Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër pas publikimit të rezultateve të Testit të Arritshmërisë, duke i cilësuar ato si “dështim eklatant” të Ministrisë së Arsimit. Sipas saj, kalueshmëria ka rënë në 48.8%, nga 57.1% sa ishte në vitin 2021 – rezultati më i dobët në gjashtë vitet e fundit. Ajo thekson se ky regres nuk është faj i nxënësve, por pasojë e mospërkushtimit institucional. Ndër rezultatet më shqetësuese, ajo përmend matematikën (38.9%), gjuhën angleze (39.3%) dhe kiminë (37.4%). Lushaku-Sadriu akuzon ministren Arbërie Nagavci për shndërrimin e MAShTI-t në “zyrë propagande” dhe kërkon reforma të thella. “Na duhen fëmijë të ditur, jo me mendje të varfëruar,” shkruan ajo. Në fund, deputetja kërkon largimin e menjëhershëm të atyre që sipas saj po e udhëheqin arsimin drejt rrënimit.
