Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar në lidhje me ngërçin politik që ka përfshirë vendin, pas dështimit për të 16-tën herë radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë një aktiviteti të organizuar për Ditën e Gjuhës Gjermane, Rohde u pyet mbi atë se çfarë zgjidhjeje sheh për situatën aktuale politike. Diplomati gjerman dha një përgjigje simbolike, duke përdorur një metaforë sportive. “Edhe në një lojë futbolli, nëse dështon, duhet të ndërrohet lojtari”, deklaroi ai, duke aluduar në dështimin e kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të siguruar votat e nevojshme. Deklarata e ambasadorit është parë si një thirrje për reflektim politik dhe për marrjen e përgjegjësive në funksion të zhbllokimit të institucioneve në vend.
