Në takimin e rregullt javor të koordinimit lokal të sigurisë që u mbajt të enjten, komandanti i stacionit policor në Suharekë, kapiten Milazim Lumi, gjatë raportimit për gjendjen e sigurisë në Komunën e Suharekës, tha se gjatë javës që shkoi nuk u regjistrua asnjë rast i aksidenteve në trafik, ndërsa për ngjarjet tjera që kanë ndodhur ai ka shtuar se ka pasur: 1 mashtrim, 1 vetëvrasje në tentativë ( një person femër ka tentua të vetëvritet me medikamente ), 1 i arrestuar për vjedhje të pyllit në bjeshkën e Dellocit, 1 shpërthim zjarri në Reçan, 2 kanosje dhe 3 vjedhje. Ndërsa për punët dhe aktivitetet që janë zhvilluar gjatë javës në Komunën e Suharekës, kryesuesi i takimit, z.Rexhep Kuçi, nënkryetar i Komunës, ka thënë se kryetari Asllanaj, ka takuar sindikalistët grevist (ish punëtorë të “Ballkanit”) të cilët janë ankuar për mos përfillje të kërkesave të tyre nga ana e AKP-së, pastaj për takimin që nënkryetari Kuçi, ka marrë pjesë në ARD-a, për mbledhjen e dhjetë të Kuvendit të Komunës për këtë vit, si dhe për aktivitetin e Drejtorisë Komunale për Bujqësi, ku ka filluar aplikimi për fidane të dredhëzave dhe të mjedrave. Nga ky Projekt pritet të përfitojnë 20 fermerë nga Komuna e Suharekës.