Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, po vazhdon vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor me një ndalesë në Prishtinë, pas vizitës së djeshme në Beograd. Në agjendën zyrtare të publikuar nga BE, theksohet se Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile në Kosovë, ndërsa nuk përmendet ndonjë takim me përfaqësues institucionalë të shtetit. Takimet me liderët e partive do të zhvillohen në Zyrën e BE-së në Prishtinë. Sipas njoftimit, secila parti është ftuar të përfaqësohet në nivelin e kryetarit dhe dy zyrtarëve të tjerë. Ndër pjesëmarrësit e konfirmuar janë Ramush Haradinaj nga AAK, që do të takohet me Kallasin në orën 18:40, si dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga Lutfi Haziri dhe Doarsa Kica-Xhelili. Ndërkohë, bie në sy mungesa e një takimi të veçantë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në njoftimin e BE-së ai nuk përmendet si pjesë e agjendës, çka sugjeron se për BE-në ai trajtohet aktualisht në cilësinë e liderit të partisë Vetëvendosje dhe jo si kryeministër në detyrë — një dallim që vjen pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.
