Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me Nënkryetarin Lulzim Aliu, gjatë ditës së sotme kanë pritur në takim Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve, i cili vepron në bazë të Ligjit për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e tjera.
Komisioni u kryesua nga Kastriot Lajqi, Kryesues i Komisionit Qendror për Fatkeqësi Natyrore dhe Fatkeqësi të tjera, ndërsa pjesë e tij ishin edhe anëtarët Fatos Selimi dhe Bashkim Mehmehaj.
Gjatë takimit, përfaqësuesit komunalë i njoftuan anëtarët e komisionit nga afër me dëmet e shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut. Sipas vlerësimeve paraprake, dëme janë evidentuar në sektorin e ekonomive familjare, në bujqësi si dhe në biznese të ndryshme në territorin e komunës.
U theksua se ekipet komunale kanë qenë në terren për evidentimin e dëmeve dhe për ofrimin e ndihmës së parë për qytetarët e prekur. Ndërkohë, Komisioni Qendror do të vazhdojë me procedurat ligjore për vlerësimin zyrtar të dëmeve, me qëllim të mundësimit të kompensimit për familjet dhe bizneset e dëmtuara.