Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit hodhi poshtë pretendimet e talibanëve se ata kontrollojnë 90 për qind të kufijve të vendit

Kolonel (R) Dilaver Goxhaj: Afganistani midis luftës pafund dhe dëshirës për paqe I

Sipas burimeve të lajmeve të  Radios-Kosova e Lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe grupi militant i talibanëve të Afganistanit më 29 shkurt 2020 nënshkruan marrëveshjen historike të paqes, me të cilën pritet t’i jepet fund luftës 18-vjeçare në Afganistan. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme morën pjesë liderët e talibanëve dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. Ngjarja u zhvillua në Doha të Katarit. Sipas kësaj marrëveshjeje, aleatët e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara do t’i largojnë të gjitha trupat ushtarake nga Afganistani brenda 14 muajve, nëse talibanët i respektojnë pikat e marrëveshjes.

Ndërsa, më 10 dhjetor 2019, gazeta “Uashington Post”, me shkrimin e saj “Tri administratat e Shtëpisë së Bardhë, mashtruan publikun për mangësitë dhe dështimet në luftën 18-vjeçare, në Afganistan”, midis të tjerave shkruantre: “Ne nuk po e kuptonim në thelb Afganistanin – nuk e dinim se çfarë po bënim”, tha një gjeneral i luftës në Afganistan, gjatë administratave të ish presidentëve, Xhorxh Bush dhe Barack Obama. Midis 938 dhe 978 miliardë dollarë janë shpenzuar që nga viti 2001 në Afganistan nga Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Sipas dokumenteve, asnjë llogari gjithëpërfshirëse e qeverisë amerikane për shpenzimet e luftës nuk është kryer. Për më tepër, disa prej të intervistuarve thanë se statistikat në qendrën kryesore ushtarake në Kabul dhe në Shtëpinë e Bardhë ishin shtrembëruar për të dhënë përshtypjen se Shtetet e Bashkuara po fitonin luftën.” Gazeta “Uashington Post” nw atw analizw ka publikuar një raport, të bazuar në dokumente të fshehta  të qeverisë amerikane, ku thuhet se tri administratat e Shtëpisë së Bardhë, kishin mashtruar publikun për mangësitë dhe dështimet në luftën 18-vjeçare në Afganistan. Raporti zbulon se lufta, në të cilën janë vrarë 2.300 ushtarë amerikanë ka kushtuar gati 1 trilion dollarë. Rreth 400 zyrtarë të përfshirë në këtë çështje, të cilët janë intervistuar në kuadër të raportit, kanë shfaqur kritika që përfshijnë: strategjinë gjithnjë në ndryshim të Uashingtonit në Afganistan, mangësi në zhvillimin e një force efektive luftarake afgane, dështime për të mposhtur talibanët si dhe për të luftuar korrupsionin në qeverinë afgane.

Në organin shkencor të Komandës së Doktrinave Ushtarake dhe Stërvitjes pranë Shtabit të Përgjishëm të Ushtrisë së Shqipëeisë,  (“Revista ushtarake”,Nr.1, mars 2010), u botua ky studim që prezantojmë sot, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe grupit militant i talibanëve të Afganistanit.

Po e japim të plotë.

Tiranë, 29 shkurt 2020

Materiali i plotë, hartuar në shkurt 2010, dhe botuar për herë të parë në mars 2010

Abstrakt: Duke marrë shkas nga detyrat e Samitit të fundit të NATO-s, prill 2009, rreth përmirësimit dhe ndryshimeve në strategjinë e re të NATO-s, në përqasje me zhvillimet aktuale ndërkombëtare, në këtë shkrim jepen mendime rreth strategjisë konkrete që mund të përdoret nga forcat e Aleancës në Afganistan, ku janë e do të vijojnë të jenë prezent edhe shumë forca ushtarake nga Shqipëria.

Me këtë rast shfrytëzohet edhe përvoja që sjell një toger anglez nga lufta në Afganistan mbi shtatëdhjetë vite më parë, rreth një kryengritjeje të popullsisë afgane në malet e Vaziristanit, në vitet 1936-1938, kujtime, të cilat autori i boton njëzet vjet më vonë. Gjithashtu në këtë shkrim tregohet se ku qëndron forca e guerilasve afganë në të gjitha luftërat e bëra prej tyre, dhe se si mund të afrohesh me ta. Një prej burimeve të forcës së atyre luftëtarëve malësorë, i cili shpjegohet në këtë shkrim, qëndron në Kodin Pashtun, i cili edhe sot përbën ligjin bazë të shoqërisë së atjeshme tribale. Njëkohësisht, këtu flitet mbi rëndësinë e njohjes së atij Kodi nga oficerët tanë dhe të tjerë të Aleancës, që ngarkohen me misione në Afganistan.

