KFOR-i ka përgënjeshtruar kryeministrin Albin Kurti lidhur me ushtrimet e ushtrisë së Serbisë pranë kufirit me Kosovën. Përderisa këto ushtrime kryeministri, Albin Kurti i ka cilësuar se provokuese dhe shfaqje e rrezikshme e agresionit, KFOR-i i ka cilësuar ato si aktivitete rutinë. “Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua se Forcat e Armatosura Serbe (FAS) do të kryenin një aktivitet të planifikuar trajnimi që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon, është cituar të ketë thënë një zëdhënës i KFOR-it. Ai është cituar të ketë shtuar më tutje se KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar për zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri lëvizjeje për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, pjesërisht dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
