Prof. Dr. Jeton Kelmendi: Poshtërimi i Kosovës nga Gjykata Speciale, një akt i turpshëm dhe kundër njeriut

Jeton Kelmendi: DERI KU LEJOHEN SHËRBYESIT E SHËRBIMEVE TË NA SHKRUAJNË EDHE HISTORINË (Reagim ndaj autorit të Ekspozitës së “porositur” me autorësi të Shkelzen Gashit)

Rasti i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e vendosur në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, nuk është thjesht një polemikë kulturore, as një debat teknik për shifra, kategori apo terminologji, sepse ky far personi nuk meriton asnjë vëmendje, aq më pak shumë të tillë që ekspozohen me trillime. E keqja arrin deri aty, sa të bëhet shpërfillje morale, kombëtar dhe institucionale. Kur në zemër të kryeqytetit vendosen tabela që prekin kujtesën e masakrave të luftës me shtrembërime të qëllimshme. Në këtë kontekst çdo pasaktësi bëhet shumëfish më e rëndë, sepse nuk është vetëm gabim faktesh: është ndërhyrje në kujtesën kolektive. Në dhimbjen familjare. Në varre. Në plagët e të vdekurve dhe të mbijetuarve, sikur është vetë me të burgosurve të Dubravës. Dhe kur një ekspozitë e tillë është mbështetur financiarisht nga Kuvendi i Kosovës, atëherë përgjegjësia nuk mbetet më vetëm tek autori, por shtrihet edhe tek institucionet që e kanë lejuar dhe financuar pa e verifikuar përmbajtjen. Ose, nga ky besim kaq i thellë për një persona që në aspektin e luftës konsiderohet anonim!?

Në një opinion timin të botuar më herët, pata bërë një pyetje, “Të kujt jemi ne Atdhe”. Unë si prestarë i UÇK-së si të ndihem, kur me taksat e mia paguhet ky soj njeriu për këtë lloj pune, kaç intrigues, e që del krejt antishqiptare.
Autori i librit për të vrarët gjatë luftës së fundit, Shkelzen Gashi, e tani me ekspozitë publike, u përpoq ta justifikonte veten me arsyetimin se Kosova nuk e ka ende një listë zyrtare të të gjithë të vrarëve dhe se ai është mbështetur në të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare, të lidhur me Natasha Kandiqin. Sipas raportimeve, ai ka thënë se në Dubravë, sipas asaj liste, 58 figurojnë civilë dhe 48 persona të armatosur, ndërsa në Meje derisa Shoqata “27 prilli” ka të vrarë 376 shqiptarë, vetëm për një ditë, ky i paraqet se janë vrarë 349 civilë e 27 të armatosur; pra ka hedhur idenë se këtë klasifikim e ka marrë prej Fondit të Natasha Kandiqit. Mirëpo vetë Fondi për të Drejtën Humanitare e ka përgënjeshtruar këtë pretendim, duke deklaruar se në listat e tyre askund nuk thuhet se të vrarët në Dubravë kanë qenë të armatosur në momentin e vrasjes. Po të ishte më herët kështu, sigurisht që do reagonin shumë nga të mbijetuar.  Bekim Blakaj nga kjo organizatë, ka thënë shprehimisht, se lista e tyre përmban viktimat dhe të dhënat e tyre, por jo një paraqitje e tillë siç u servua në ekspozitë.
Ky autor, po demantohet nga të gjitha organizata relevante si dhe nga familjarë, ngase është irrituese, provokuese dhe tendencioze. Sepse, nëse ti del para opinionit publik dhe thua se një klasifikim i caktuar vjen nga një burim i jashtëm, ndërsa vetë ai burim të përgënjeshtron publikisht, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një “mospërputhje të vogël” apo me një “gabim teknik”. Kemi të bëjmë me një problem serioz të kredibilitetit. Edhe më rëndë bëhet kur i njëjti reagim i Fondit thotë se, – jo vetëm ekspozita, por edhe libri i botuar më herët përmban “shumë pasaktësi” dhe “në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë”. Ky vlerësim nuk vjen nga ndonjë kundërshtar politik i autorit, por pikërisht nga institucioni te i cili ai është përpjekur të strehojë legjitimitetin e tij.

