Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Lista Serbe nuk ka të drejtë vetoje për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai ka theksuar se Kushtetuta nuk e rregullon pjesën procedurale për zgjedhjen e nënkryetarëve, por kjo çështje është e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, neni 12 i kësaj rregulloreje parashikon që në rast se deputetët serbë refuzojnë të propozojnë kandidat, procesi zhbllokohet me short nga kryetari i Kuvendit. Në këtë mënyrë, Kryeziu vlerëson se kandidatura e Nenad Rashiqit, e dalë nga shorti, është plotësisht ligjore. Ai e quajti të pakuptimtë refuzimin e partive të mëdha për ta mbështetur këtë kandidaturë.
Kryeziu shtoi se nuk ka asnjë normë kushtetuese që e kufizon kandidatin për nënkryetar vetëm te Lista Serbe, për sa kohë ai është deputet i zgjedhur. Ai kujtoi se zgjedhja bëhet me 61 vota dhe nuk kërkohet domosdoshmërisht mbështetje nga deputetët serbë.
Sipas tij, sjelljet destruktive të Listës Serbe nuk duhet të shpërblehen. Ai i bëri thirrje të gjitha partive që të përmbyllin procesin e konstituimit duke e votuar kandidatin e propozuar. Çfarëdo pakënaqësie, shtoi ai, mund të adresohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeziu tha se nuk duhet lejuar që Kuvendi të mbahet peng i vetos së Listës Serbe. Ai e quajti obligim patriotik dhe shtetëror përfundimin e këtij procesi.
