shenjat e një kryengritje dhe të  një vullkani shqiptar kundër Jugosllavisë, që i mbante të pushtuara një pjesë shumë të madhe të viseve të Shqipërisë së natyrshme.


Në të gjitha faqet e kësaj vepre letrare shquhet përkushtimi atdhetar i shkrimtarit, prej nga burojnë edhe porositë e qarta për bashkimin e Shqipërisë.


Kjo vepër dhe shumë të tjera dëshmojnë hapur përkushtimin atdhetar e vëllazëror të asaj ane të Atdheut për Kosovën e viset të tjera shqiptare të pushtuara nga serbo- maqedono-  malazezët e grekët.


“… shovinizmin,duhet kërkuar e duhet gjetur, gjetiu dhe jo te shqiptarët e Kosovës dhe as te ata të Republikës të Shqipërisë, që përbëjnë një popull e një komb.” ( Gazeta: “Zëri i popullit” 8 prill 1981)


Ngjarjet vendosen diku në vitin 1912, në prag të pavarësisë së Atdheut dhe mbas saj.


Shkrimtari duke shprehur përkushtimin atdhetar dhe nëpërmjet një mjeshtërie artistike e letrare ka arritur të paraqesë, shpirtin çetnik sllavomadh, tërbimin antishqiptar serb dhe ndërmarrjet barbare të tyre që kishin për qëllim të zhbënin në radhë të parë shqiptarët e devotshëm e atdhetarë, e pastaj të tërë shqiptarët, për të pushtuar jo vetëm Kosovën, por gati të tërë Shqipërinë dhe për të dalë në portet shqiptare, në detin Adriatik.


Shkrimtari na e paraqet një personazh të tij francez Pjer Bezhon, që ishte mjek ushtarak francez, të cilin e kishte dërguar Franca, si mike historike e Serbisë, për ta ndihmuar ushtrinë serbe.


Pjer Bezho, siç na paraqitet në roman, është një njeri që më tepër i takon fushës së krijimtarisë letrare, por nga halli kishte mbaruar për mjekësi dhe kishte përfunduar mjek ushtarak. Ai kishte mbajtur shënime dhe shënimet synonte t`i përdorte për krijimtarinë e tij letrare.


Shkrimtari Vito Koçi duke na paraqitur këtë personazh dhe shënimet e tij ku gjen rastin e përshtatshëm për të paraqitur atë tërbim serb antishqiptar, ndërmarrjet, masakrat dhe barbarinë, shovinizmin e ushtrisë e të mekanizmave shtetërore serbe e jugosllave.


Dhe ja se ç`na thotë shkrimtari Vito Koçi nëpërmes personazhit të romanit të tij Pjer Bezho:


  


  “Si pjesëtar i ekspeditave të ushtrisë sonë në kolonitë franceze, më kanë rënë rasti të shoh se ç’është një raprezalje ushtarake, po ato që pashë në fushën e Kosovës i kaluan jo vetëm caqet e përvojës sime, por edhe të imagjinatës më të guximshme…


                Djegiet, shkatërrimet, plaçkitjet, pushkatimet dhe varjet pa dallim seksi dhe moshe ishin diçka fare e zakonshme, por më takoi të shkoja familje të tëra që thereshin, me thika si berrat, ose digjeshin të gjalla, njerëz që u priteshin gjymtyrët, foshnja që merreshin në majë të bajonetës, dhe flakeshin  në zjarr, gra shtatzëna që u hapej barku më bajonetë dhe plot tmerre të tilla. Megjithatë goditjet e vendasve vazhdonin dhe njësia i paguante me haraç të rëndë masakrat që bënte…”


(Romani : “Qëndresa” , faqe 143, 144  shkrimtari: Vito Koçi)


 


Këto që u cekën më lartë nuk duan koment, por detyrimisht na çojnë në luftën heroike të fundit që e bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballë makinerisë vrastare, dhe shpirtit barbar e të tërbuar serbo – çetnik që synuan të zhbëjnë për fare shqiptarët në Kosovë.


