Kosova importon nga Kina, Kina mbështet Serbinë kundër Kosovës

Kosova po shpenzon mbi dy milionë euro brenda një dite për mallra të importuara nga Kina, duke përfshirë lodra, pajisje elektro-shtëpiake, produkte ushqimore dhe artikuj bujqësorë. Kjo prani masive e mallrave kineze në tregun kosovar po rritet me ritme alarmante, duke vënë në pah dobësitë strukturore të ekonomisë vendore dhe mungesën e politikave mbrojtëse për prodhimin vendor. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, importet nga Kina janë rritur ndjeshëm, nga 452 milionë euro në vitin 2021 në 841 milionë euro vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2025. Kjo shifër tashmë ka tejkaluar vlerën e importeve nga vendet e CEFTA-s, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Moldavinë – vende që tradicionalisht kanë qenë partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Ky trend nënvizon një zhvendosje shqetësuese të orientimit tregtar, ku ekonomia e Kosovës po mbushet me mallra të lira të importuara, shpesh në dëm të prodhuesve vendorë dhe pa krijuar vlerë të qëndrueshme ekonomike brenda vendit. Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten thuajse simbolike, më pak se një milion euro në vit. Situata bëhet edhe më paradoksale kur merret parasysh fakti se Kosova dhe Kina nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Pekini nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Serbisë, e cila me Kushtetutë e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Maqedonci bisedon me zyrtaren e NATO-s: Koordinim i ngushtë me KFOR-in dhe hapa të rinj drejt NATO-s

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim virtual me Ariella Viehe, …