Bazuar në përvojën e luftimeve të zhvilluara të forcave angleze dhe atyre sovjetike me guerilasit afganë, jepen sugjerime se si mund të kundërveprohet suksesshëm ndaj guerilasve afganë. Gjithashtu jepen mendime mbi mundësitë e zbatimit të një strategjie sa më të efektshme nga forcat e NATO-s në Afganistan. Së fundmi flitet se a është e përshtatshme dhe e aplikueshme në malet e Afganistanit koncepti i ri ” i NATO-s, “NICHE, duke tërhequr paralele edhe me luftën që është zhvilluar midis forcave angleze dhe ato sovjetike kundër guerilasve afganë si në vitet ’30 edhe  ‘80 të shekullit të kaluar; cilat mund të jenë taktikat ushtarake më të përshtatshme, dhe ato politike e diplomatike ushtarake; si mund të dilet nga kjo luftë, etj.

Hyrje

Dihet tashmë që NATO në Afganistan vepron jo në zbatim të nenit 5 të saj, por si forcë ushtarake jashtë horizontit gjeografik të saj, e caktuar me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Sigurimit, sikundër shkoi në Kosovë në vitin 1999. Prezenca e forcave shumëkombëshe të NATO-s në Afganistan i kalon kufijtë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vendosjen e shtetit ligjor. Paralel me këto detyra, ajo ka edhe detyrën tjetër, shuarjen e forcave Talebane në Afganistan, apo grupeve guerile të armatosura në terrenet malore të populluara dhe që janë nën kontrollin e tyre, të cilat nuk lejojnë vendosjen e përkujdesjes së forcave shumëkombëshe të Aleancës si dhe të administratës së OKB dhe asaj vendore.

Bazuar gjithashtu edhe në faktin që favorizimi i opinionit publik, si në SHBA ashtu edhe në vendet e tjera anëtare të NATO-s ka rënë në mënyrë drastike për luftën në Afganistan për shkak të rritjes së madhe të viktimave civile të goditura nga forcat e NATO-s. Gjithashtu është rritur edhe kritika e gjithë analistëve të këtyre vendeve  mbi korrupsionin e përhapur të qeverisë Afgane, (kulmi arriti me parregullsitë që u zbuluan në zgjedhjet), përfaqësues të qeverive që kanë trupa në Afganistan, kanë shprehur dyshime të hapura mbi aftësitë e Presidentit Hamid Karzai për të kontrolluar dhe luftuar këto dukuri. Të gjitha këto na nxisin të shprehim mendime, që lidhen me strategjinë e fitores së NATO-s atje.

Nisur edhe nga fakti që në Afganistan ende nuk po triumfon asnjë nga palët ndërluftuese si dhe nga porosia e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rasmussen, që zhvillimi i konceptit të ri strategjik i Aleancës “duhet të jetë procesi më i hapur dhe gjithëpërfshirës që NATO ka ndërmarrë ndonjë herë”, përmes këtij shkrimi mendoj të futem në terrenin konkret për dhënien e mendimeve me qëllim që “mesazhet me preçizion të lartë të Aleancës, të jenë po aq të saktë sa edhe municionet me preçizion të lartë.”1)

Aspekti strategjik që unë sugjeroj në këtë shkrim ndoshta nuk ka të bëjë posaçërisht me strategjinë fondamentale ushtarake të NATO-s si aleancë politiko-ushtarake, por më konkretisht si një strategji dhe taktika të mundshme në Afganistan. Kjo strategji mendoj të kombinohet edhe me politikë ekonomike e diplomaci ushtarake, që Aleanca të fitojë kredibilitetin dhe besueshmërinë e popullit në Afganistan, dhe tërë opinionit publik botëror, por që edhe OKB-ja të shndërrohet në një organizatë më shpresëdhënëse.