 


Por, Ushtria Heroike Çlirimtare e Kosovës dhe në radhë të parë Komandantët dhe Heronjtë  Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti ndezën flakën e lirisë dhe i dhanë grushtin dërrmues Serbisë së atëhershme, për t`u kurorëzuar fitorja me luftën vazhdueshme të pandërprerë, që e pasuan luftëtarët trima dhe të pamposhtur të UÇK –ës, deri në fitore dhe kështu u  dogjën planet serbe që kishin për qëllim së pari t`i  shuanin shqiptarët në Kosovë.


Si atëherë edhe në masakrat e mëparshme serbe edhe të tjerave në vazhdim as mund të shkruhen e as s`janë përshkruar më parë të gjitha krimet masakrat e barbaritë, çmenduritë, shovinizmi e tërbimet serbe, jemi të bindur se nuk mund të përshkruhen kurrë në tërësi, por aq sa mund dhe aq sa arrijmë duhet patjetër t`i përshkruajmë.


Ka autorë të shumtë në letërsinë shqipe që kanë shkruar romane dhe vepra të tjera letrare, mbi bazën e të cilave shëmbëllen heroizmi, krenaria, guximi, trimëria, përkushtimi atdhetar, sakrificat e shumta,  madhështia shqiptare, që kanë porosi të qarta për lirinë njëmendtë, për ribashkimin e atdheut, të trojeve të gjuhës shqipe, pa u shkëputur asnjëherë nga rrënjët  e principeve njerëzore. Këta autorë kanë lënë si monumente të pavdekshme veprat dhe emrin e tyre. Në këtë mes, në majën e kurorës së letërsisë së sotme shqipe është edhe Sylejman Krasniqi dhe si një simbiozë e veprave të tij është edhe romani: “Qëndresa” i Vito Koçit.


Sylejman Krasniqi përveç materialeve të shumta historike, letrare, arkivore, të cilat i ka shfrytëzuar me pedanteri, derisa i ka shtrydhur mirë, ka jetuar edhe në mes të malësorëve trima, të mençur e të përkushtuar, atdhetarë të cilët veç të tjerave kanë ruajtur në memorien e tyre një lëndë të përsosur të madhështisë e heroizmit shqiptar.


Duke u shtruar vendçe me këta burra, duke u njohur edhe me vendet e ku edhe janë bërë heroizma atdhetare dhe ku janë shfaqur mençuri popullore shqiptare, natyrshëm të gjitha këto janë përjetësuar në veprat e tij si: “Mic Sokoli”, “ Pushka top, Bajram Curri, “ Prisja e komitëve”, “Qielli i përflakur”, “Dardanët”, “Njeriu dy  herë i pushkatuar” etj.


Duke e lexuar veprën “Qëndresa”, kuptova se kështu si Sylejman Krasniqi edhe Vito Koçi ka vepruar. Nga njohuritë e pakta që kam për jetën e Vito Koçit, në bazë të informacioneve që më ka dhënë  profesori im i letërsisë Ali Xhiku në Tiranë,  shkrimtari Vito Koçi ka qenë me punë në mesin e malësorëve trima të veriut, ai, pra duket, se ishte ulur vençe me këta burra dhe lëndën e pasur atdhetare të tyre e ka shfrytëzuar veç të tjerave për ta hartuar dhe nxjerrë në dritë romanin: ”Qëndresa”.


Duke e lexuar këtë roman, menjëherë, vihet re,  theksimi se Kosova është pjesë e kapilarëve të mëmëdheut të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, është pjesë e pandarë e nënë Shqipërisë.


 


Ja një pjesë e shkurtër e romanit, ku shquhet ajo që e ceka më sipër, por paraprakisht një shpjegim i shkurtër është i domosdoshëm.


Ushtria serbe pasi kishte larë me gjak Kosovën, donte t`i kalonte alpet shqiptare dhe pastaj të dilte në detin Adriatik , por kishte hasur në rezistencën e malësorëve trima, të cilët kishin si ndihmesë edhe vendin e përshtatshëm për të zënë prita dhe për t`i dërmuar armiqtë.


Komanda serbe, siç na përshkruan autori, vendosi që përmes dredhisë dhe spiunazhit të thyente malësorët shqiptarë.


