Kosova ka nënshkruar ‘Konventën e Lubjanës – Hagës’ për bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare. Në njoftimin e Qeverisë thuhet se ‘Konventa’ u nënshkrua nga ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, të premten në ambientet e Ministrinë e Punëve të Jashtme, Tregtisë së Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar të Mbretërisë së Belgjikës, pas bartjes së kompetencave të plota tek ai nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. “Mbretëria e Belgjikës është shtet depozitar i Konventës së Lubjanës – Hagës mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare, ndërsa deri më tash nënshkrimi i saj është bërë nga më shumë se dyzet shtete të tjera”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