Ja si është luftuar dikur në Afganistan

“Gabohen kur thonë se të shkuarën mund ta hedhësh pas  krahëve. Sepse e shkuara kapet fort me thonj pas së tashmes.”2) Khaled Hosseini

Nisur nga një thënie e  Lloid Xhorxh se lufta është një art në të cilin efektiviteti varet më tepër nga përvoja sesa nga studimi, mendoj se nuk bëj gabim të sjell në kujtesën e ushtarakëve shqiptarë, pjesëmarrës në angazhimin luftarak të NATO-s në Afganistan, edhe sugjerime nisur nga një përvojë e viteve ‘30 dhe atyre ’80 të shekullit të shkuar, ku malet midis Afganistanit dhe Pakistanit, në të cilat  mendohet se ende sot ndodhet i fshehur Osama Bin Laden dhe drejtuesit e tjerë të Alkaedës, kanë qenë teatër i një lufte guerilase, të ngjashme me atë të Talebanëve të sotëm. Njohja e asaj përvoje bëhet edhe më e nevojshme po të kemi parasysh konceptin e ri strategjik të NATO-s, të emërtuar kapacitetet “NICHE”, kapacitete të nivelit taktik, që të jenë të dislokueshme e të angazhohen në operacionet e NATO-s në çdo moment për luftë antiguerile në terrene malore dhe tepër malore. Sipas këtij koncepti të ri, NATO më lehtë e ka të përgatisë e të pajisë me teknikë të re forcat ushtarake të vendeve të reja e të vogla anëtare të saj (sikundër është edhe vendi ynë) për një “luftë rrufe”, (lloj forcash speciale të ngjashme me “gurkat” angleze), sesa të pajisë e të përshtatë njësitë e saj akoma të mëdha, stacionare e me më pak mundësi për t’i përdorur e dislokuar në largësi 6000 – 15000 km larg Brukselit. Kjo bëhet edhe më bindëse kur në samitin e Rigës (2006) është vendosur që 48% e forcave të aleatëve të rinj të jenë 100% të afta të përdoren si forca “NICHE”, duke hequr dorë nga formacionet tradicionale.3)

Në këtë kuadër, mendoj se na vjen në ndihmë edhe përvoja e dikurshme e togerit anglez, i cili ka marrë pjesë në një nga luftërat kundër një kryengritjeje afgane 73 vite më herët. Ai është togeri Xhon Masters, i cili atë përvojë të luftimeve dy vjeçare e ka  përshkruar njëzet vjet më vonë, kur ai ishte 43 vjeç, në moshën kur qe formuar tërësisht si një oficer me përvojë lufte, dhe ish në gjendje të nxirrte konkluzionet e nevojshme. Po ta shohim me kujdes atë përvojë afgane kundër anglezëve, si dhe luftën e muxhahedinëve kundër sovjetikëve para 25 vjetësh, shohim se edhe sot kemi të bëjmë me të njëjtin terren, me të njëjtin popull dhe me të njëjtat tradita lufte dhe jetese të tij.

Në muajin maj 1937, midis po atyre maleve të Vaziristanit, ku po luftohet me Talebanët, trupat britanike, “Pushkatarët Gurka të Princit të Uellsit”, ndërmorën një ofensivë të dhunshme për të mposhtur një kryengritje kundër forcave ushtarake angleze; një kryengritje e ngjashme me atë të viteve ’80-të të po atij  shekulli e të po atij populli , por këtë radhë kundër ushtrisë pushtuese sovjetike. Edhe sot forcat e NATO-s po përballen me të njëjtën mënyrë dhe po me atë popull.

Cila ishte arsyeja apo shkaku se si filloi ajo kryengritje në vitin 1937, të cilën e shpjegon togeri Masters, nuk është objekt i këtij shkrimi. E rëndësishme për ne është të dimë se si kanë luftuar tributë më të pamposhtura të etnisë Pashtun.

Xhon Masters tregon se në 25 Nëntor 1936, një grup kryengritësish Pashtunë sulmoi befasisht në një grykë mali disa rendime luftarake të brigadës Banu të ushtrisë territoriale Indiane, e cila po lëvizte drejt kufirit Afgan. Guerilasit i shkaktuan asaj njësie ushtarake indiane humbje të rënda në njerëz dhe armatime. Si rrjedhojë, forcat mbretërore angleze u detyruan të ndërmerrnin një operacion ndëshkimi kundër “rebelëve” pashtunë. Pas kundërveprimit të forcave mbretërore, revolta filloi të përhapej menjëherë. Në krye të asaj revolte u gjet dhe doli një udhëheqës karizmatik, i aftë që ta mbante të gjallë kryengritjen, duke ndezur shpirtrat me thirrjen: Për Luftë, për Fe!4) Ai ishte Fakiri i Ipit, të cilin, në fillim anglezët dhe pastaj pakistanezët, do ta ndiqnin deri në vitin 1955, por që ai do të vdiste në vitin 1960, i lirë dhe i respektuar nga pasuesit e tij. Ai udhëhoqi një luftë guerile, grabitje, vrasje, thirrje për xhihad, duke qenë një lider religjioz që fshihej midis po atyre maleve ku luftohet edhe sot dhe që i ikte çdo lloj tentative të kapjes nga ana e një ushtrie të regullt, të mirëstërvitur, shumë të madhe në numër e të fuqishme.

