Ahmet Qeriqi

Kosova nuk ka regjisorë të njohur as aktorë profesionistë ta realizojë një film artistik për Adem Jasharin

Lajmi se në Kosovë do të gjirohet një film për legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari më tepër ishte një informatë  sensacionale për ta hulumtuar opinion publik, sesa është një  ndërmarrje serioze në këtë drejtim.

Në një lajm të publikuar nergut në 20-vjetorin e rënies së legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të Prekazit, u bë e ditur se “rreth katër vite më parë, regjisori, Luan Kryeziu, qenka  zotuar se do të jetësonte  përmes një filmi të gjatë artistik figurën e komandantit Adem Jashari. Në vitin 2014 Kryeziu dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, u takuan edhe me përfaqësues të familjes Jashari. Regjisori Kryeziu pati deklaruar se ka marrë edhe pëlqimin e familjes Jashari për këtë film”.

Pas lajmit filluan edhe spekulimet se ku do të xhirohet filmi, kush do ta luajë rolin e Adem Jasharit dhe tema të tjera, të cilat si zakonisht avullojnë pas pak ditësh,  duke lënë prapa një shije të shpifur, sidomos në kohën e manifestimeve për Legjendarin, në rastin konkret në ditët e “Epopesë jubilare të UÇK-së” më 5.6 dhe 7 mars 2018.

Fakti se kanë kaluar 20 vjet nga rënia e Legjendarit, Adem Jashari dhe e Jasharëve, ndërsa kanë kaluar edhe  10 vjet nga pavarësia e Kosovës, është një tregues se institucionet e Shtetit, i cili është ndërtuar, në radhë të parë falë gjakut të dëshmorëve të kombit, nuk kanë interesim serioz për të marrë përsipër realizimin e një filmi artistik për Legjendarin, Adem Jashari. Përveç kësaj, Kosova nuk ka kapacitete profesionale, artistike, as financiare për të realizuar një film, i cili do të pretendonte ta trajtonte luftën, qëndresën dhe heroizmin e Adem Jasharit, të familjes së tij të ngushtë dhe Jasharëve të Prekazit përgjithësisht.

Po kështu spekulimet e çoroditura të jugo-nostalgjikëve si rasti i  ‘gllumacit”, Enver Petrovci, i cili e thotë publikisht se “shumë më mirë ndihet në Beograd se në Tiranë apo në Prishtinë, se do ta jepte edhe prapanicën për ta gjiruar një film në Beograd”, kishte  propozuar aktorin serb, Rade Sherbexhija, tani në moshën 75-vjeçare, për ta luajtur rolin e Adem Jasharit. Ky propozim antikombëtar i një aktori përkrahës të regjimit të Milosheviqit, regjimi i të cilit ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë, vetvetiu flet se kush kanë qenë dhe kush janë sot pjella e degjeneruar e bashkim vëllazërimit, pjella e amalgamuar  serbo-shqiptare, e cila nuk heq dorë nga origjina dhe ADN-ja e përzier politike mbase edhe racore, dhe është e gatshme kurdoherë të provokojë ndjenjat atdhetare të liridashësve të Kosovës.  Madje doli se ky farë Radeja, paskësh thënë se nuk do ta luante rolin e Adem Jasharit, sepse po ta luante në kuptimin pozitiv, atë do ta bënte të pavdekshëm, dhe këtë ai nuk do ta bënte, madje as për “prapanicën” e dashnorit,  Petrovci.

Në deklaratën e Sherbexhiut me shkrim,  ai thotë se “kjo është një përpjekje e atij regjisori të ri që të kthejë vëmendjen ndaj tij dhe projektit të tij, duke keqpërdorur emrin tim”, citon FoNet Sherbexhijen. “Është fare e pakuptimtë të më ofrohet mua ky rol, siç është e pakuptimtë që ndokush të besojë se unë do të pranoja një rol të tillë”, ka thënë ai, i cili shprehet se megjithatë i vije mirë “që pjesa dominonte e shtypit serb e ka vlerësuar si duhet këtë përrallë”. (Koha.net 8.3.2018)

Përpjekjet për të gjiruar një film të njëmendtë dhe serioz për Adem Jasharin, nuk janë në korniza të kapaciteteve që disponon Kosova për një ndërmarrje të tillë. Po kjo nuk u mjafton grykësve dhe profiterëve të parasë publike, e cila është derdhur dje po derdhet pa kursim. Qindra mijëra euro nga buxheti i Kosovës janë derdhur për filma kundër luftës së UÇK-së, madje për filma ku fyhet edhe morali i luftës dhe ndjenjat  atdhetare të shqiptarëve. Kjo po ndodh para syve tanë, sepse ligjet në fuqi të  Kosovës nuk e penalizojnë fyerjen dhe përdhosjen  e vlerave të luftës së UÇK-së, por as të vlerave të përgjithshme kombëtare.

Natyrisht se në një vend, ku Qeveria nuk mundet, nuk ka vullnet apo nuk guxon nga EULEX-i të marrë në mbrojtje  vlerat e luftës, kundërshtarët e luftës e shfrytëzojnë këtë të drejtë, e cila korrespondon me “moralin dhe edukatën e tyre”.

Kosova nuk ka regjisor që mund ta realizonte një film të nivelit mesatar  artistik për Adem Jasharin, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një luftëtar të lirisë, në një kohë dhe hapësirë të caktuar, por me një personalitet fenomenal, që i tejkalon caqet kombëtare dhe radhitet në mesin e heronjve që i njeh historia e qytetërimit botëror. Adem Jashari, na përkujton trimin e Trojës, Hektorin e madh, i cili dha gjithçka për ta shpëtuar Trojën, Atdheun që ia kishin sulmuar grekët në nivel më të ulët qytetërues, por më të fuqishëm në fushë të betejës dhe më dinakë në veprimet e tyre djallëzore.

Adem Jashari ka përmasa të heroit revolucionar, Çe Gevara, i cili po kështu ishte vrarë nga forcat e errëta fashiste  sikur ato të Milosheviqit.

Janë të veçanta historitë që kanë të bëjnë me personalitete fenomenale si Adem Jashari, andaj edhe qasja  ndaj këtij fenomeni kërkon përgjegjësi maksimale, në mënyrë që të mos lejohet të xhirohet një film si ai i Halil Budakovës për Azem Galicën ku personazhet dalin të larë, të lyer, të krehur, të shminkuar, rrobat krejt të reja,  ai ato të valltarëve të Ansamblit “Shota”, thjesht  personazhe të dizajnit  “barby” dhe ku skenat e luftës përngjajnë  me ato të filmave western, italianë.

Shëmti të tilla, nuk është dashur të lejohen dhe nuk duhet të lejohen, sepse në këtë mënyrë e kaluara jo vetëm që nuk pasqyrohet me saktësi dhe korrektësi historike në kohë dhe hapësirë, por deformohet dhe ushtron ndikim të keq te shikuesit dhe te brezat që vijnë pas nesh.

Vetë fakti si një regjisor si Luan Kryeziu mendon se rolin e Adem Jasharit mund ta luajë një aktor serb,  tanimë i skaduar dhe i dalë boje,  tregon nivelin e pa përgjegjësisë së tij, tregon përmbajtjen dhe dukatën intelektuale të shkollës së cilës i takon, tregon nostalgjinë e tij për filmin jugosllav, pavarësisht se nuk mund të mohohen regjisorët e njohur të kësaj shkolle se Slobodan Shijan, Paskaleviq e të tjerë. Mirëpo në rastin tonë, në rastin kur në humbëtirat e Serbisë ende gjenden mijëra eshtra apo mbetje mortore të shqiptarëve, në një kohë kur Serbia mohon luftën dhe pavarësinë e Kosovës, të kërkosh aktor nga Serbia, për ta luajtur rolin e Adem Jasharit  është turpshme dhe e  pafalshme, qoftë edhe vetë ideja si e tillë.

Kosova nuk ka mundësi kurrfarë për të realizuar një film të përmasave botërore, ku do të trajtohej ajo që ka ndodhur në Prekaz, më 5. 6. dhe 7 mars të vitit 1998.

Një bashkëpunim i mundshëm me regjisorë  dhe aktorë nga Shqipëria, do të mund të arrinte një nivel, i cili sado kudo do të mund të cilësohej si një projekt i  suksesshëm, por gjithmonë larg mundësive për të arritur, qoftë edhe në mënyrë artistike me një vepër filmike, piedestalin që e ka arritur Adem Jashari me familjen  e tij

 

Ahmet Qeriqi

  1. 3. 2018

Kontrolloni gjithashtu

Adnan Asllani: “Dokumentari” “Rruga e çlirimit” në shërbim të shtrembërimit të së vërtetës

Adnan Asllani: “Dokumentari” “Rruga e çlirimit” në shërbim të shtrembërimit të së vërtetës

Më 28 nëntor 2024, në Radio Televizionin e Kosovës, u transmetua “dokumentari” “Rruga e çlirimit” …