Komanda serbe e kishte gjetur një spiun shqiptar, Mark Bungën, si hanxhi  e i përshtatshëm për tradhti. Marku me toger Milanin e ushtrisë serbe, i cili dinte shqipen shumë mirë, nisen drejt kishës së fshatit Kurorë, te dom Matia. Toger Milani e vesh veladonin e priftit katolik dhe arrijnë në kishë. Dom Matja i propozon toger Milanit, i shtirur si Dom Françesku, që të takohej me Gjeto Lulin, udhëheqësin mendimtarin e shquar shqiptar të malësisë. Dhe kur toger Milani dëshiron ta blejë Gjeto Lulin  ja si i përgjigjet trimi i mençur e atdhetar:


 


“- Trojet tona, zotni, peshojnë rëndë nga gjaku i derdhur për to, e s’do të mjaftonte ari i botës për t’i blerë…


Faqe 277


– Ushtria e kralit ka lyer duart me gjakun e vëllezërve tanë shqiptarë të Kosovës! – ia priti Gjetoja.


– Ata janë myslimanë dhe i dolën për krah turkut,- tha dom Françesku.


– Ata janë shqiptarë sa dhe ne, zotni, madje ato troje janë vatra të shqiptarisë!- ia priti Gjetoja.


– Ato janë vise të Serbisë së vjetër, prandaj mos u ngatërroni kot me kësi punësh!- ia bëri me dorë dom Françesku.


– Janë serbe, sa ç’jeni ju shqiptar! – ia priti me urrejtje Gjeto Luli. – Janë troje të shqiptarëve, zotni, e të tilla do të mbeten sa të jetë jeta. Sado të rrekeni, sado gjak të derdhni kot e keni. S’do të fitoni veçse mërinë e një populli që s’di ta përkulë shpinën e s’e lëshon pushkën nga dora, pa fituar atë çka i përket. Jo, zotni, as Kosova e as vise të tjera shqiptare s’do të bëhen kurrë tuajat sa të ketë shqiptarë në këmbë…” Faqe 279.


 


Përdorimi i të shprehurit të mençur që shkrimtari e shquan në njësinë frazeologjike : “- Trojet tona, zotni, peshojnë rëndë nga gjaku i derdhur për to…” është një goditje e fuqishme çekani për të gjithë ata që sot mundohen të bëjnë pazare me trojet shqiptare.


Këtu gjej rastin për të shprehur idenë që e përshkon romanin, se Kosova nuk do të dorëzohej dhe s`do të bëhet kurrë serbe, sepse ajo është pjesë e natyrshme shqiptare, pjesë e Shqipërisë. Kjo është edhe një shtytje e shkrimtarit për t`jua përkujtuar gjithë shqiptarëve që të veprojnë për lirinë e bashkimin të atdheut. Ky frymëzim vjen pas ngjarjeve të vitit 1981, pra është mbështetje ndaj vëllezërve të një gjaku në Kosovë.


Romani ka në përbërje të tij shumë motive të rëndësishme që përmblidhen në  së bashku, duke e bërë një ndërthurje interesante e të këndshme artistike kësaj vepre letrare.


Në mënyrë sintetike do të thosha, se përmbajtja e romanit “Qëndresa” është jo vetëm atdhetare, shoqërore, por edhe përshkruese, ku na shfaqen bukuritë dhe madhështitë e natyrës shqiptare, të maleve e fushave dhe të dukurive të tjera, gjithashtu në roman  ndërthurën edhe motive të dashurisë së natyrshme vëllazërore, e fqinjësore, baritore, por edhe imtime, pastaj shfaqen edhe  motive të shëmtisë dhe pabesisë njerëzore, siç është tradhtia, prapaskena dhe keqinterpretime e keqpërdorime brenda aspekteve fetare, por edhe të përmbajtjeve të liga shoqërore, siç janë gjakmarrja dhe hasmëria etj. Megjithëkëtë, si një motiv i shquar dhe i fuqishëm që e përshkon tejpërtej romanin është motivi atdhetar, ku edhe motivet të tjera nënshtrohen dhe ato të ligat e të shëmtuarat zhduken pikërisht nga përmbajtja dhe përkushtimi i fuqisë dhe spikamës atdhetare.