Nga e shkuara ka shumë gjëra për të mësuar. Vëzhgimet e asaj kohe të 23 vjeçarit Xhon Masters mbi luftën guerile në malet e Vaziristanit janë jashtëzakonisht interesante dhe të ngjashme edhe me luftën kundër sovjetikëve në vitet ‘80. Kundërshtari, si edhe tashti, kishte shumë avantazhe: njohjen e vendit, përshtatjen me terrenin e ashpër malor dhe kushtet e vështira klimaterike; mbi të gjitha një rezistencë dhe durim të pafund, një qëllim shumë të hapur dhe një dëshirë vërtetë të madhe për të luftuar, e cila shihej  si një lloj dëfrimi për të rinjtë lokalë të tribuve. Ata nuk dallohen si ushtri, pasi me ato rroba që flenë e punojnë, me ato edhe luftojnë, dhe kjo është një nga anët e forta të tyre.

Ndryshimet e luftës së atëhershme me sot

A nuk na kujton kjo diçka të ngjashme sot? Por me një ndryshim shumë të madh. Atëherë, në vitet ‘30 të shekullit të kaluar nuk ekzistonin aeroplanë supersonikë, as helikopterë, as bombat inteligjente dhe as satelitët spiunë, por megjithatë sovjetikët me avionët, helikopterët dhe “spetsnazet” e tyre pas 10 vjet luftë me këta “arkaikë” u detyruan të tërhiqen. Gjithashtu ende nuk duket se përparimet teknologjike t’u kenë mundësuar forcave të NATO-s për të arritur një avantazh deçiziv mbi këta malësorë të pamëshirshëm e të pamposhtur afganë e pakistanezë.

Elementi i parë që duhet të kihet parasysh, nga ato përvoja, është ai që, guerilasit në malet e Vaziristanit duronin dhe dinin të prisnin me orë, ditë, edhe me javë të tëra nëse ishte e nevojshme, derisa të paraqitej një rast i favorshëm, si për shembull; mosvëmendja e një roje, nënvleftësimi i një oficeri në komandë të një kolone me furnizime, apo të një postblloku në hyrje të një lugine, etj. Ata vëzhgonin nga pozicione dominuese dhe të fshehta; studionin mënyrat e lëvizjeve dhe oraret e tyre, gati për të shfrytëzuar çdo pakujdesi, e cila vinte si pasojë e vetëbesimit në fuqinë që kishin ushtria angleze dhe ajo sovjetike, e cila i çonte në mungesën e marrjes së masave të sigurimit të marshimeve apo të ruajtjes. Këtë vetëbesim në teknologjinë luftarake e kanë manifestuar edhe sot forcat e Aleancës atje. Kur e njëjta kolonë ushtarake angleze apo ruse kishte kaluar e paprekur në të njëjtën grykë për 10 ose dhe 50 herë, eskorta dhe oficerët sigurisht që do të bëheshin më të shkujdesur, dhe do të kërkonin që të mos humbisnin kohë. Atëherë guerilasit përfitonin nga moskujdesi i tyre dhe pa më të voglin hezitim, sulmonin rrufeshëm me zjarr vdekjeprurës atje ku më parë nuk kish patur as edhe një lloj rreziku për forcat angleze. Pra, kohën dhe vendin e ndeshjes e zgjedhin ata. Po kështu vepronin edhe ndaj helikopterëve rusë, të cilët i asgjësonin edhe me granat-hedhësin e zakonshëm.

