Kamerat e sigurisë në qytetin e Malishevës, do të mbikëqyren nga policia

Nga sot edhe zyrtarisht, sistemi i kamerave të sigurisë të vendosura në qytetin e Malishevës, do të jenë të mbikëqyrura nga ana e Policisë së Kosovës. Për këtë qëllim, në Malishevë ka qëndruar edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë-Gjakovë, kolonel Lumni Graishta, i shoqëruar edhe nga komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, të cilët janë takuar me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për kalimin e sistemit të kamerave të sigurisë në mbikëqyrje të Policisë së Kosovës. Kjo është bërë me qëllim të rritjes së sigurisë publike për qytetarët dhe pronën në qytetin e Malishevës. Komuna e Malishevës, ka investuar në vendosjen e sistemit të kamerave të sigurisë  me qëllim të rritjes së ofrimit të sigurisë publike. Kryetari Begaj dhe eprorët e lartë policor, kolonel Graishta dhe kapiten Krasniqi, kanë biseduar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, për rritjen e sigurisë publike në territorin e Komunës së Malishevës dhe për mundësinë e zgjerimit të sistemit të kamerave në të gjitha pikat kyçe në Komunën e Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …