Kosova e Franca, një përvojë e mirë e bashkëpunimit në sferën e kulturës

Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, me të cilën biseduan për bashkëpunimin dhe synimet e deritanishme të arritura në fushat të cilat janë në përgjegjësinë dhe mandatin e MKRS-së si dhe vazhdimin e mëtejmë të thellimit të relacioneve mes dy vendeve në këto fusha. Ministrja Dumoshi ka informuar ambasadoren Butel për programin dhe planet që ka për qëllim t’i realizojë në udhëheqjen e MKRS-së, për bashkëpunimin me partnerët dhe miqtë e Kosovës, konkretisht të ministrisë. Ministrja e njoftoi ambasadoren franceze për përkrahjen që do të ofrojë për institucionet dhe organizatat që merren me kulturë, rini dhe sport dhe angazhimin e saj për të arritur sa më shumë sukses brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, ministrja e ka falënderuar ambasadoren dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për kontributin e shtetit të Francës që e ka dhënë për Kosovën, si një partner i rëndësishëm dhe shtet mik dhe vazhdon të japë kontribut edhe më tutje me projekte konkrete siç është, fjala vjen Java e Frankofonisë në Kosovë. Ministrja Dumoshi potencoi faktin se bashkëpunimi dhe përkrahja e shumë projekteve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë duhet të vazhdojë dhe ajo tregoi gatishmërinë e saj për ta thelluar bashkëpunimin mes MKRS-së dhe ambasadës duke i forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve përmes kulturës e sportit duke i shkëmbyer përvojat e mira dhe ekspertët e këtyre fushave. Ndërkaq ambasadorja franceze Marie-Christine Butel, e uroi Ministren Vlora Dumoshi për detyrën e re dhe e u shpreh se bashkëpunimi dhe përkrahja mes dy vendeve por konkretisht edhe ndaj MKRS-së do të vazhdojë. Ajo theksoi se Republika e Francës dhe Republika e Kosovës, si dy vende të pavarura do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës dhe ky relacion do të jetë i qëndrueshme dhe do të avancohet edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se prania dhe mbështetja e Ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë duke u rritur në të ardhmen. Gjatë takimit u diskutua edhe për prioritetet e përbashkëta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës Franceze në Kosovë siç janë: fusha e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, kinematografia, promovimi i shkrimtarëve dhe librave kosovarë në Francë dhe anasjelltas. Bashkëpunimi ndër-kulturor mes dy vendeve është edhe më i mirë kur arti dhe kultura arrijnë të depërtojnë tek dy vendet.

Kontrolloni gjithashtu

Zyra për Komunitete dhe Kthim pranon dhe shpërndan donacion për nxënësit nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Zyra për Komunitete dhe Kthim e komunës së Ferizajt ka pranuar një donacion nga Qendra …