Komuna e Ferizajt ka nisur këtë të hënë procesin e dëgjimeve buxhetore për hartimin e buxhetit për vitin 2026. Dëgjimi i parë publik është mbajtur me përfaqësues të organizatave joqeveritare (OJQ), të rinjtë, sportistët dhe përfaqësues të mediave.
Në hapje të këtij takimi, udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Publikun, Shyhrete Topalli-Rexhepi, theksoi se dëgjimet buxhetore janë një mundësi e mirë për të kuptuar më saktë kërkesat e grupeve të interesit, në mënyrë që ato të reflektohen në planifikimin buxhetor për vitin 2026.
Ndërsa drejtorja për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhemile Murati-Shabani, theksoi se kjo drejtori edhe për vitin e ardhshëm ka paraparë si prioritet subvencionimin e OJQ-ve dhe klubeve sportive. Në këtë rast ka theksuar se Komuna e Ferizajt po bën të pamundurën në mënyrë që secilit klub sportiv ti dal në ndihmë në lidhje me kërkesat e tyre.
Pjesëmarrësit e këtij dëgjimi shprehën kërkesat dhe propozimet e tyre, të cilat ishin të ndryshme, por një nga kërkesat më të theksuara ishte që të bëhet diçka konkrete në lidhje me shtimin e lokacioneve sa më të përshtatshme për të gjitha klubet sportive me theks të veçantë futbolli. Poashtu u kërkua që të bëhet subvencionimi i klubeve të suksesshme dhe jo i atyre që nuk kanë treguar ndonjë rezultat konkret.
Pasditen e sotme, dëgjimet buxhetore do të vazhdojnë me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe fermerët e Ferizajt.