Në kuadër të përkushtimit për përfshirje sociale dhe garantim të të drejtave themelore për të gjithë qytetarët, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka nxjerrë vendim për regjistrimin civil falas për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në territorin e komunës.
Ky vendim mundëson që gjatë vitit 2026, qytetarët e këtyre komuniteteve të përfitojnë nga shërbimet e regjistrimit civil pa pagesë, duke krijuar lehtësira konkrete për integrim dhe qasje në shërbime publike.
Qëllimi i këtij vendimi është identifikimi dhe regjistrimi i personave të paregjistruar, si dhe rritja e përfshirjes së tyre në jetën institucionale dhe në shërbimet publike.
Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar gëzon të drejta të barabarta dhe trajtim dinjitoz.
Ftohen të gjithë qytetarët e komuniteteve përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi gjatë vitit 2026.