Veprime të ngjashme janë kryer edhe gjatë viteve që janë angazhuar atje forcat e Aleancës. P.sh, prej datës 31.12.2009 deri datë 02.01.2010, në fshatin Bala Murgahab, në zonën e Heratit, pikë që kontrollonte rrugën nacionale që lidh Afganistanin me Turkmenistanin, u luftua 72 orë pandërprerje, ku forcat ushtarake perëndimore (dy regjimente italiane dhe forca të tjera shumëkombëshe nën komandën italiane dhe forca të ushtrisë afgane, rreth 3000 forca) përdorën edhe aviacionin dhe përsëri nuk mundën t’i shpartallonin dhe jo më t’i asgjësonin 60 guerilasit talebanë.5) Duam apo s’duam, ky fakt tregon se forcat e Aleancës gjithçka e mbështesin tek teknologjia e lartë luftarake, nga që nuk janë të afta për luftë tokësore me talebanët. Po ashtu ndodhi edhe në 18 janar të këtij viti, ku vetëm 20 talebanë hynë në kryeqytetin Afgan dhe sulmuan gjithë godinat qeveritare, terrorizuan popullin dhe pas disa orë luftimesh me forcat e ushtrisë afgane, mundën përsëri të largohen.6)

Ashtu si në luftën e muxhahedinëve afganë kundër forcave sovjetike, të cilat mbështeteshin fuqishëm nga avionët e frontit SU-25, dhe sidomos nga “tanket fluturues”, helikopteri Mi-24, vihet re se Talebanët kanë mësuar t’i kundërveprojnë edhe teknologjisë më moderne luftarake që ka NATO. Dhe si? Duke zhvilluar luftime të afërta, me qëllim që aviacioni të mos mund t’i godasë, si dhe duke ndërruar shpesh taktikë, luftime mbrojtëse edhe disa ditore, si dhe sulme të shpejta e të shpeshta, madje edhe brenda në Kabul. Si rrjedhojë aviacioni për të mos goditur trupat e veta, detyrohet të godasë popullsinë civile të fshatit, gjë që rrit urrejtjen te popullsia, e cila do të mbështesë gjithnjë e më shumë Talebanët.

Gjatë zhvillimit të luftimeve mbrojtëse disa ditore, është vënë re se forca të tjera të maskuara Talebane infiltrojnë në terrene të kontrolluara nga NATO dhe kryejnë prita ose aksione nëpër qytete. Kjo taktikë, njëkohësisht edhe strategji e tyre, të le të kuptosh se kemi të bëjmë me një qendër drejtuese ushtarake të të gjithë këtyre veprimeve në shkallë vendi. Por, duke parë se Talebanëve u mungon një forcë e mirëfilltë politike, bindemi edhe më shumë se ajo mund të jetë më së shumti një luftë zonash sesa e centralizuar rigorozisht.

Si mund të kundërluftohet në këto kushte?

Që forcat e NATO-s të mos bien befasisht në pritat e talebanëve, dhe që t’u shmangen luftimeve të afërta, bazuar në luftërat e mëhershme, kurrë nuk duhet të ndihen të sigurta, kurrë nuk duhet ta ulin vigjilencën. Gjëja kryesore që shkon kundër tendencës të të gjitha ushtrive të rregullta, si dhe në sistematikën e kryerjes së operacioneve, sikundër e thekson edhe Masters, është mosaplikimi i së njëjtës taktikë dy herë radhazi në të njëjtin rajon; duhet ndryshuar gjithmonë oraret, itineraret tokësore dhe ata me helikopterë, modalitetet e lëvizjeve dhe të angazhimit; mënyrën, sasinë dhe dendurinë e forcave të angazhuara. Konvoji, që normalisht në lëvizjen e parë shoqërohet nga një togë, në radhën e ardhshme, gjatë lëvizjes në po atë rrugëkalim, duhet të shoqërohet me më shumë forca, dyfishin e tyre, madje të përforcuara me pararojë dhe anërojë; misionet ndëshkuese të ndërmarra nga një kompani apo batalion dhe të mbështetura nga aviacioni nuk duhet të ripërsëriten shpesh dhe jo me të njëjtin taktikë kur ndëshkojnë një formacion Taleban larg qendrave të banuara – të paktën në atë zonë, ose për një kohë të caktuar. E gjitha kjo duhet të shoqërohet me një prezencë forcash të përhapur kudo, në të gjithë territorin, të bazuara në pozicione fikse – “në atë kohë fortesa të vërteta, shkruan Xhon Masters, dhe tepër të fortifikuara” për t’u mbrojtur nga sulmet e guerileve – dhe të shoqërohet me inkursione të shpejta e të pandalshme të grupeve të vogla ushtarake kundër bazës Talebane, të shoqëruara nga persona lokalë që njohin terrenin, të udhëhequra nga oficerë të aftë e që të lëvizin me të njëjtën shpejtësi me atë të Talebanëve. Në të kundërt forcat “NICHE” do të humbasin nismën. Kush humbet nismën, humbet luftën. Marrja nën kontroll nga Talebanët edhe e periferive të qyteteve, tregon se nismën e kanë marrë këta.

