Në agjendën e publikuar për takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Luksemburg më 13 dhe 14 maj 2025, aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk është përfshirë. Megjithatë, sipas raportimeve të televizioneve, Kosova mund të diskutohet në kuadër të pikës “të tjera” të rendit të ditës. Një nga kushtet kryesore për avancimin e aplikimit të Kosovës ka qenë zgjidhja e kontestit pronësor me Manastirin e Deçanit dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte shprehur gatishmërinë për të zbatuar vendimin e Kushtetueses për tokat e Manastirit. Komiteti i Ministrave është organi ekzekutiv i Këshillit të Evropës, i cili përbëhet nga ministrat e punëve të jashtme dhe që mblidhet një herë në vit. Vendimi merret me shumicë prej dy të tretash të ministrave të pranishëm në takim.
