Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë, Gjeneralmajor Enrico Barduani, ka vizituar sot kontingjentin shumëkombësh të BENELUX-it (Belgjikë, Holandë, Luksemburg) të vendosur në Kampin e Novo Selës. Sipas njoftimit të bërë publik nga Misioni i NATO-s në Kosovë, kontingjenti është pjesë e Batalionit të Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimit të KFOR-it dhe kontribuon me aftësi të avancuara të Sistemeve Ajrore Pa Pilot (UAS), duke ofruar një pasqyrë të azhurnuar të situatës në terren për Komandën e Misionit. Gjatë vizitës, Gjeneralmajor Barduani shprehu mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e ushtarëve të kontingjentit, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. KFOR-i vijon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe duke garantuar lirinë e lëvizjes. Misioni operon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve përkatëse në sistemin e reagimit të sigurisë.