Pikërisht me dukuritë e shëmtuara të gjakmarrjes fillon edhe romani dhe mbaron me triumfin njerëzor e patriotik shqiptar.


Heroi i veprës letrare është: Zenel Gjoka, i cili ishte detyruar të mbyllet brenda shtëpisë, ose të ngujohet, siç shprehen edhe malësorët, për shkak të  gjakmarrjes. Por, ai kishte marrë guximin, të dilte një ditë nga porta e kullës, pasi merr  ajrin dhe kundërmimet e njohura dhe të dashura të bjeshkëve ndër të tjera kujtohet për katragjyshin e tij Gjokë Gjokën, për të cilin ja si shprehet shkrimtari:” kishte qenë një malësor vigan nga trupi e nga zemra, trim me nam dhe shqiptar deri në fije të flokut.” (faqe 5) Por, Zeneli kujtohet dhe mallkon të birin e tij Hasanin që i kishte vrarë mikun e Fran Gjonit në besë dhe tani ishin në hasmëri pikërisht dy shokët e ngushtë, dy bashkëluftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe dy familjet e tyre. Sipas zakonit dhe kanunit për ta çuar në vend nderin dhe besën e mikut duhej të vritej dorasi ose një nga burrat e familjes të Zenel Gjokës, ndaj Fran Gjoni duke mos e takuar Hasanin e vret Mevlanin , djalin e tretë të Zenelit. Më vonë, kur Zeneli me gjithë dhembjen e madhe për Mevlanin,  për ta mbyllur gjakmarrjen edhe për motive atdhetare dhe njerëzore e shoqërore, donte t`ia falte gjakun Franit, në ndërkohë papritur fare i erdhi lajmi i hidhur, se Hasani kishte bërë një marrëzi tjetër, e kishte vrarë Franin, prandaj e mallkonte Hasanin në dhe e nën dhe.


Një tjetër personazh i dashur atdhetar, trim e fisnik dhe udhëheqës popullor është Gjeto Luli, siç u cek edhe më lartë. Ai pasi kishte dëgjuar për gjoja ndihmën që donin t`ia jepnin shtetet e Ballkanit mendonte:”Jo, bre, jo, liria s`fitohet me dorë të huaj , se dora që të ndihmon edhe të robëron!…” (faqe 22)


Gjetoja i kishte ndërhyrë te  bijtë e Franit për t`i dhënë besë Zenelit dhe zemra ia donte që sa më parë të pajtoheshin.


Ka shumë ndodhi e momente interesante në roman siç përshkruhen edhe për Bardhinën dhe Gjeloshin e Sokolin që ishin rritur së bashku duke i ruajtur bagëtinë dhe duke lozur e shoqëruar. Gjeloshi me Bardhinën janë, nipi dhe mbesa të Franit, ndërsa Sokoli është nipi i Zenelit. Shoqëria e tyre ishte pastër fëmijërore. Gjeloshi e Sokoli duheshin si vëllezër, edhe Bardhina i donte shumë. Por, Bardhina dhe Sokoli kur u rritën ndienin edhe një dashuri imtime, që nuk jetësuan dot. Bashkë të tre rrinin gjithnjë edhe familjet e tyre ishin mësuar me shoqërimin e sinqertë që kishin. Më vonë shohim se dashuria vëllazërore e Sokolit dhe Gjeloshit triumfon mbi motivin e gjakmarrjes dhe ata të dy trimërisht rreshtohen si luftëtarët më të denjë të atdheut dhe luftojnë me një heroizëm të madh kundër forcave ushtarake serbe.