Kësi soji shtrohet pyetja, pse ky Gashi e merr kët iniciativë, kush e dreson dhe kush e financon. Mbase po jetojmë në sezonin e maskarenjve dhe lakenjve të Serbisë, të cilët me taksat tona po tentojnë ta shtrembërojnë historinë tonë.
Prandaj shqetësimi kryesor nuk është vetëm numri. Nuk është as vetëm përkufizimi “civil” apo “i armatosur”. Shqetësimi themelor është se në Kosovë po krijohet një klimë ku, nën emrin e “qasjeve kritike” apo “çmitizimit”, disa njerëz e marrin të drejtën të prekin plagët më të rënda të luftës me një lehtësi të frikshme. Në një vend normal, masakrat nuk trajtohen me improvizime. Nuk trajtohen me paqartësi, me huazime të pasakta, me mbrojtje të tipit “shteti nuk ka listë zyrtare, prandaj ne përdorëm këtë, apo, atë burim”. Sepse kur prek Dubravën, Mejën, Reçakun, Prekazin apo Krushën e Madhe, ti nuk po merresh me statistika të thata. Po merresh me gjakun, me dhembjen dhe me dinjitetin e viktimave. Fundja, shko dhe shih varrezat dhe atu gjen të vërtetën.
Fakti që në Dubravë u paraqitën të dhëna të kontestuara është veçanërisht i rëndë. Një i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, reagoi publikisht duke thënë se ekspozita nuk përputhet me të dhënat e sakta të asaj masakre dhe se aty u vranë mbi 144 veta, ndërsa rreth 200 u plagosën. Ai e quajti të pavërtetë insinuatën që të burgosurit e vrarë të paraqiten si të armatosur në mënyrën si u la të kuptohej nga materiali i ekspozitës. Kur vetë i mbijetuari e ndien se kujtesa e atij krimi po shtrembërohet, atëherë çdo shoqëri serioze do të duhej të ndalej dhe të thoshte: mjaft. Fundja kjo krijesë e quajtur Shkelzen Gashi njëherë akuzoi Ushtrinë Çlirimtare për krime, tani fyen rëndë martiret dhe të burgosurit. Deri kur duhet, jo vetëm ta durojmë këtë faqezi, por edhe ta financojmë… Bëj kujdes Parlamenti im!
Nga ana tjetër edhe në raste të tjera janë evidentuar mospërputhje serioze. Raportimet kanë theksuar se për Reçakun ekspozita paraqiste 37 civilë të vrarë, ndërkohë që Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë përmend së paku 45 civilë shqiptarë. Për sulmet e 5–7 marsit 1998 në Prekaz, ekspozita jepte 40 civilë, ndërsa i njëjti institut përmend 59 jetë të humbura. Në rastin e Krushës së Madhe, sipas reagimeve publike, është kundërshtuar edhe narrativa se gratë dhe fëmijët qenkan lënë të largohen, ndërsa u vranë vetëm burrat, gjë që është cilësuar si e pavërtetë dhe fyese për të vërtetën e asaj masakre. Këto nuk janë më lapsuse sporadike; këto krijojnë model.

Natyrshëm këtu vjen pyetja e madhe: deri kur do të vazhdojë në Kosovë kjo “sezonë e serbofilëve”? Kjo pyetje nuk duhet kuptuar si thirrje për linçim, as si mohim i lirisë së mendimit kritik. Jo. Një shoqëri demokratike duhet të lejojë debat, qasje shkencore dhe madje kundërshtime të forta. Por askush nuk ka të drejtë ta paraqesë shtrembër të vërtetën e masakrave, e pastaj të fshihet pas petkut të studiuesit apo të intelektualit të pavarur. Askush nuk ka të drejtë t’i japë oksigjen një narrative që në efekt përputhet me propagandën serbe, e cila prej dekadash është munduar të relativizojë krimet, të zbehë karakterin civil të viktimave dhe të krijojë mjegull morale mbi përgjegjësinë e shtetit serb. Kjo është arsyeja pse reagimet e shumta e panë këtë ekspozitë jo si një gabim të pafajshëm, por si deformim të rëndë të kujtesës historike.
Duhet thënë qartë: kritika ndaj UÇK-së për raste eventuale individuale, aty ku ka fakte dhe procese gjyqësore, është një gjë. Fyerja e viktimave shqiptare të masakrave serbe është gjë krejt tjetër. Këto dy fusha nuk duhen ngatërruar. Të pretendosh se je “kritik i drejtë” dhe, në emër të këtij kriticizmi, të lëndosh kujtesën e viktimave të Mejës, Dubravës apo Reçakut, së paku është rrëshqitje morale, por jo e një personi, por e shoqërisë që e lejon. Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi: jo se dikush nuk ka të drejtë të mendojë ndryshe, por se nuk ka të drejtë të përdorë mjegullën, pasaktësinë dhe manipulimin për çështjet më të ndjeshme të historisë sonë.

