Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për mosrealizim të premtimeve dhe për, siç tha ajo, manipulim me kauza të ndjeshme për përfitime politike. Pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, Kadrijaj foli para deputetëve të opozitës, duke rikujtuar çështjen e pazbardhur të aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. “Isha dje në QKUK dhe pashë fotografinë e Astrit Deharit me shprehjen: ‘Drejtësi për Astrit Deharin’. Ndjeva keqardhje. Ky nomad, që deklaron se nuk ka as shtëpi e as pasuri, ka ardhur në pushtet përmes kauzave, duke mos kursyer as jetën e njerëzve. Gjashtë vjet qeverisje dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin,” tha Kadrijaj. Ajo akuzoi Qeverinë Kurti për mosveprim të qëllimshëm në lidhje me zbardhjen e rastit të vdekjes së Deharit, duke theksuar se edhe mostrat e provave janë zhdukur. “Jo vetëm që nuk zbardhën rastin, por i dogjën mostrat e rastit të Astrit Deharit dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore për të mos lejuar zbardhjen e vërtetës. Kjo është qeveria e Albin Kurtit,” shtoi ajo.
