Letërsia e sotme shqipe është pasuruar e po pasurohet vazhdimisht me vepra të shumta të gjinive e llojeve letrare, të cilat kur më shumë e kur më pak e kanë shtuar nivelin e vlerave artistike.
Në këtë pasuri të madhe letrare është emri i shquar i shkrimtarit, i profesorit, i atdhedashësit të madh, i veprimtarit të denjë Ahmet Qeriqi që luftoi me pushkë e penë për lirinë e bashkimin e atdheut, për tërësinë e trevave të Shqipërisë dhe vlerave më fisnike e njerëzore, emri i të cilit është gdhendur në panteonin e shqiptarësisë sonë dhe s’ ka si të jetë ndryshe, ky emër do të rrojë gjithmonë së bashku me gjuhën shqipe e ëmbëlsinë e saj.
Nuk ka pasuri më të madhe për njeriun se sa një krijimtari e tillë, siç është veprimtaria e profesor Ahmet Qeriqit.
Po të flasësh a të shkruash për profesor Ahmetin nuk është aspak e lehtë, sepse ai qe jo vetëm një shkrimtar i mirëfilltë, por edhe një pedagog i shquar, një filozof i madh me mendime të thella, një gjuhëtar që pasuroi vazhdimisht fondin e gjuhësisë sonë, një redaktor me vlera të mëdha e kontribute të jashtëzakonshme në Radion Kosova e Lirë e Televizionin Dielli, një shok e mik i cili fjalën e kulluar shqipe e shfrytëzoi prore për të mirën e popullit shqiptar e të njerëzimit.
E gjithë jeta e tij qe krijimtari, qe veprim në dritën e rrugës sonë drejt shkëlqimit të Shqipërisë sonë.
Ai qe brumosur me idealet e shëndosha që fëmijë, ai bashkë me qumështin e nënës e fitoi edhe dashurinë e madhe për Atdheun, por edhe urrejtjen për pushtuesit barbarë të trevave shqiptare. Akoma fëmijë ai së bashku me shokët e filloi edhe veprimtarinë për çlirimin e viseve shqiptare që i kishte pushtuar Jugosllavia barbare, e cila është quajtur burg i popujve liridashës, por për shqiptarët ajo qe edhe ferr i tmerrshëm. Nuk ka gjë më të njerëzishme se sa të luftosh kundër këtij ferri. Profesor Ahmet Qeriqi që fëmijë i provoi këto flakë të ferrit në dhomat e torturave të tmerrshme të policisë serbe e jugosllave.
Vepra e tij ” Vegimtari” për të cilën dua të flas, është një nga burimet më të mira për të nxjerrë jo vetëm anën e pasur letrare e artistike, vlerat e atdhedashurisë e traditave shqiptare, anën historike të trevave tona, trimërinë e besën, jetën e rëndë e skamjen e madhe të njerëzve tanë, nën thundrën e pushtuesit, pabesinë e shpirtshiturve, tradhtinë e shëmtuar të disa shqiptarëve, shërbëtorë të armikut, egërsinë, dhunën e gjithë aparatin shtypës të shtetit jugosllav që kurrë nuk e pushoi luftën për nënshtrimin e shqiptarëve, asimilimin e shuarjen e jetësisë shqiptare, e megjithëkëtë në flakët e përpjekjeve për liri, zogjtë e shqiponjës u hodhën pa hezituar, pa u trembur e duke e flijuar jo vetëm rininë, por edhe jetën për ta mbajtur të gjallë e të fortë origjinalitetin ilir – arbëresh – shqiptar , vitalitetin e trevave tona dhe kjo veprimtari atdhetare e gjitha dha frutat e saj, ndaj sot e përgjithmonë fjala, gjuha shqipe Kosova e trevat tona janë e do të jenë pjesë e Shqipërisë sonë shpirtërore. Jeta dhe vepra e prof. Ahmet Qeriqit është pjesë e kësaj madhështie shpirtërore.
Jeta e vepra e tij del e na paraqitet krahas shumë veprave edhe në krijimtarinë e tij.
Bota e pasur letrare, romanet e tij na fusin në hullinë e vlerave historike që nga Mesjeta deri në ditët tona. Ai diti, mundi të paraqesë, të na e sqarojë shumë lëndë, që në letërsinë tonë ka pasur mangësi të madhe, mjafton ta përmendim romanin “Guri i betimit” dhe pas një leximi të kujdesshëm, përjetojmë vlerat e mirëfillta artistike dhe njëkohësisht pasurohemi me të dhënat, vlerat e shumta dhe me sqarimet për Mesjetën arbëreshe – shqiptare. Ai e shfrytëzoi jo vetëm mendimin e shëndoshë, botën e pasur shpirtërore të tij, por edhe krijimtarinë folklorike. Ai diti edhe nga një këngë të krijojë një roman, siç është romani ” Betimi i motrës “
Jeta e tij me ngjarje e përjetime të shumta, të bujshme janë edhe vlerat e ngjarjet e një periudhe të së kaluarës sonë, pjesë e të bëmave për Atdheun.