Që të mos e humbasin iniciativën, forcat e NATO-s nuk duhet të mbështetet vetëm te inkursionet kundër qendrave të banuara, pasi do të kemi pasoja kolaterale (dëme në civilë), gjë që do të na e rrisi radikalizmin e luftës, por të sigurojnë edhe prezencë të kudondodhur, jashtë dhe larg qyteteve. Brigada në të cilën bënte pjesë Xhon Masters hyri në aksion në gjysmën e dytë të muajit maj të vitit 1937. Luftimet ishin tepër të forta dhe tepër të ashpra: “guerilasit e maleve Vaziristan nuk mbanin robër, ata u prisnin trupat, u prisnin kokat të plagosurve që binin në duart e tyre.”7) Megjithë vështirësitë e larta të luftës me guerilasit e Vaziristanit, si repartet britanike ashtu edhe ato sovjetike arritën të siguronin disa suksese të padyshimta në fushëbetejë, falë mundësive të oficerëve dhe “gurkave” angleze e “spetsnazeve” ruse, të aftë për t’u adaptuar në kushtet e veçanta të luftës guerile në mal. Por  ajo ishte një luftë e cila nuk mund të fitohej, së paku, thekson Masters, pa përdorur  metoda më të këqia se e keqja mbi të cilën luftohej – që domethënë, pa zhdukjen sistematike të tribuve Pashtun. Por kjo jo vetëm që ishte e pamundur, por as njerëzore, gjë që sot as që mund të mendohet. Në ato kushte, qeveria e mbretit Xhorxh nuk e pa atëherë të arsyeshme vijimin e kësaj politike drastike, por u kënaq vetëm me shtypjen e kryengritjes në disa vende të caktuara dhe me ndalimin e përhapjes së saj edhe në territorin indian, të Pakistanit të sotëm. Të njëjtën gjë pamë që bëri edhe Gorbaçovi 50 vjet më vonë.

Mos harrojmë edhe faktin tjetër që të njëjtët guerilas, ashtu si përzunë forcat e atëhershme angleze dhe ato ruse, sot janë duke mbrojtur bazat e Alkaedës e ndoshta edhe vet Bin Ladenin. Malet midis Afganistanit dhe Pakistanit janë në fakt toka e askujt, ku edhe vet fortesat britanike dhe ato ruse të atyre periudhave mbahen akoma në efiçencë. E ndoshta një luftë që nuk mund të fitohet, por që duhet të vazhdohet kundër shkatërruesve të Budave gjigande në Bamijan, mundësisht me të njëjtin aftësi dhe efektivitet të ngjashëm me atë të pushkatarëve Gurka të 1937-ës, apo të forcave “spetsnaze” të viteve ’80, operacionet antiguerile të të cilëve mund të na mësojnë shumë, por edhe duke mësuar nga taktikat e Talebanëve. Me shpresën që civilizimi të arrijë të bëjë ndonjë hap përpara, dhe të bëjë të mundshme paqen edhe midis maleve të egra e të padepërtueshëm të Vaziristanit, oficerët tanë duhet të kenë parasysh edhe luftërat e mëhershme të bëra nga ai popull.

Teknologjia nuk mund ta zëvendësojë rolin e njeriut në luftë

Ekziston një paradoks, i cili për fat të keq, u ka shpëtuar shumë analistëve ushtarakë, dhe akoma më keq shumë komanduesve dhe përgjegjësve të luftës kundër terrorizmit Taleban e atij xhihadist: në kohën e teknologjisë, në epokën në të cilën mendojmë se çdo lloj konflikti të armatosur mund ta zgjidhim me anë të avionëve spiunë, bombave inteligjente dhe super armëve të tjera, Talebanët dhe Alkaeda shfrytëzojnë mjeshtërisht në avantazh të tyre kushtet ambientale, humane dhe morale, absolutisht arkaike. Ky përfundim nuk duhet harruar, pasi fitoren në luftë nuk e sigurojnë as teknologjia e sofistikuar luftarake, as fuqia ushtarake, as cilësia e armëve, por forca shpirtërore e njerëzve. Aq më shumë kur dihet se, lufta me ata që nuk kanë ç’të humbasin, është gjithmonë e paleverdishme. Ndoshta forcave tokësore të NATO-s u falet ky absolutizim i teknologjisë luftarake, nga që e kanë luftën e parë me guerilast në male.

Zona në të cilën fshihen drejtuesit e Talebanëve, ndoshta edhe Osama Bin Laden e pasuesit e tij, është një nga zonat më të padepërtueshme të botës, midis grykave dhe majave të maleve të Vaziristanit, në shpellat natyrale ose të gërmuara nga njeriu gjatë shekujve, ku teknologjia luftarake shpesh has në pengesa të pakapërcyeshme. Dhe kjo tashmë është provuar si ndaj rusëve edhe ndaj Aleancës.

Ku qëndron forca morale e talebanëve?

Ajo që nuk është e ditur dhe që nuk merret parasysh, është mbrojtja që u afrohet luftëtarëve guerilas vendas nga një lloj sjelljeje dhe normash morale, dhe rregullash të jetës së tribuve Pashtun të provincës Pakistaneze në kufirin Veriperndimor, si dhe në zonat e tjera të territoreve malore Afgane. Vetëm falë këtyre kodeve, rregullave, dhe avantazhit që ato sigurojnë, Talebanët por edhe organizata paramilitare Alkaeda mund të mbijetojnë të pashqetësuar në Vaziristan, mund të gjejnë hapësirë për bazat e tyre, mund të rekrutojnë muxhahedinë të rinj dhe të lidhin aleanca, dhe mund të aspirojnë (siç ka thënë në një mesazh të fundit numri 2 i Alkaedës, Alzahiri) të destabilizojnë një vend  kyç si Pakistani.

Edhe në atë kohë, arkaikja luftonte kundër modernes, luftonte forca morale e një ligji të shpërndarë nëpër tributë e maleve kundër dobësisë së ushtrisë Perëndimore, e cila është skllave e mirëqenies. Edhe në vitet ’80 të shekullit që porsa lamë, por edhe sot, talebanët vijojnë të përdorin po ato forma “arkaike” dhe përsëri mbijetojnë.

Përgjigjja e burimit të forcës talebane është shumë e thjeshtë. Baza kryesore janë tre normat bazë që konstituojnë tek i ashtuquajturi Pashtunvali, (Kodi Pashtun), ligji bazë i shoqërisë tribale që askush nuk mund ta anashkalojë, pasi dënohet me vdekje nga vet njerëzit e tij.

I pari, është Nanavati, ose: Mbrojtje dhe Ndihmë: kjo kërkon që çdo Pashtun të sakrifikojë të mirat e tij, qoftë edhe jetën e tij për të pranuar dhe mbrojtur çdo kënd që kërkon strehim nën çatinë e tij, në kushte të rrezikut ose të vështirësive ekstreme. Kjo, nëse është e nevojshme, aplikohet edhe kundrejt miqve të vetë mbrojtësit.

E dyta, quhet Badal, ose Hakmarrja: çdo Pashtun duhet të hakmerret edhe për fyerjen apo dëmin më të vogël personal, si dhe dëmin që i bëhet pronës së tij.

E treta, quhet Melmastia, Mikpritja: çdo Pashtun është i detyruar t’i ofrojë ushqim dhe mikpritje udhëtarëve që arrijnë në shtëpinë e tij. Është interesante ngjashmëria me kanunin shqiptar: Sikundër shihet, norma tepër të thjeshta, të cilat mund të na bëjnë të qeshim për arkaicitetin e tyre, por të afta për të influencuar historinë botërore të pas 11 Shtatorit.

