Kadri Kryeziu: Prokuroria e Hagës po vepron jashtë Kushtetutës dhe ligjit

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së, apo 180 vjet në total. Ai e ka cilësuar këtë veprim si antikushtetues, antiligjor dhe antimoral. Sipas Kryeziut, Prokuroria nuk ka të drejtë që të propozojë në mënyrë numerike masën e dënimit për të akuzuarit, por vetëm të qëndrojë pranë aktakuzës dhe të kërkojë dënim në parim. “Veprimet e tyre janë absurde dhe jashtë ligjit dhe Kushtetutës. Në rregulloret e tyre askund nuk shkruan që Prokuroria të propozojë numerikisht masën e dënimit. Ata kanë të drejtë të qëndrojnë pranë aktakuzës dhe të thonë që kërkojnë dënim”, është shprehur ai. Kryeziu theksoi se një kërkesë e tillë, sipas vlerësimit të tij, bie ndesh me parimet kushtetuese dhe me të drejtat themelore të njeriut, duke shtuar se janë shkelur edhe rregulloret e brendshme procedurale. Duke folur për të akuzuarit, ai i cilësoi si figura të rëndësishme të historisë së Kosovës, që kanë luftuar për liri, pavarësi dhe demokraci, duke rikujtuar se lufta e UÇK-së ka pasur mbështetje nga vendet më demokratike të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kontrolloni gjithashtu

Gresë J. Krasniqi: Kur banka e të akuzuarve mbushet me çlirimtarë

Gresë J. Krasniqi, bija e Jakup Krasniqit, ka reaguar me një mesazh të fortë emocional …