Kosova ka mbetur pa përfituar nga një paketë prej 171 milionë eurosh të Bashkimit Evropian, e destinuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat, për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve të nevojshme dhe bllokadës institucionale pas zgjedhjeve. Komisioni Evropian ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe Marrëveshjeve të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje po e mban Kosovën jashtë skemës së pagesave. Sipas BE-së, pa përmbushjen e procedurave ligjore në Kuvend, fondet nuk mund të disbursohen. Në përgjigjen zyrtare thuhet se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet bazë juridike për të përfituar nga këto mjete financiare, duke e lënë vendin prapa në raport me përfituesit e tjerë të rajonit. Megjithëse Brukseli shpreh shpresë që çështja të zgjidhet shpejt, situata aktuale shihet si pasojë direkte e ngërçit politik dhe mungesës së funksionalitetit institucional, që po prodhon kosto të drejtpërdrejta financiare për vendin. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian bën të ditur se së fundmi i ka ndarë Kosovës një ndihmë prej 216 milionë eurosh, që përfshin 181 milionë euro fonde të reja dhe 35 milionë euro për vazhdimin e katër kontratave prioritare. Po ashtu, pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera në fillim të këtij viti, të lidhura me fondet IPA dhe projektet e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor — por edhe këto varen nga marrëveshjet dhe prioritetet e dakorduara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