Po aq shqetësuese është sjellja institucionale. Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur financiarisht ekspozitën, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka vizituar atë më 24 mars. Më pas, pasi shpërthyen reagimet, nga Kuvendi u tha se ky institucion nuk e ka kompetencën të vlerësojë apo verifikojë saktësinë e materialeve të zhvilluara nga OJQ-të. Ky arsyetim është administrativisht i leverdishëm, por moralisht i pamjaftueshëm. Kur jep para publike për një ekspozitë të tillë, sidomos për përmbajtje që trajton masakrat e luftës, nuk mund të thuash pastaj: “ne vetëm financuam, nuk verifikuam”. Pikërisht sepse është para publike dhe pikërisht sepse bëhet fjalë për kujtesën kombëtare, verifikimi minimal duhej të ishte kusht i parë, jo luks i vonuar.
Nga ana tjetër, libri i Gashit nuk rezulton të jetë financuar nga Kuvendi, por nga disa donatorë të tjerë, përfshirë CDF, Rockefeller Brothers Fund, Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, KFOS dhe CHwB. Kjo duhet sqaruar drejt: mbështetja financiare e Kuvendit, sipas raportimeve, lidhet me ekspozitën, ndërsa botimi i librit ka pasur burime të tjera financimi. Por kjo nuk e zbut problemin. Përkundrazi: tregon se një material i botuar më herët, i cili sipas kritikëve dhe vetë Fondit për të Drejtën Humanitare ka pasur pasaktësi serioze, është marrë pastaj si bazë për një ekspozitë publike në zemër të kryeqytetit. Pra dështimi ka qenë i dyfishtë: te burimi dhe te filtrimi institucional.

Reagimi i Komunës së Prishtinës për pezullimin e lejes ishte i vonuar, por i domosdoshëm dhe mirë që ndodhi. Shqetësim po kaq i madh është militantizmi mediatik, ku disa portale transmetojnë reagimin e një far shkelzeni tjetër i quajtur Rron, i cili paturpësisht i del në mbrojtje Shkëlzenit, duke akuzuar familjet e martirëve. Kjo shpërfaq dukurinë se sa politike është shoqëria jonë dhe se si i vihen në mbrojtje njëri-tjetrit. Pra u desh të reagonin edhe një ministër i kësaj politike dhe një deputet i po kësaj shumice.

Në fund, ky rast na vë përballë një prove më të madhe se vetë Shkëlzen Gashi. A ka Kosova vullnet për ta mbrojtur të vërtetën historike me seriozitet shkencor dhe përgjegjësi morale? Apo do të vazhdojmë të tolerojmë figura që, herë me sulme selektive ndaj UÇK-së, e herë me shtrembërime për viktimat, prodhojnë pikërisht atë mjegull që i duhet propagandës serbe? Për mua, problemi nuk është tek e drejta e një njeriu për të folur, problemi është tek e drejta e askujt për të cenuar të vërtetën e gjakut të Kosovës. Masakrat nuk janë laborator për aventura ideologjike. Viktimat nuk janë material për eksperimente interpretative. Kujtesa nuk është tekst i lirë për t’u redaktuar sipas tekeve të autorit.

 

P.S Të dhënat dhe shifrat autori i ka marrë nga mediet dhe nga dëshmitarët e masakrave, prandaj nëse ka ndonjë pasaktësi, kërkojmë mirëkuptim, sepse ky reagim bëhet si akt moral që ndiejmë ndaj historisë dhe së ardhmes tone. Autori është veteran i UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha: Ekspozita në mes të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtina!

Ekspozita në mes të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtina! Si ka mundësi, ditën për diell, …