Jakup Krasniqi: Një Task Forcë kundër migrimit ilegal?!


A nuk është pyetja e parë që duhet shtruar, lidhur me ç’po flitet e ç’po dëgjohet: ç’është kjo? Dhe, rrjedhimisht, edhe pyetje të tjera: kush duhet ta udhëheqë këtë Forcë? Cili duhet të jetë roli i Ministrit të Integrimeve? A duhet të jetë shefi i kësaj Force, Ministri për Integrimin e Kosovës në BE? Madje-madje, cila është praktika e Task Forcës në Kosovë?


 


Një gjë është e qartë, pa e zbërthyer në esencë domethënien origjinare të termit ushtarak “task force”. Si dërgatë ushtarake, si forca të posaçme edhe policore. Epo, duhet thënë, mjerisht, se Task Forcat e “demokracisë” janë tejet të përafërta me “komisionet” e socializmit, kur krijoheshin sikur gjoja do ta zgjidhnin një problem a dukuri të shfaqur, pa mundësi minimizimi, derisa nuk “zbulohet” nga institucionet, të cilat edhe kanë detyrim kushtetues, por nga i madh e i vogël. Pa mundësi bllokimi edhe nga media e kontrolluar. Në rastin e Kosovës së këtyre ditëve, mbase edhe më keq. Kur në të ashtuquajturin “socializmin vetadministrues jugosllav” formoheshin komisionet ad hoc, nënkuptonte gjithçka tjetër, pos jo zgjidhje të problemit! Edhe më keq madje. Neglizhohej, ndodhte shtyrja e sanimit, dhe, e gjithë kjo në mënyrë që të krijohej përshtypja se po bëhet diçka! Ndërsa në demokracinë tonë të shumëpritur, por të brishtë, tepër të brishtë, Task Forcë do të thotë, siç ishte rasti i Task Forcës së Prokurorisë, kur kryetari i saj burgoset, të mos shqyrtohet më asnjë lëndë për ç’gjë është apo ishte formuar ajo (sic!). Task Forca e propozuar është si ato anekdotat me mesazh të qartë për “hi syve”, apo shprehja proverbiale: “Kur nuk ke ç’bën, luaje derën”. A do të jetë një “task force” edhe Gjykata Speciale e miratuar në parim nga Kabineti, Thaçi – Mustafa?!


Për fund, nuk mund të anashkalohet fakti se Presidentja e Vendit, Zonja Atifete Jahjaga, që katapultohet ne krye të vendit nga Policia (pas një katapultomi tjetër dështak), krijoi Këshillin Kombëtar të Antikorrupsionit. Mban mend dikush se përveç ca mbledhjeve, prezantimit para medieve më tepër të “gunës sesa punës”, ndonjë rezultat apo sukses për të qenë të këtij Këshilli? A thua, përse duhej të formohej ky “këshill” apo “komision”, kur kemi institucionet përkatëse kushtetuese, të cilat duhet të merren me krimin dhe korrupsionin? Një fjalë thotë: “Shumë mami e mbysin fëmiun”, a po ndodh kjo edhe me shtetin tonë të ri?


Republika e Kosovës, nuk ka nevojë për asnjë  Task Forcë apo Këshill, qofshin ato të emërtuara edhe si “kombëtare”. Kosova ka nevojë për një Ekzekutiv të përgjegjshëm, i cili menaxhohet nga një njeri që ka dhënë dëshmi se di e do të menaxhojë me pasurinë publike e kombëtare, që formon një ekip njerëzish që vërtet do ta nxjerrin vendin nga ky mjerim social e keqqeverisje e vendit. Natyrisht, e tëra mbi bazë të një Platforme, një Programi mirë të planifikuar.


Duhet të thuhet shkurt e shqip: ky koalicion e ka shtuar skajshmërisht dëshpërimin e qytetarëve.


