Deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, pas kritikave të këtij të fundit ndaj LDK-së. Ajo e ka cilësuar Pecin si “shërbëtor” të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar se ka braktisur LDK-në për interesa personale dhe për t’u pozicionuar pranë një subjekti politikisht të kundërt. Ajo gjithashtu ka ngritur akuza për përfshirje të Pecit në “kontrata super korruptive”, duke theksuar se ai nuk ka legjitimitet moral për të folur për vlerat identitare të LDK-së. “LDK-ja po tregon kurajë për të dalë përtej interesave partiake dhe për të adresuar krizën politike, ndërsa ne i kemi thënë një ‘JO’ të madhe Vetëvendosjes dhe çifteve të Faton Pecit që përdorin gjuhë përçarëse,” tha Lushaku-Sadriu. Reagimi i saj pason deklaratën e Pecit, ku ai hodhi dyshime mbi identitetin e LDK-së dhe u shpreh se “kanë mbetur vetëm shkronjat”, duke e quajtur “Rruga e Re” një subjekt pa peshë në skenën politike. Ai theksoi gjithashtu se është paradoksale të mendohet për ndryshime politike kur një kryeministër ka mbi 42% të votës qytetare.
