Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, analizoi punën e një viti dhe detyrat që e presin vitin e ardhshëm

Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, në bashkëpunim me Qendrën për Politika dhe Avokim dhe Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë, mbajtën takimin e fundvitit ku u debatua për Raportin e prezantuar ‘Sfidat e sigurisë dhe shëndetit në punë’. Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, në cilësinë e kryesuesit të KNSSHP-së, për punën e këtij viti që po e lëmë pas ka evidentuar të arritura modeste në adresimin e problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Dukolli tha se KNSSHP në kuadër të planit të punës gjatë këtij viti, përveç vizitave të rregullta të planifikuara në të dy sektorët, publik dhe privat, përveç skanimit të gjendjes ka dhënë edhe rekomandime për Qeverinë, me qëllim të adresimit efikas të çështjeve që ndërlidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë. Zëvendësministri Dukolli ka potencuar se brenda këtij viti janë konsoliduar aktivitetet e Këshillit, duke rritur bashkëpunimin edhe me shoqërinë civile. Ai tha se nga puna në terren është konstatuar se gjendja e sigurisë në punë, rezulton të jetë më e mirë në sektorin publik, me tendenca përmirësimi të vazhdueshme edhe në sektorin privat. Dukolli ka nënvizuar se Kosova ka një bazë të mirë ligjore që adreson shumë mirë problematikën e sigurisë në punë, por paralelisht duhet punuar tutje në nxjerrjen e një strategjie nacionale në adresimin më adekuat të çështjes. “KNSSHP ka parë nga afër punën e instituteve të punës në Gjakovë dhe Obiliq dhe ka konstatuar se këto institute kanë kapacitetet e nevojshme profesionale, për kryer punën e tyre profesionale. “ Duke a parë se vendi ynë ende nuk ka një regjistër të sëmundjeve profesionale, ne i kemi rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të hartojë këtë dokument, i cili tashmë është finalizuar dhe së shpejti do të shkojë në qeveri për miratim”. Dukolli ka nënvizuar se është analizuar në vazhdimësi gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë, rastet e lëndimeve dhe vdekjeve në punë, duke marrë në konsideratë jo vetëm raportet e Inspektoratit të Punës, por edhe publikimet dhe raportet që kanë dalë nga shoqëria civile, të cilat trajtojnë këtë fushë, si FES, IKS, QPA, PEN etj. “Në kuadër të këtij aktiviteti kemi licencua gjashtë subjekteve juridike dhe kemi mbi 60 persona fizik të certifikuar që ofrojnë shërbime për kompanitë nga lëmi i sigurisë dhe shëndetit në punë. Kemi bërë kampanja vetëdijësuese të sponsoruara nga MPMS dhe Inspektorati i Punës, me qëllim të ngritjes së sigurisë dhe shëndetit në punë. Përkundër punës së madhe të bërë, kapacitetet e IP-së kanë qenë jo të plota në numër për të realizuar vizitat pothuajse në të gjitha ndërmarrjet publike dhe ato private”. Dukolli njoftoi se për vitin në vijim do të ketë rritje të kapaciteteve inspektuese, duke fuqizuar edhe më shumë rolin e inspektoratit. Dukolli ka theksuar se kontributi dhe roli i KNSSHP-së në këtë fushë, është këshilldhënës dhe rekomandues për politikat që kanë të bëjnë me shëndetin dhe sigurinë në punë, ku për çdo aktivitet dhe rekomandim i raportohet Qeverisë. Bashkëpunimi do të intensifikohet edhe më tutje dhe mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha palët që mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes. “Këshilli edhe një herë ju bënë apel të gjithë punëdhënësve që të ofrojnë ambiente të sigurta dhe të shëndetshme pune, apel të gjithë punëtorëve që të kontribuojnë në çështjet e sigurisë duke përdorur pajisjet mbrojtëse në punë, njëkohësisht inkurajojmë inspektoratin e punës që të rrisë kapacitetet inspektuese dhe të mbikëqyrë në plotësi implementimin e legjislacionit që ka të bëjë me marrëdhënien e punës dhe ligjin për siguri dhe shëndet në punë”, tha zëvendësministri Dukolli. Ai ka shtuar se KNSSHP, në kuadër aktiviteteve që e presin do ta diskutojë edhe mundësinë që të stimulojë të gjitha ato kompani që kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë. Përkundër punës dhe përpjekjeve që po bëhen siguria dhe shëndeti në punë mbetet sfidë edhe më tutje. Numri i vdekjeve në punë ka arritur në 22 persona brenda këtij viti, përderisa lëndimet shkojnë mbi 112. Lidhur me problematikën e sigurisë në punë, kryeinspektori i Inpsektoratit të Punës Basri Ibrahimi ka potencuar se vetëdijesimi i punëdhënësve por edhe i punëtorëve në raportimin e rasteve është gjithnjë në rritje. Ai ka bërë thirrje dhe ka inkurajuar të gjithë akterët që të bëhen të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes.

Kontrolloni gjithashtu

Fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”

Komuna e Deçanit me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, organizon …