Klubi i Intelektualëve Rugovas ka paralajmëruar institucionet e Kosovës se nëse miratojnë marrëveshjen e tanishme të demarkacionit me Malin e Zi, do të ketë derdhje gjaku. Klubi në përbërje të 30 profesorëve të fushave të ndryshme, ka përsëritur mendimin se marrëveshja e demarkacionit dhe për Asociacionin e komunave serbe, janë të dëmshme për Kosovën. “Nëse kjo marrëveshje miratohet [qeveria] bën thirrje për gjakderdhje. U bëj thirrje institucioneve që të mos hapin varre në Kosovë”, ka thënë Mujë Rugova, anëtar i KIRUG-ut. Ali Muriqi, koordinator i Klubit në konferencën për media të mbajtur sot, ka thënë se Klubi u ka dërguar letër të gjitha institucioneve se demarkacioni dhe ASK-ja janë marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Ndërsa Jeton Kelmendi, anëtar i Klubit të Intelektualëve Rugovas, ka thënë se krerët e shtetit të Kosovës nuk kanë falur, por kanë shitur tokë. Ai në këtë konferencë ka theksuar se me marrëveshjen e demarkacionit janë provokuar njerëzit që janë të lidhur emocionalisht me Rugovën.
