leoni

Komuna e Klinës realizon mbi 30 projekte kapitale në 6 mujor

Komuna e Klinës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka realizuar dhe po realizon mbi 30 projekte kapitale në fusha të ndryshme, arsim, shëndetësi, infrastrukturë rrugore, ujore, kanalizim, bujqësi e tjera. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, gjatë prezantimit të raportit ekonomiko financiar dhe investimeve në periudhën janar-qershor 2017, para anëtareve të Kuvendit të Komunës së Klinës, ka thënë se pushteti lokal në Klinë gjatë kësaj periudhe vazhdon të mbetet i përkushtuar në përmirësimin e mëtejshëm të ofrimit të shërbimeve në të gjitha fushat e jetës. “Arritjet tona janë të përbashkëta me qytetarët tanë dhe institucionet tona”. Sipas tij, fokus të veçantë i është dhënë arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, infrastrukturës në përgjithësi, por edhe gjithë resorëve tjerë, duke spikatur angazhimin konkret për një jetë më të mirë të qytetarëve, për shëndetin, për arsimim të gjeneratave të reja, për një të ardhme në agrokulturë dhe agrobiznes, por edhe për angazhim në kuadër të përmirësimit të imazhit të Klinës edhe në aspektin e mirëqenies dhe përkujdesjes për familjet të cilat janë në gjendje të vështire ekonomike dhe kanë probleme shëndetësore. “Si rezultatet i qeverisjes së mirë gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhe janë në procesin e realizmit e kontraktimit mbi 30 projekte, siç janë ato të asfaltimit të rrugëve në Jashanicë, Këpuz-Qeskovë, Shtupel, Stupë-Zajm, Deiq dhe në qytetin e Klinës. Është duke u punuar në rehabilitimin e shtratit të Lumit Drini Bardhë ndërsa po rregullohen edhe kanalizime në Jashanicë, Gjurgjevik të Vogël dhe Caravikë si dhe projekte tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarit. Një projekt tjetër kapital është fillimi i punimeve në ndërtimin e Qendrës Rinore që ka kushtuar 250 mijë euro”. Bashota, shprehet se prioritet të madh i kanë dhënë edhe arsimit duke investuar në hapësira të reja shkollore si dhe kemi arritur që bashkë me donator të realizojmë disa projekte që kanë ndikuar në ngritjen e kapaciteteve në arsim. “Gjatë këtij gjashtëmujori, kemi përuruar tre objekte të reja shkollore moderne në Jashanicë, Perqevë dhe Këpuz, të cilat kanë qenë më se të nevojshme të cilat kanë kushtuar afër 1 milion euro. Do të ndërtohet edhe objekti i ri i shkollës “ IsmetRraci” në Klinë. Këtë periudhe 6- mujore komuna e Klinës nga buxheti komunal në objektet shkollore ka investuar gjithsej 62 mijë e 270 euro dhe atë në dhe ka ndarë 20 bursa për studente nga 500 euro për person, gjithsej vlera 10 mijë euro. Po ashtu në këtë periudhe Komuna e Klinës, falë nja politike të mirë ka realizuar edhe projekte të shumta në bashkëpunim me donatorë ku është investuar në objektet shkollore, 100 mijë 723 euro. Kemi ndërtuar një administratë të qëndrueshme, efikase dhe të përgjegjshme, e cila po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe është duke ofruar shërbime me standarde profesionale. Të gjitha kërkesat procedohen me shpejtësi dhe kujdes të veçantë. Në aspektin e ofrimit të shërbimeve administrative për qytetarët, Komuna e Klinës ka shënuar progres përmes funksionalizimit dhe përdorimit të E-Kiosk=ut, ku qytetarët mund të pajisen me 5 lloj të dokumenteve civile 24 orë. Përveç kësaj është në proces edhe riparimi i Zyrës së Gjendjes Civile në fshatin Gllarevë për të krijuar kushte sa me të mira për qytetarët”, njofton Bashota. “Bujqësia mbetet njëra ndër prioritet e qeverisë lokale duke pasur parasysh se Klina ka një potencial të mirë për zhvillimin e bujqësisë për shkak të tokës pjellore. Në sektorin e bujqësisë prioritet i është dhënë ndërtimit të kanalit të ujitjes gjë që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve bujqësore. Kështu është në ndërtim kanali ujitjes Zllakuqan-Radulloc 1016 metra që ka kushtuar 27 448 euro, ku do të ujitën mbi 100 hektarë tokë me mundësi vazhdimi të këtij projekti nga i cili do të ujiteshin mbi 250 hektarë tokë të kësaj ane. Kemi edhe ndërtimin e kanalit të ujitjes në Grabanicë (Të penda e Ukë Sahitve) ku do të ujitën 100 hektarë tokë. Ky projekt është në realizim dhe ka kushtuar 29 317 euro. Në bashkëfinancim me Ministrinë e Bujqësisë është në përfundim e sipër projekti i ndërtimit të kanalit të ujitjes i gjatë 4250 metra Stupë-Budisalc- Krushevë e Madhe, ku do të ujitën mbi 300 hektarë tokë. Planifikohet edhe ndërtimi i kanalit të ujitjes në Dellovë i gjatë 1300 metra. Sa i përket Shërbimeve Publike, gjatë kësaj periudhe janë arritur rezultate të mira sidomos në krijimin e një ambienti sa më të pastër. Është bërë heqja e deponive ilegale në zonat rurale në 47 pika të Komunës së Klinës, projekt ky i cili ka kushtuar 16 840 euro. Në shëndetësi Klina, ka fituar një grant nga Qeveria e Japonisë në vlerë prej 68,220, kurse granti tjetër është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë në emër të zbatimit të të drejtave të garantuara të komuniteteve RAE në Komunë e Klinës në vlerë prej 10.000 €. Gjithashtu, janë kryer të gjitha procedurat dhe jemi në proces të pritjes për marrjen edhe të një autoambulance tjetër nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë prej 70.000 €. Pra, shuma totale e granteve të përfituar (përfshirë edhe autoambulacën e MSH-së që do të na vije arrin në: 142.220 €. Në investimet kapitale janë paraparë edhe rinovimi dhe sigurimi i aparaturave për Shërbimin e Urgjencës në QKMF-në “Nënë Tereza” në Klinë, rinovimet e QMF-ve në Ujmirë, Zllakuqan dhe Sferkë dhe 4 AMF-ve. Sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve, të hyrat kanë shënuar rritje ndërsa janë zvogëluar shpenzimet për derivate. Jemi angazhuar fuqishëm që të arrijmë nivelin më të lartë të transparencës komunale dhe në vazhdimësi jemi kujdesur që praktikat më të avancuara demokratike, të aplikohen gjatë vendimmarrjes në qeverinë komunale. Do vazhdojmë edhe në të ardhmen të realizojmë objektivat tona të cilat janë përtej planifikimeve vjetore dhe kjo falë një qeverisje të mirë të pushtetit lokal”, ka konstatuar kryetari Bashota.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …