KOMF publikon Politikën Rekomanduese për Shëndetin e Fëmijëve

KOMF publikon Politikën Rekomanduese për Shëndetin e Fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka publikuar Politikën Rekomanduese për Mbrojtjen e Shëndetit të Fëmijëve, përmes të cilës kërkon vendosjen e shëndetit të fëmijëve në qendër të prioriteteve dhe të veprimeve në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorive Komunale për Shëndetësi. Politika Rekomanduese u hartua nga Grupit Tematik për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shëndetësi, në kuadër të KOMF.

Kjo Politikë Rekomanduese u publikua përmes konferencës për media, ku pjesë e panelit ishin Arsim Berisha, Zv. Ministër i Shëndetësisë, Donjetë Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF, Muhamet Arifi, Drejtor Ekzekutiv në Balkan Sunflowers dhe Vlorian Molliqaj, Drejtor Ekzekutiv në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

Donjetë Kelmendi nga KOMF tha që vlerëson nismat e Ministrisë së Shëndetësisë për hartim dhe plotësim – ndryshim të legjislacionit, por konsideron se investimet e ulëta në sektorin e shëndetësisë pengojnë zbatimin e legjislacionit duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve.

Arsim Berisha, zv Ministër i Shëndetësisë tha që kjo Ministri shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe se do të adresoj çështjet e ngritura në kuadër të Politikës Rekomanduese.

Muhamet Arifi nga organizata anëtare e KOMF, Balkan Sunflowers, prezantoi të dhëna për gjendjen e shëndetit të fëmijëve dhe nënave nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Shqetësuese mbetet imunizimi i ulët, vizitat shëndetësore para, gjatë dhe pas shtatzënisë dhe shkalla e vdekshmërisë së foshnjave.

Vlorian Molliqaj nga organizata anëtare e KOMF, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë tha që sipas të gjitha studimeve pandemia Covid-19 ka rënduar shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe pasojat do të fillojnë të shfaqen, prandaj kjo Politikë vjen në kohën e duhur. Molliqaj u bëri thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen me vaksinën kundër Covid-19, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe foshnjave.

Bukurezë Surdulli nga KOMF prezantoi të gjeturat kryesore dhe rekomandimet. Çështjet prioritare të ngritura me këtë Politikë Rekomanduese janë:

  • Gjidhënia, imunizimi dhe shërbimet shëndetësore për fëmijët në kujdesin parësor
  • Shërbimet shëndetësore për fëmijët në kujdesin sekondar dhe terciar
  • Shërbimet shëndetësore për fëmijët e komuniteteve
  • Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi me narkotikë, duhani, alkooli dhe pijet energjike
  • Mbrojtja e shëndetit mendor të fëmijëve
  • Mbrojtja e fëmijëve nga ndotja e ajrit
  • Furnizimi me barna dhe Lista e Barnave Esenciale
  • Ligji për Sigurime Shëndetësore
  • Integrimi i shërbimeve shëndetësore, sociale dhe arsimore
  • Blerja e shërbimeve shëndetësore nga sektori jo qeveritar dhe privat

KOMF kërkon vëmendje dhe ndërhyrje të menjëhershme në çështjet e adresuara në këtë politikë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe rekomandon fuqishëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtoritë Komunale për Shëndetësi që të rrisin investimet në sektorin e shëndetësisë, me qëllim implementimin dhe zbatimin e reformave dhe politikave në këtë sektor, të cilat ndikojnë në sigurimin e shërbimeve cilësore për fëmijë.

Kontrolloni gjithashtu

UCK

Igor Filkov: Fletë-arrestet e INTERPOL-it, për ish-pjesëtarët e UÇK-së do të zbatohen edhe në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, deklaroi të se fletë-arrestet e INTERPOL-it, …