Le ta shqyrtojmë të parën, Nanavati-n. Duhet ditur se Osama Bin Laden nuk ishte shumë i dëshiruar për malësorët e Vazirirstanit, jo vetëm nga që është arab dhe tepër i pasur, por dhe që është i dhënë i tëri pas planeve të largëta për të ndërtuar neokalifatin. Mirëpo, Osama u strehua midis Pashtunëve, në kushte tepër të rrezikshme për jetën dhe, padyshim që e njihte shumë mirë Kanunin Pashtun, punën e parë që bëri, ai kërkoi ndihmë. Kodi Pashtun detyron për mbështetje totale jo vetëm atë që e ka pritur i pari, por edhe të afërmit e  mikpritësit, e cila, sigurisht që parasheh edhe marrjen e armëve për mbrojtjen e mikut, pengimin me çfarëdo mënyre të armiqve të tij, deri dhe me pjesëmarrjen në angazhimet e tij. Kjo na kujton kanunin shqiptar: “Shpia e shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut.”8)

Por edhe norma e dytë ka një peshë që na bën të kuptojmë atë çfarë ndodh sot. Badal-i detyron çdo lloj Pashtuni për t’u hakmarrë jo vetëm për fyerjet por edhe për dëmet që pëson prona e tij, të afërmit e tij dhe fisi i tij. Dhe hakmarrje për ta do të thotë të derdhësh gjak. Tashti imagjinoni hakmarrjen afgane kur një “avion apo raketë inteligjente” që në tentativë për të shkatërruar një bazë të Alkaedës, bën rrafsh me tokën dy ose tre kasolle të malësorëve Pashtun. Ata në vitin 1937 shpërthyen një kryengritje të tërë, vetëm pse autoritetet lokale dhe ushtria angleze u morën me forcë një vajzë të konvertuar, duke e çliruar nga rrëmbimi dhe jo më kur vriten me dhjetëra civilë nga “municionet me preçizjon të lartë” të forcave aktuale ndërkombëtare, sikundër ndodhi me aviacionin gjerman disa muaj më parë, ku u vranë 90 civilë. Por, edhe në rastin kur nuk mbesin të vrarë gra edhe fëmijë, gjë që fatkeqësisht ndodh shpesh, edhe pse aksioni zhvillohet në mënyrë “kirurgjikale” dhe ka një justifikim taktik, ndoshta edhe një përfundim ushtarak të mirë për momentin, efekti anësor, (që fatkeqësisht nuk merret parasysh as edhe një herë), është ai i futjes në veprim të Badal-it. Prej asaj dite  do të ketë një kapo familjeje Pashtun, i cili farkëton në heshtje armën e vet, duke pritur me durim objektivin e parë me flamur amerikan, anglez, francez ose dhe shqiptar. E krahasojmë me kanunin shqiptar: “Gjithçka kalbet, por gjaku s’kalbet kurrë; domethënë vrasja s’harrohet kurrë.”9). Këtë hakmarrje e radikalizon edhe mos dënimi publik nga ana e NATO-s e eprorëve ushtarakë që mbajnë përgjegjësi për vrasjen nga aviacioni të civilëve afganë. Dhe këtë “neglizhencë” të NATO-s e shfrytëzojnë mjeshtërisht klerikët myslimanë të atjeshëm.

Përsa i përket normës së tretë, Melmastia, Xhon Masters e nis me përmendjen e një rasti tipik. Midis mesit të shekullit 19, tregon ai, një grup i vogël oficerësh anglezë, që vareshin atëherë nga kompania “East India” dhe nga qeveria Sik e Punxhabit, arritën që të përfitonin bashkëpunimin dhe aleancën e disa udhëheqësve në Vaziristan. Pyetjes së një gazetari të asaj kohe: “Si dreqin arritët që të përfitonit lojalitetin dhe miqësinë”, e njërit prej personazheve të këtyre tribuve, (që njihej si një prej tribuve të përbëra nga rebelë të panënshtrueshëm), oficeri në fjalë – Harry Lumsden, krijues dhe komandant i parë i “Queen’s Own Corps of Guides”, një repart kavalerie jo i rregullt, u përgjigj disi i çuditur: “Çfarë ka këtu për t’u habitur!? Fola me ta dhe i trajtova si xhentëllmenë.”10). “Miku i huaj dhe i largët – thuhet edhe në kanunin shqiptar – pritet me mish të pjekur. Sa më i largët të jetë miku, aq më i madh i bëhet nderimi.”11). Kjo është edhe tradita Pashtune, ndaj dhe sjellja e Lumsdenit duhet të jetë diplomacia ushtarake. Ky fakt na nxit të mendojmë se si ta zgjerojmë këtë lloj diplomacie. Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ndihma në artikuj ushqimorë për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

Jam zgjuar i lodhur dhe i mërzitur tejmase. Sapo ndahem nga gjumi  dhe kontaktoj me …