Procesi i dëgjimeve buxhetore në Komunën e Ferizajt ka vazhduar të mërkurën pasdite me takimin e radhës të mbajtur me përfaqësues të komuniteteve pakicë. Ky takim u zhvillua në sallën e Kuvendit të Komunës dhe kishte për qëllim përfshirjen aktive të të gjitha komuniteteve në procesin e planifikimit buxhetor për vitin 2026.
Në këtë dëgjim mori pjesë drejtori i urbanizimit, Arber Bytyqi, i cili i njoftoi të pranishmit për strukturën e projektbuxhetit të vitit 2026, duke shpjeguar planifikimet dhe mundësitë e investimeve të ardhshme në shërbim të qytetarëve. Ai theksoi rëndësinë që ka ky proces për të garantuar pjesëmarrje gjithëpërfshirëse dhe për të adresuar nevojat reale të komuniteteve në nivel lokal.
Gjatë takimit, qytetarët paraqitën kërkesa të shumta, që përfshinin ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e trotuareve, asfaltimin dhe rregullimin e rrugëve lokale, përmirësimin e ndriçimit publik.
Drejtori Butyqi u zotua se kërkesat e adresuara do të trajtohen me prioritet, sipas mundësive buxhetore dhe nevojave reale të terrenit.