Komuna e Vitisë ka filluar me ciklin e dëgjimeve lidhur me planifikimin e buxhetit komunal 2026-2028. Në takimin e parë të mbajtur me qytetarët vitias të pranishëm ishin zv. kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti dhe zyrtar të tjerë.
Lidhur me procesin e planifikimit të buxhetit komunal një fjalë rasti ka mbajtur zv. kryetari Aliu, i cili tregoj se gjatë kësaj faze pritet të mbahen gjithsej 6 takime buxhetore në lokalitete të ndryshme të kësaj komune dhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Ai po ashtu tha se pas këtyre takime komisioni përkatës në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e Financave, do të dërgoj të gjitha propozimet dhe sugjerimet e qytetarëve për shqyrtim duke caktuar prioritetet sipas mundësive dhe ti fus ato në listën për investime kapitale. Megjithatë ai tha se propozim buxheti do të shkoj për shqyrtim në Kuvendin Komunal të Vitisë dhe përmendi faktin që çështja e kontratës kolektive ka vështirësuar realizimin e projekteve të reja dhe të atyre ekzistuese.
Ndërkaq në mënyrë të detajuar propozim buxheti i paraparë për vitin 2026 u prezantua nga drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti. Ajo tha se buxheti i paraparë për vitin 2026, parashihet të jetë në vlerë totale prej 18,324,215 euro. Ndërkaq sipas kategorive ekonomike buxheti ndahet në: paga dhe shtesa 11,294,896 euro, mallra dhe shërbimet 3,078,919 euro, shpenzimet komunale 290,000 euro, subvencionet 720,000 euro kurse shpenzimet kapitale 2,940,400 euro.
Përndryshe gjatë këtij takimi të pranishmit parashtruan edhe kërkesat e tyre për investime si:
Pjesa më e madhe e buxhetit nga investimet kapitale, të ju dedikohet projekteve në furnizimin e lokaliteteve me ujë të pijshëm.
Të funksionalizohen semaforët në udhëkryqin Viti-Drobesh- Pozheran ose të vendosët një rreth rrotullim.
Në lagjen “Ylvi Demi” të bëhet asfaltimi i rrugëve, funksionalizimi i ujësjellësit, rregullimi i kanalizimit dhe të ujerave atomosferike.
Në shkollën “Dëshmorët e Vitisë” të bëhet laboratori.
Të shqyrtohen mundësitë për lejimin e ndërtimit të xhamisë së re të qytetit afër kompleksit të dëshmorëve në Viti.
Nga fshati Sadovinë e Jerlive u parashtruan këto kërkesa:
– Renovimi i brendshëm i shkollës
– Shtimi i punëtorit teknik
– Mirëmbajtjen e fushës së futbollit
– Ndriçimi publik në lagjet “Fetahu” dhe “Selmani”.
Kërkesat nga fshati Lubishtë:
– Sigurimi i ujit të pijshëm
– Ndriçimi publik në gjithë fshatin
– Asfatlimi i rrugës Lubishtë-Podgorcë
– Asfaltimi i rrugës Lubishtë-Kolishtë nga Shkolla Fillore “Dëshmorët e Lubishtë” deri të vendi i quajtur Pishat.
– Asfaltimi i rrugës në gjatësi prej 230 metrave në fshatin Ramnishtë ( deri në fund të fshatit).
Bëhet me dije se takimi i radhës në planifikim të buxhetit do të mbahet nesër (25.07.2025) në Pozheran, Shkolla e Mesme me fillim në ora 10:00.