Profesor Ahmet Qeriqi, duke e njohur mirë jetën e fshatit, të bashkëfshatarëve e të bashkatdhetarëve gjithandej, duke i përjetuar vuajtjet, duke e pasur një botë të thellë mendimesh, duke e përvetësuar dijen e filozofinë popullore, krijimtarinë folklorike, duke pasur një shpirt të ndjeshëm, frymëzime e çiltërsi zemre, duke e ndjerë peshën e rëndë të pushtimit të Atdheut nën çizmet e pushtuesve, duke lexuar e përthithur çdo gjë të vlefshme nga historia e popullit tonë, duke e njohur gjithnjë e më mirë letërsinë jo vetëm shqiptare, por edhe botërore, duke qenë vetë pjesë e pandarë e të bëmave zulmëmëdha të ngjarjeve heroike të popullit shqiptar, siç qe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zë i qartë i së cilës qe vetë ai një zë autentik i kësaj lufte, diti dhe shkroi, mundi dhe botoi shumë vepra jo vetëm letrare, por edhe dokumentare, historike e shoqërore, politike e informative.
Ai nuk e kaloi kurrë kohen kot, ai e mbushi gjithë jetën e tij me vlera të mirëfillta, siç dinë e bëjnë përpjekje, përkushtime e sakrifica dhe vepra të shquara vetëm njerëzit e mëdhenj.
Këto të gjitha janë paraqitur mirëfilli në romanet e tij, meqë letërsia duke përmbledhur përmbajtjen e rrëfimet e gjalla që flasin në libra, mendimet e pasura e këshillat e natyrshme, është fare qartë, se ndërlidhet me anën artistike, vlera këto që dalin e dal paraqiten shumë natyrshëm e qartas edhe te romani ” Vegimtari”.
Protogonist i këtij romani është Urtani, Urtani i Malmirit,i cili na shfaqet në roman që kur qe fare i vogël.
Ai jeton me botën e pasur të gjyshërve të tij, të cilët kishin në memorien e tyre një përvojë të pasur, një atdhetarizëm që shoqërohej me rrëfimet e shumta të ngjarjeve të së kaluarës shqiptare. Urtani do të marrë shumë nga gjyshi, i cili qe hoxhë, por me një veprimtari atdhetare me një shpirt kryengritës kundër padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar e Atdheut.
“Gjyshi, për Urtanin ishte jo vetëm mbështetja kryesore, por kur qëndronte me të trimërohej dhe nuk i frikësohej askujt, madje as vetëtimës e murmurimës.” ”VEGIMTARI”
Karakteri i Urtanit ishte brumosur nga ai i gjyshit, për të qenë kurdoherë e kudo një kryengritës e luftëtar i denjë për triumfin e drejtësisë së shqiptarëve e Shqipërisë, ndaj ai që i ri e fare i njomë organizohet me shokë, në atë veprimtari atdhetare që do ta kalisë e do ta burrërojë para kohe, do të piqet pa i njohur mirë hiret emocionet e gëzimet fëmijërore e rinore. Që në këtë moshë ai do ta njohë dhunën e egër të inspektorëve të policisë serbe me gjithë brutalitetin e tmerrshëm antishqiptar.
Ai, sipas këshillave të gjyshit do të shkojë në Medrese, por ç’ është e vërteta atij i interesonte letërsia, gjuha, bota e artit dhe filozofisë, kinematografia, shkencat ekzakte, të cilat së bashku do ta pasurojnë pamasë atë, ndaj edhe mësimet e thata fetare nuk ia mbushnin mendjen.
“Kishte dashuri të madhe për të lexuar libra, dhe sa herë që i mjaftonte koha merrte libra për lexim në bibliotekën e qytetit.” ”VEGIMTARI”
“Mësonte, lexonte libra dhe kishte filluar të shkruante edhe skica, i ndikuar sidomos nga skicat dhe rrëfimet e Migjenit. Kishte lexuar edhe romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të shkrimtarit Adem Demaçi, i cili ishte gjitoni i parë i medresistëve” “VEGIMTARI”
Nga gjyshja do të marrë fisnikërinë dhe pasurinë folklorike, shpirtin e pathyeshëm, moralin e shëndoshë njerëzor. Gjyshja e tij i mbante si shumë përzemërta vargjet e këngëve popullore, tregimet e rrëfimet e pasura të botës shqiptare, ndaj edhe Urtanit ia thoshte shpesh herë.
Të tëra këto do ta përgatisin Urtanin të jetë një zë i fuqishëm që do të lërë gjurmë të thella në veprimtarinë e përgjithshme, luftëtar me penë, pushkë me dije në shumë fusha të krijimtarisë.
Në Medrese Urtanin e kishin ndëshkuar, sepse në shumë raste qe i pabindur në rregulla që i kishin shumë të ashpra, madje edhe sepse Urtani kishte një botë tjetër, jo të bindjeve verbale.
Do të shohim se Urtani kishte pasur kontakte me anëtarët e lëvizjes ilegale, megjithëkëtë edhe pse ishte fare i ri, kishte shprehur interesimin për të dhënë ndihmesën e tij, por ai fliste me disa shokë e të afërm për të krijuar një organizatë. Ai e kishte parë edhe Adem Demaçin, por edhe veprimtarë të tjerë.
Më vonë do të shohim se organet e sigurimit jugosllav, përveç veprimtarëve ilegalë, e kishin burgosur edhe Urtanin, ndaj të cilit kishin ushtruar një dhunë të tmerrshme dhe pse ai ishte i mitur.
Urtani ia kishte thënë qartazi inspektorit të sigurimit.
“Unë mbështes veprimet e Organizatës së Adem Demaçit, por nuk kam pasur asnjë kontakt me të, ndërsa Ademin e kam njohur, meqë ai ka shtëpinë e tij afër medresesë. Unë jam i ri, ata nuk më kanë besuar, përndryshe po të më kishin qasur do t iu kisha bashkëngjitur, – thotë Urtani.”, vepra “Vegimtari”
Urtanin e kishin dënuar dy muaj, por edhe disa shërbëtorë të UDB – së, hoxhallarë e kishin dënuar, duke larguar nga shkolla,
Në roman shkrimtari do të na paraqesë edhe pjesë të humorit popullor, me rrëfime nga jeta e përditshme e fshatarësisë.
“Të gjithë qeshin, ndërsa Urtan Qirit i kishin shkuar lotët nga të qeshurat.”
Ngjarje të zhvilluara në burg dhe në ushtri janë përshkruar me një aftësi të shkëlqyer nga shkrimtari. Urtani jo vetëm në burg, por edhe në ushtri kishte përjetuar vuajtje të mëdha, por siç përshkruhet në roman, ai tanimë i rryer me pjekuri të madhe do të mendojë se nga jugosllavët vetëm vuajtje e të këqija do të prisnin.
Ai priste me padurim ta mbaronte ushtrinë dhe përpiqej të mos kishte probleme.
Kur ishte në pushim e kishte lexuar edhe një letër nga kushëriri i tij.
“Te hallë Zela lexon letrën që e kishte dërguar nga Shqipëria, Martir Hysi. Ai rrëfente se jetën në Shqipëri e kalonte më mire se ç` kishte menduar. Pas mbarimit të shkollës së mesme kishte regjistruar Fakultetin e Elektronikës në Tiranë, kur edhe banonte në Qytetin e Studentëve. Ai kishte dërguar edhe një fotografi ku shihej tërë shëndet. I kishte lakmuar aq shumë Martirit, sa për një kohë kishte menduar që të shkonte në Shqipëri, sapo ta mbaronte ushtrinë.”
Megjithëkëtë do ta shohim se Urtani u drejtua edhe nga Fakulteti Filologjik i Universitetit të Kosovës dhe u regjistrua te dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Profesor Ahmet Qeriqi, është njohës i mirë i gjuhësisë dhe ai ka botuar shumë studime gjuhësore të cilat, kanë vlera jo vetëm dialektologjike, por edhe etimologjike e të shqipes standarde. Ai qe një kalorës i fjalës, një orator i shkëlqyer dhe mendimet e tij i shoqëronte me shembuj nga letërsia greke e romake dhe nga letërsia e përgjithshme, por natyrshëm edhe me shembuj nga letërsia shqipe e filozofia. Fjala e tij, studimet e tij, veprat e tij kanë atë rrjedhshmërinë e natyrshme gjuhësore, siç është gurra e ujit që buron nga thellësitë e maleve. Një pasuri e tillë gjuhësore padyshim e shoqëron edhe romanin “Vegimtari”
Romani “Vegimtari” është një roman që ka një pjesë të natyrshme të jetës dhe veprës së prof. Ahmet Qeriqit.
Si përfundim do të thosha se njerëzit e mëdhenj jetojnë me veprat e tyre, në motet e shekujt e botës njerëzore, krijimtaria e tyre është pjesë e pasurisë njerëzore, emri i tyre përjetësohet me vetë veprat e tyre, prof. Ahmet Qeriqi është një nga këta njerëz, rron e do të rrojë me vetë gurrën e pashtershme, natyrshmërinë e gjuhës shqipe, me idealet e shëndosha të shqiptarësisë sonë.
Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së tij madhore! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