Dhënia e jetës së tyre për atdhe dhe bashkimi i tyre gjoks më gjoks në çastet e fundit të jetës së tyre është tabloja përshkruese e emocioneve mbase më të fuqishme që shfaqen në romanin: “Qëndresa”. Ata të dy pasi kishin luftuar me heroizëm kishin ngelur vetëm dhe forcat e armikut dëshironin t`i tërhiqnin drejt vendit ku ishin luftëtarët të tjerë. Qëllimi i tyre ishte edhe për t`i larguar sa më tutje forcat serbe nga shpella ku ishin futur për t`u mbrojtur pleqtë fëmijët dhe gratë që ishin edhe të pamundur për të luftuar. Duke shtirë njëri në të djathë dhe tjetri në të majtë, arrijnë t`i hutojnë forcat ushtarake të armikut dhe t`i tërheqin drejt vendeve më të pjerrëta dhe humbëtirave malore, sepse kishin shumë pak fishekë dhe ashtu i çonin sa më afër luftëtarëve të tjerë shqiptarë. Të lodhur të mërdhirë nga të ftohtit, pa fishekë, pa ngrënë e pa pirë, të ndjekur nga armiku dhe të rrezikuar nga bishat e malit, arrijnë t`i çojnë ushtarët armikut serb drejt e kurthit dhe më në fund për të mos rënë në duar të tyre futen zgavër të shkëmbit ku  bëhen vetëm çerdhet shqiponjave. Dhe në ato çaste pranë e pranë njëri – tjetrit edhe pse sipas kanunit i binte që pasi të përfundonte lufta të jenë përsëri në hasmëri, ata si gjithnjë kur ishin bashkë e ndanin kafshatën fundit dhe kështu do të fitojë madhështorja, dashuria e tyre shpirtërisht vëllazërore,  dhe në çastet e  një e një parashikimi Gjeloshi po mendonte se edhe po të shpëtonin të gjallë përsëri mund ta vriste për gjakmarrje Sokolin, por jo : “Gjaku s`merret duke vrarë një pjesë të vetvetes”. Dhe më poshtë:


“ – Unë ta kam falur njëherë e përgjithmonë gjakun! – përsëriti Gjeloshi. – Ne do të jemi gjithmonë shokë vëllezër bashkë.” ( faqe 423 )


Ata ngrijnë në zgavrën e shqipeve, por vepra e tyre u bë shembull i madhërishëm qëndrese e bashkimi. Si burri burrit, si trimi i trimit  Deda babai i Gjeloshit, i fali gjakun Zenel Gjokës, pasi edhe shembulli i Sokolit dhe Gjeloshit ishte lajm – motivi më krenar, i madhërishëm por edhe i dhembshëm gjer në shpirt. U falën edhe gjaqe të tjera.


Këtu shfaqen edhe çastet të gëzuara, mbasi forcat shoviniste barbare serbe ishin shpartalluar plotësisht dhe kishin përfunduar të asgjësuara.


Ka përshkrime ngjarjesh e dukurish të shumta siç është rasti i krimeve barbare, i terrorit dhe djegieve shkatërrimit dhe shkretimit të viseve shqiptare të Shqipërisë verilindore në Kosovë, por edhe të qëndresës heroike të trimave e trimëreshave që rezistuan.


Pjer Bezho një personazh tjetër i romanit “Qëndresa “ na thotë për shqiptarët në Kosovë se:


“ Kaq shumë krenari, guxim, qëndresë dhe mospërfillje ndaj vdekjes mund të kenë vetëm njerëzit që e kanë kapërcyer cakun e dëshpërimit, ose kanë një ideal të madh. Shpejt fitova bindjen se ishte e dyta…” (faqe145)


Një veçanti më vete është lufta madhështore e malësorëve trima shqiptarë që shpartalluan dhe zhdukën ushtrinë barbare serbe dhe u bënë portë e pakapërcyeshme për armikun që të mos arrinte në Adriatik.


I bindur se ka shumë ngjarje në këtë roman që janë për t`i theksuar e studiuar, por në mënyrë të përmbledhur disa i kam cekur dhe analizuar e që janë më të rëndësishmet, po e përfundoj këtë vështrim letrar me qëllimin e mirë për t`i cytur lexuesit e ndershëm, liridashës e atdhetarë të përjetojnë emocione dhe përfitojnë sa më shumë nga bukuria e letërsisë së mirëfilltë artistike e atdhetare.


 


25.12.2012

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …