Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese e Kosovës, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën dhe se Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Kryeziu theksoi se Gjykata Kushtetuese mund të zgjasë masën e përkohshme deri në tre muaj, në rast se e konsideron çështjen si të ndërlikuar. Sipas tij, megjithatë, situata është e qartë dhe nuk ka dilema të mëdha juridike. “Dekreti është legjitim, sepse është i sanksionuar me Kushtetutë. Presidentja Vjosa Osmani nuk ka pasur alternativë tjetër, pasi askush nuk ka ofruar zgjidhje tjetër për situatën”, u shpreh Kryeziu. Ai shtoi se, bazuar në përvojën e tij profesionale, vendi duhet të hyjë në proces zgjedhor dhe partitë politike duhet të dakordohen për caktimin e datës së zgjedhjeve. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë drejtimin e krizës aktuale politike dhe fatin e institucioneve në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
