Viti 2026 do të jetë vit i përkushtimit për urbanizimin e fshatrave, ka deklaruar kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, gjatë mbajtjes së dëgjimeve publike në vendbanime për hartimin e buxhetit për vitin 2026. “Ta ndërtojmë komunën tonë së bashku. Investimet t’i orientojmë sipas kërkesave të qytetarëve”, ka thënë kryetari Ekrem Kastrati, gjatë këtyre takimeve të mbajtura me qytetarë në këshillat lokal të Gurbardhit dhe të Astrazupit.
Edhe drejtori i Drejtorisë për Buxhet Financa, Blerim Thaçi, gjatë prezantimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2026-2028, ftoi qytetarët të kontribuojnë me propozime konkrete për orientimin e investimeve kapitale në vitet në vijim, me fokus të veçantë në zhvillimin e fshatrave të komunës.
Edhe gjatë këtyre takimeve në këto dy këshilla lokal, kërkesat kryesore ishin për investime në infrastrukturën e vendbanimeve të tyre, me theks të veçantë për riparimin e rrjeteve të kanalizimeve, rrugicat, trotuaret e ndriçimi publik, si dhe kërkesa specifike për vendbanimet e tyre.
Për të gjitha kërkesat, kryetari Kastrati, ka thënë se do të analizohen me kujdes dhe do të listohen sipas prioriteteve. “Tashmë shumica e projekteve përfundojnë brenda këtij viti, përfshirë edhe transformimin e qendrës së qytetit me ndërtimin e parkingut nëntokësor dhe të sheshit, prandaj, viti 2026 do të fokusohet në urbanizimin e fshatrave. Kjo do të na mundësojë realizimin e shumicës së kërkesave të qytetarëve, edhe pse gjithmonë lindin nevoja të reja.”, tha Kastrati, duke shtuar se orientimin që jemi duke i dhënë investimeve për vitet në vijim, e mundësojnë zhvillimin e fshatrave.