 


 


 


 


Jakup Krasniqi: Lëvizja Kombëtare (Klandestine) për Çlirim e kishte një vizion – vizionin e çlirimit dhe ai u arrit në qershorin e vitit 1999


 


 


Do të kisha besuar, madje do të kisha dëshiruar shumë, që politika shqiptare e pas qershorit 1999 të kishte jo një por shumë vizionarë. Përse? Nga ky fakt askush nuk do të fitonte më shumë sesa populli ynë i dalë nga një holokaust jo pak i gjatë, vetëm përmendja e të cilit shqetëson një botë të tërë. Ndaj, lënia historisë një ekzemplar të tillë kërkon ndryshimin në udhëheqjen e shtetit në rrethana të reja. Pra, ndërtimi imediat kërkonte rrjedhimisht nga politika jonë të kishte vizionarë! Atëherë, si ta kuptojmë faktin, që 15 vjet pas çlirimit njeriu ynë të mos e sheh perspektivën për një jetë të dinjitetshme?


Një gjë është e vërtetë e pakontestueshme dhe nuk duhet harruar: Lëvizja Kombëtare (Klandestine) për Çlirim e kishte një vizion – vizionin e çlirimit dhe ai u arrit në qershorin e vitit 1999. Dhe u realizua dinjitetshëm e me përgjegjësi historike nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e fuqizuar nga Komandanti i saj Legjendar, Adem Jashari. Komandanti, me jetën dhe veprën e tij, arriti të bëjë një mobilizim të paparë deri atëherë të popullit shqiptar për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës politikës shqiptare ia hapi të gjitha “portat e triumfit”, për të shpalosur vizionin e saj të shtetndërtimit, të zhvillimit ekonomik e demokratik, të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të rendit e të ligjit.


 


Çlirimi i vendit iu dha mundësi liderëve të pakontestuar të partive politike t’i vendosnin njerëzit e duhur në vendet e duhura. Mirëpo, çuditërisht, sa herë iu dha kjo mundësi, ata e bënë të kundërtën. Për 15 vjet e patën mundësinë të hartonin një strategji të zhvillimit ekonomik, mbi bazën e se cilës do ta zhvillonin vendin dhe këtë nuk e bënë as për së afërmi e jo më në përmasat e zotuara. E patën mundësinë që t’i bënin politikat e administrimit të tokës, e cila u fillua në legjislaturën e parë dhe u harrua nga të tjerat. E patën mundësinë që ta bënin një telefoni mobile në shërbim të qytetarëve, por ata e shkatërruan dhe e bënë në shërbim të individëve të lidhur ngushtësisht me politikën. E patën mundësinë që të ndërtonin kapacitete energjetike dhe as këtë nuk e bënë! Nga kjo rezulton se vështirë do ta bëjnë ndonjëherë me ketë formë të papërgjegjshme dhe pa farë vizioni të menaxhimit të pasurisë kombëtare. E kanë pasur mundësinë që të qeverisin si duhet me pasuritë minerare, por edhe në këtë segment me siguri se do të vazhdohet më të vjetrën. Ç’është e vërteta, dhe këtë duhet thënë me plot gojën, ne në Kosovë pasuri të tjera nuk kemi. Nuk ka dyshim, Kosova është vend i pasur, por mbetet si imperativ permanent krijimi i mekanizmave të shfrytëzimit të kësaj pasurie.


Të gjitha faktet pra, duke e përsëritur më se një herë flasin se këta njerëz që kanë qeverisur deri më tani, në të dy nivelet e pushtetit, nuk dinë, apo nuk duan, mbase edhe nuk munden të qeverisin në interes të qytetarëve tanë të mrekullueshëm. Te cilët pa fajin e tyre kanë marr në sy rrugët e botës!


Kur mungon vizioni, prishet kohezioni.  I një populli që nuk meriton të përjetojë edhe një “holokaust” të heshtur në mungesë të demokracisë e të perspektivës së premtuar.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Edi Rama me Genc Cakajn e Qemal Minxhozin sot në Hagë, kanë vizituar ish kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Edi Rama, përshpejton krijimin e Komisionit Parlamentar të Posaçëm për Luftën kundër Dezinformimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar nevojën për një përparim të shpejtë në krijimin …