Të dashur qytetarë të Skenderajt dhe Drenasit!
Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA organizojnë udhëtimin për protestën që do të mbahet nesër më 9 janar! Në Skenderaj nisja bëhet në orën 11:30 nga stacioni i autobusëve, ndërsa në Drenas nisja bëhet në orën 11:30, nga selia e NISMA për Kosovën.
Në një shtet normal paaftësia e kryerjes së një detyre është kriteri bazë që ajo detyrë dikujt t’i merret. Pra, ky është kushti në bazë të të cilit funksionon demokracia si vlerë, ndërsa demokracinë si mekanizëm e ka edhe Rusia, ‘dumen’. Demokracia si vlerë dallon nga demokracia si mekanizëm për faktin se në demokracinë si vlerë qeveria ka për bazë vullnetin dhe dobinë e popullit, ndërsa në demokracinë si mekanizëm qeveria zbaton politika për interesa të ngushta duke i shndërruar deputetët në makina që ngrenë dorën. Qeverisja nënkupton hartimin e një plani dhe zbatimin e tij në përputhje me zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Qeveria aktuale premtoi 200.000 vende pune, liberalizimin e vizave, UNESKON, Brezovicën, në të gjitha dështoi. Ama në të gjitha! Por, kishte një rast kur kjo qeveri nuk dështoi, atëherë kur duke e rrënuar demokracinë si vlerë detyroi deputetët votojnë Gjykatën Speciale, pra e vetmja gjë që ka arritur të bënte kjo qeveri është të themelonte një gjykatë e cila njëllos UÇK-në, askush nuk do të pyet për rezultat e kësaj gjykate. Rezultati veç është arritur! Parlamenti i Kosovës themeloi gjykatën e cila do të dënojë krimet e UÇK-së. Kaq i mjaftonte Serbisë që të shfaqte para botës, ndërsa kjo gjykatë nuk merret me krimet e Serbisë. Paradoks ma të madh nuk mund të ketë!
Kjo qeveri shkelëse po insiston ta themelojë “Zajednicën”, siç duket të vetmen formë për të qeverisur e ka që t’i bëjë dëm vendit të vet. Kjo qeveri ka një qëllim tashmë, t’i mbajë premtimet qe ia ka dhënë Serbisë, ndërsa për premtimet dhënë qytetarëve nuk brengoset, rasti më eklatant është thënia e kryeministrit ‘ne mund të jetojmë pa viza’. Sipas kësaj qeveria ne mund të jetojmë pa 200.000 vende pune, pa viza, pa UNESKO, veç pa Isën nuk mundemi. Me 9 janar fillon ballafaqimi ynë për demokracinë si vlerë! Duam demokraci njerëzish, jo kukllash. Duam shtet, jo ‘Zajednicë. Duam Republikë, jo Isë.
NISMA për Kosovën – Skenderaj, Drenas