E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka deklaruar se nuk nevojiten formula të reja për zgjidhjen e çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vullnet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese. Në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe, Pearce theksoi se palët tashmë i kanë në dorë mjetet për të ecur përpara, përmes marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të cilat, sipas saj, përmbajnë ide konkrete dhe praktike. “Nuk mendoj se kemi nevojë për një qasje të re apo ndonjë zgjidhje magjike që do të zgjidhte probleme. Ajo që na duhet është zbatimi i asaj që është rënë dakord”, tha Pearce. Ajo theksoi se këto marrëveshje adresojnë drejtpërdrejt nevoja të qytetarëve dhe komuniteteve, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe pjesëmarrjen, duke i bërë thirrje politikanëve të dy vendeve që t’i zbatojnë pa vonesë.
